29 vatra zjarri në 24 orë, 11 vijojnë aktive – angazhohen qindra forca dhe mjete nga toka e ajri

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 11 vijojnë të jenë aktive. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, tre vatra janë në monitorim, ndërsa katër të tjera janë vendosur nën kontroll.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake, të AdZM-së, Shërbimit Pyjor dhe ASHP-së, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në terren janë 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat aktive vijojnë kryesisht në zona malore e pyjore. Në Dajt dhe Priskë të Madhe në Tiranë, operacionet vazhdojnë pa rrezik aktual për zonat e banuara.

Në Përmet, zjarret mbeten aktive në malin e Nëmërçkës dhe malin e Dhëmbelit, ku terreni i vështirë po pengon ndërhyrjen. Forcat në terren po punojnë për izolimin e flakëve, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.

Situatë e rëndësishme paraqitet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar dhjetëra forca nga bashkia, Forcat e Armatosura, Policia, AdZM-ja dhe vullnetarë. Ndërhyrja ka bërë të mundur mbrojtjen e perimetrit pranë banesave. Nga ajri kanë operuar dy avionë Air Tractor.

Zjarre aktive raportohen edhe në Qafën e Helmes në Bulqizë, Troje të Mirditës, si dhe në Rrencë e Goraj-Budishtë në Shkodër. Në Goraj-Budishtë vatra po shkon drejt izolimit dhe nuk raportohet rrezik për banesat.

Në qarkun e Elbasanit vijojnë aktive vatrat në Dardhë të Librazhdit dhe Shalës të Cërrikut. Edhe në Dardhë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet vijojnë të koordinuara nga toka dhe ajri, me fokus mbrojtjen e banesave dhe frenimin e përhapjes së zjarreve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon monitorimin e pandërprerë dhe koordinimin e kapaciteteve sipas nevojave në terren.