23 vatra zjarri në 12 orë, 8 vijojnë aktive – angazhohen 310 forca dhe 5 mjete ajrore

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale, 103 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Mjetet ajrore kanë ndërprerë operacionet gjatë mbrëmjes.

Ndërhyrjet vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Drenie të Patosit, Krujë, malin e Nemërçkës dhe malin e Dhëmbelit. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Një operacion i rëndësishëm po zhvillohet edhe në Gurë-Lurë të Dibrës, ku forcat zjarrfikëse, vullnetarët dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura janë angazhuar pranë banesave për mbrojtjen e komunitetit.

Ndërkohë, vatra e zjarrit në Vilëz të Kurbinit është shuar plotësisht.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat vendore vijojnë koordinimin dhe operacionet në terren, me qëllim neutralizimin e plotë të të gjitha vatrave aktive.