Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve gjatë ditës së sotme, duke njoftuar se janë monitoruar gjithsej nëntë vatra në zona të ndryshme të vendit.
Sipas ministrisë, falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave zjarrfikëse, strukturave vendore, Forcave të Armatosura dhe mjeteve ajrore, situata është përmirësuar ndjeshëm dhe aktualisht nuk raportohet asnjë rrezik për komunitetet apo zonat e banuara.
Zjarri në Dajt është shuar pas ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës, Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe helikopterit të Forcës Ajrore, ndërsa edhe vatra në Priskë është fikur plotësisht.
Në Çikallesh të Kavajës, ndërhyrja e zjarrfikësve nga Kavaja, Kamza dhe Rrogozhina, e mbështetur nga avioni “Air Tractor”, bëri të mundur izolimin e plotë të flakëve.
Nën kontroll janë vënë edhe zjarret në Riban, Ngraçan dhe Panahor të Mallakastrës, ndërsa në Plan të Bardhë të Klosit, ku flakët kishin rrezikuar banesa dhe rrjetin elektrik për shkak të erës, situata është stabilizuar pas angazhimit të forcave operacionale, Policisë së Shtetit, vullnetarëve dhe 25 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Ministria njofton gjithashtu se janë shuar plotësisht vatrat në Kostren 2 të Beratit dhe në Uruç të Peqinit, ndërsa në Alikomemaj të Memaliajt vijon ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës për neutralizimin e një vatre në një sipërfaqe me pisha.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në tërësi situata paraqitet e stabilizuar dhe të gjitha zonat problematike vijojnë të mbahen nën monitorim.










