13 gusht, skadon afati për dokumentet shtesë të fermerëve fitues të Skemës Kombëtare 2026

Sot, më 13 gusht 2026, është afati i fundit për fermerët e shpallur fitues në masat 5, 6, 7 dhe 9 të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, për të plotësuar dokumentacionin dhe kushtet e përfitueshmërisë.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural kishte njoftuar më herët se përfituesit e masave 1 deri në 4, listat e të cilëve u publikuan më 21 korrik, kishin afat deri më 10 gusht për të plotësuar dokumentacionin.

Ndërsa për fermerët fitues të masave 5 deri në 7 dhe masës 9, listat e të cilëve u publikuan më 24 korrik, afati përfundon sot, më 13 gusht.

AZHBR sqaron se dokumentacioni i dorëzuar pas përfundimit të afatit nuk do të merret në shqyrtim. Aplikantët që nuk plotësojnë kushtet dhe dokumentacionin e kërkuar brenda afatit do të skualifikohen nga skema.

Skema Kombëtare 2026 ka regjistruar 42,728 aplikime, ndërsa vlera totale e kërkesave ka arritur në 7.2 miliardë lekë, kundrejt fondit prej 5.2 miliardë lekësh të vënë në dispozicion.

Qarku i Fierit kryeson për numrin e aplikimeve, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora.

Në total, skema është organizuar në 12 masa mbështetëse, 9 prej tyre direkte dhe 3 masa investimi. Interesi më i lartë është regjistruar për tufën bazë të të imtave me 7,236 aplikime, bletarinë me 7,016 aplikime dhe tufën bazë të gjedhit me 6,732 aplikime.

Tre masat e investimit lidhen me mbështetjen e fermerëve të rinj deri në 40 vjeç, ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve dhe mekanizimin e bujqësisë.