7 vatra zjarri ende aktive në vend, situata më kritike në Mallakastër

Shtatë vatra zjarri mbeten ende aktive në disa qarqe të vendit, ndërsa situata më shqetësuese vijon në bashkinë Mallakastër, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha dhe po rrezikojnë zonat pranë banesave.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, gjatë 10 orëve të fundit janë regjistruar 14 vatra zjarri, nga të cilat gjysma janë neutralizuar, ndërsa 7 vijojnë të jenë aktive.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, një helikopter dhe një avion “Air Tractor”.

Situata më e vështirë paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës, ku forcat zjarrfikëse, punonjësit bashkiakë, efektivët e Forcave të Armatosura dhe avioni “Air Tractor” po punojnë për të frenuar avancimin e flakëve drejt banesave.

Operacionet vijojnë edhe në Dajt, ku në terren ndodhen zjarrfikësit, Administrata e Zonave të Mbrojtura, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Deri më tani nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun e Elbasanit, ndërhyrjet po zhvillohen në zonat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë vendosur nën kontroll dhe nuk paraqesin rrezik për banorët.

Një vatër aktive vijon edhe në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, ku zjarri është përhapur në një zonë të mbrojtur, pa kërcënuar deri tani banesat.

Ndërkohë, zjarri në Penkovë të Selenicës është shuar plotësisht. Bilanci paraprak tregon se flakët dogjën rreth 2 hektarë pyll me pisha dhe shkrumbuan 40 automjete të braktisura.

Punimet për shuarjen e zjarrit vijojnë edhe në Gumenicë, ndërsa vatra në Vërzhezhë të Skraparit është vendosur nën kontroll. Autoritetet mbeten në monitorim të vazhdueshëm për të parandaluar riaktivizimin dhe përhapjen e mëtejshme të flakëve.