VOA: Si u bë arrestimi i autoreve te atentatit te ish -prokurorit,agjencitë e huaja të përfshira në hetim

Në Shqipëri, policia arrestoi pesë persona dhe ka shpallur në kërkim katër të tjerë nën akuzat se kanë kryer atentat me armë zjarri tre vite më parë ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja dhe dy personave të tjerë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, teksa udhëtonin në autostradën Tiranë – Durrës.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të arrestuarit nën akuzat e vrasjes së funksionarëve publikë në tentativë, grup i strukturuar kriminal, mbajtje armësh dhe municioni pa leje si dhe vjedhje të përsëritura.

Tre nga të arrestuarit janë banorë të Durrësit dhe dy të tjerë janë banues në Tiranë.

Ata dhe katër të tjerët e shpallur në kërkim, kanë bashkëpunuar në sulmin me armë zjarri që u krye në nëntor të vitit 2019 ndaj automjetit me të cilin po udhëtonin nga Durrësi në Tiranë ish prokurori Arian Ndoja, Aleksandër Laho dhe Andi Maloku. Ky i fundit ndërroi jetë në spital, ndërsa dy të tjerët u mjekuan nga armët e zjarrit.

Forcat e rendit kontrolluan gjatë operacionit “Komploti” nën koordinimin e SPAK-ut 11 banesa në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë, ku sekuestruan armë, jelek antiplumb, dylbi, monedha, telefonë dhe dokumente pronash.

SPAK (Struktura e Posaçme kundër Krimit dhe Korruësionit) njoftoi se pas atij atentati ishin identifikuar fillimisht të pandehurit Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, për të cilët po vijon gjykimi pranë Gjykatës së Posaçme.

Ndërsa për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në këto ngjarje ishin veçuar aktet ligjore dhe vazhduan hetimet, deri sot kur ata një pjesë u arrestuan dhe pjesa tjetër u shpallën në kërkim.

Organet e rendit po bashkëpunojnë me autoritetet e huaja për kapjen dhe ekstradimin e tyre.

Hetimi u përmbyll nga bashkëpunimi i ngushtë mes policisë Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe agjencive të huaja të zbatimit të ligjit, bëri të ditur SPAK.

Ish prokurori i Durrësit, Arian Ndoja u sulmua me breshëri automatiku dhe mbeti i plagosur gjatë ecjes në autostradë në një automjet me Aleksandër Laho, ndërsa shoferi Andi Maloku humbi jetën.

Ish prokurori Ndoja kishte urdhëruar atë kohë arrestimin e Drejtorit të Hipotekës së Durrësit, Liridon Pula. Para se të emërohej prokuror, Ndoja kishte punuar si avokat Laho, personi që udhëtonte me të në makinë, është i dyshuar për përfshirje ne aktivitete kriminale, që ka ndryshuar disa herë identitetin.

Arjan Ndoja u shkarkua nga detyra më 6 maj 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi një sërë problemesh gjatë hetimit në kriterin e figurës dhe profesionalizmit, që u konsideruan se kishin cënuar besimin e publikut tek drejtësia./ VOA

Balla i përgjigjet Berishës për 21 Janarin

Thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Tiranës: Dosja e vrasjes së Aleks Nikës t’i kalojë SPAK.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i është kundërpërgjigjur Sali Berishes për 21 Janarin.

Balla nga Roskoveci i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Tiranës që dosja e vrasjes së Aleks Nikes më 21 Janar t’i kalojë SPAK-ut.

“Nesër përkujtojmë 12 vjetorin e masakrës të bulevardit dhe të vrasjes së katër dëshmorëve të këtij vendi në protestën e 21 janarit 2011.

Dua të theksoj se dosja në ngarkim të zyrtarëve më të lartë të asaj kohe, jo vetëm gardës së Republikës, jo vetëm Ministrisë së Brendshme por edhe atyre në krye të qeverisë, fakti është që një prej katër dëshmorëve Aleks Nika dosja e vrasjes së të cilit është një dosje e pa mbyllur. Familjarët e tij dhe unë gjithashtu i jemi drejtuar disa herë Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Tiranës, SPAK-ut për të kërkuar që elementë të reja që kanë dalë në këtë dosje të hetohen. Fakti është që ka patur dëmtime me dashje të provave gjatë vitit 2011 qoftë nga predha e gjendur në trupin e e të ndjerit por edhe elementë të tjera dhe që në vlerësimin tim edhe apeli im është që në 12 vjetorin e këtij krimi, dosja në ngarkim të personave të përfshirë në vrasjen e Aleks Nikës dhe ky krim të mos hetohet më nga Prokuroria e Tiranës por t’i kalojë SPAK-ut. Arsyeja është shumë e thjeshtë, personat e përfshirë në këtë krim shtetëror që i mori jetë 4 qytetarëve dhe u plagosën dhjetëra, janë persona që hyjnë në juridiksionin e Prokurorisë Speciale. 21 Janari është korrupsion, pra qytetarët shqiptarë dolën në bulevard për të kundërshtuar korrupsionin e asaj kohe, dhe në këtë këndvështrim unë mendoj që Prokuroria nuk duhet të rrijë duarkryq. Theksoj edhe njëherë që dosja e 21 janarit në rastin e vrasjes së Aleks Nikës nuk duhet të vazhdojë të mbetet më nëpër sirtaret e Prokurorisë së Tiranës por duhet t’i kalojë Prokurorisë Speciale Antikorrupsion”, tha Balla.

I dënuar me burgim të përjetshëm/ Aldo Bare kërkon uljen e dënimit në Gjykatë

Aldo Bare, i cilësuar ndryshe si ish-kreu i Bandës së Lushnjës, kërkon ulje të dënimit në Gjykatën e Elbasanit. Në procesin e zhvilluar mesditën e sotme avokati mbrojtës i tij kërkoi shtyrje të gjyqit, ndërsa hodhi akuza në drejtim të trupit gjykues.

Mbrojtësi i tij, Oligert Kume tha se është kërkuar ulje dënimi për vitet 2014-2021 referuar Ligjit për trajtimin e të burgosurve pasi për çdo vit ligji parashikon ulje dënimi me 45 ditë kalendarike duke patur parasysh amnistinë e vitit 2014.

“Duke marrë shkas që ne nuk kishim dijeni për këto prova të sjella sot, kemi kërkuar shtyrjen dhe zhvillimin në një datë tjetër të seancës. Në datën 22 dhjetor 2022 nga Gjykata e Lartë në dhomë këshillimi pa prezencë të palëve është marrë një vendim absurd juridik, sepse është shkelmuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2017 që urdhëronte Gjykatën e Lartë të merrte në shqyrtim dhe njëherë këtë çështjes duke mos i mohuar të drejtën palëve për t’u përfaqësuar dhe bërë një mbrojtje. Është përdhosur një vendim duke bërë një puç kushtetues sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë akte që detyrojnë çdo gjykatë t’i zbatojë.

Trupa gjyqësore që nuk kishte as kualifikimin e duhur për këtë çështjes, pasi dy prej anëtarëve nuk kanë pasur specializimin e duhur dhe në një hark kohor të shkurtër kanë lënë në fuqi vendimin kapital. Ne do të ndërmarrim hapat tona të nevojshëm për ta goditur këtë akt pranë Gjykatës Kushtetuese duke informuar dhe ILD, duke referuar dhe kërkuar hetim disiplinor për këtë çështjes që kanë bërë gjyqtarët për çështjen në fjalë.

Në Gjykatën Kushtetuese do kërkojmë sërish rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë pasi na janë mohuar të drejtat për mbrojtje. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do ta marrë në shqyrtim do t’i adresohemi Gjykatës së Strasburgut për të drejtat e njeriut“ u shpreh Kume në një prononcim për mediat.

Aldo Bare është dënuar me “burg përjetë” për 4 vrasje mes tyre dhe Artur Dajës me të cilin banda e tij u konfliktua gjatë viteve ‘97 pasi këta të fundit i vranë vëllain. Të tjerë krime sipas vendimit të 2011 janë 4 vrasje të mbetura në tentativë, krijim i organizatës kriminale dhe armëmbajtje pa leje.

Aldo Bare u ekstradua në Shqipëri më 25 nëntor 2009 nga Ankaraja e Turqisë ku u arrestua për llogari të drejtësisë shqiptare. Nga ana tjetër, Prokuroria për Krimet e Rënda akuzonte Baren për të paktën 15 vrasje, krijim të organizatës kriminale, shkatërrim prone me zjarr si dhe trafik droge

Rrëmbyen një shtetas, e dhunuan dhe e lanë pa ndjenja, arrestohen 4 persona të dyshuar

Një person i dëmtuar rëndë është paraqitur mbrëmjen e 18 janarit ne Spital.

I dëmtuari ka dëmtime te renda në fytyrë e trup, thyerje të hundës, thyerje të dhëmbit, thyerje të njërit gisht. Identiteti i te dhunuarit është Gentian Omeri, 39-vjec nga fshati Verve, Bashkia Konispol.

Nga ky konstatim policia ka nisur hetimin për kapje e autorëve të ngjarjes.

Njoftim policie:

Sarandë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pengmarrja”, për zbardhjen e një ngjarjeje kriminale në fushën e krimeve kundër personit.

Operacioni u zhvillua nga Forca Operacionale e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe FNSH, nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës.

Rrëmbyen një shtetas, e mbajtën me forcë në automjetin e tyre, e plagosën rëndë atë, me sende të forta dhe e lanë pa ndjenja, në rrugë, Policia identifikon dhe vë në pranga, brenda pak orësh, 4 autorët e dyshuar, njëri prej tyre me precedent kriminal. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Më datë 19.01.2023, rreth orës 01:00, salla operative Sarandë ka marrë njoftim se disa shtetas po ndiqnin me automjet shtetasin G. O. dhe po i rrezikohej jeta prej tyre.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë reaguar me shpejtësi, duke shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar në rrugën e fshatit Xarrë, shtetasin G. O., të plagosur rëndë fizikisht, i cili është dërguar menjëherë në spitalin e Sarandës, ku ndodhet aktualisht, nën kujdesin e mjekëve.

Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale nga shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pengmarrja”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, brenda pak orësh është bërë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimi i autorëve të dyshuar të saj.

Në vijim të veprimeve dhe ndjekjes të pandërprerë nga shërbimet e Policisë, rreth orës 04:00, u bë lokalizimi në fshatin Shëndelli dhe prangosja e 4 autorëve të dyshuar, konkretisht e shtetasve:

P. N., 30 vjeç (me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve), A. N., 21 vjeç, A. N., 44 vjeç dhe A. N., 21 vjeç (të afërm të njëri-tjetrit), të gjithë banues në fshatin Shëndelli, Sarandë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim shtetasit A. N., 39 vjeç, banues në Shëndelli, Sarandë. Vijon puna për kapjen e tij.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë përplasur me dashje automjetin që drejtonte shtetasi G. O., të cilin e kanë plagosur duke e goditur me sende të forta, e më pas e kanë futur në automjetin e tyre, duke e mbajtur aty me forcë, dhe më pas e kanë lënë pa ndjenja, në rrugë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete që përdoreshin nga të arrestuarit dhe 7 aparate celulare.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.

PD: Qeveria ka vendosur me çdo kusht ta mbaje të lartë çmimin e naftës

DEKLARATA E PLOTË
Çmimi i naftës kudo në botë ka shënuar ulje të ndjeshme gjatë dy muajve të fundit, duke kapur nivelet e çmimeve te paraluftës në Ukrainë.
Shqipëria ka qenë gjithmonë gjatë këtyre viteve, edhe shumë përpara luftës, vendi me naftën më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtat në Evropë. Nafta në Shqipëri, për shkak të taksimit shumë të lartë të qeverisë së Edi Ramës, ishte më e shtrenjtë se në Gjermani, Francë, Norvegji dhe plot vende të tjera evropiane.

Por, në të gjitha këto, vende çmimi i naftës, pas stabilizimit të tregjeve ndërkombëtare, është ulur ndjeshëm. Me përjashtim të Shqipërisë ku ky çmim njeh vetëm rritje. Përpara disa ditësh, Bordi i Qeverisë vendosi të rrisë përseri çmimin e naftës, edhe pse në bursën ndërkombëtare ky çmim është ekzaktësisht në nivelet e paraluftës.
Arsyeja nuk është as infrastruktura dhe as mënyra sesi përllogaritet ky çmim. Madje edhe vetë tregtarët e naftës deklarojnë zyrtarisht se Bordi i qeverisë e rrit çmimin me të paktën 120 lekë për liter, për shkak të mënyrës sesi ai funksionon.

Pra, arsyeja është një dhe e vetme. Qeveria ka vendosur me çdo kusht ta mbaje të lartë çmimin e naftës, sepse kështu ajo arrin të mbushe xhepat në kurriz të shqiptarëve.

Sipas llogaritjeve të ekspertëve, vitin e kaluar vetëm si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, qeveria shqiptare futi në xhep afërsisht 150 milionë euro më shumë. Nga këto para, asgjë nuk i është kthyer shqiptarëve në formën e subvencioneve për rritjen e çmimeve.

Si pasojë e inflacionit të lartë dhe rritjes së çmimeve të të gjitha produkteve, qeveria shqiptare arkëtoi ne total rreth 550 milionë euro më shumë gjatë vitit 2022. Një shumë e konsiderueshme, e cila në një vend normal do të duhej t’i kthehej e plotë qytetarëve. Në fakt, çfarë u kthehet atyre janë vetëm karamele elektorale, sepse zgjedhjet vendore po afrojnë. Rritja e çmimeve ka varfëruar edhe më tej të varfrit dhe po e çon shtresën e mesme me shpejtësi drejt varfërimit të plotë. Shqiptarët deklarojnë se 42% e buxhetit të tyre shkon vetëm për ushqime. Ndërkaq, ushqimet e shportës janë shtrenjtuar mesatarisht me 12%.

Edi Rama e di dhe e njeh mirë këtë situatë. Por aq i bën. Për sa kohë ka zgjedhur strategjinë e varfërimit të mëtejshëm dhe të përzënies të atyre që nuk e duan qeverinë e tij. Dhe, për sa kohë mban rreth vetes ata ministra që një pjesë e vjedhin për xhepat e tyre dhe të shefit dhe pjesën tjetër e bëjnë termet duke vjedhur votat e shqiptarëve me paratë e shqiptarëve.

Shqipëria asnjëherë nuk ka qenë në duar më të pasigurta të cilat të japin siguri vetëm për një gjë: do të të vjedhin!

Shqipërisë duhet t’i dalim zot: duke qëndruar, duke rezistuar, duke votuar kundër Ramës, duke e bërë 14 majin një taksë të papërballueshme për të, siç bën ai me taksën e naftës tuaj.

Ngacmoi nxënësen 13-vjeçare, mësuesi rezulton këshilltar i PS në bashkinë e Tepelenës

Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me mësuesin që ra pre e dhunës pak ditë më parë në Tepelenë, i cili ndodhet pas hekurave nën akuzën e ngacmimeve seksuale ndaj të miturve. Mesohet se Kleanthi Laçi rezulton të jetë këshilltar i PS-së në Bashkinë e Tepelenës, ndërkohë që ai është pezulluar nga detyra si mësues deri në zbardhjen e ngjarjes. 

Ai ndodhet pas hekurave pas denoncimit të një vajze 13-vjeçeje, ndërsa vëllai i saj e dhunoi duke e bërë për spital.

Britania e Madhe deporton në atdhe 26 shqiptarë, disa prej tyre të dënuar për drogë

Autoritetet britanike kanë kthyer në Shqipëri 26 shqiptarë. Lajmi është bërë i ditur nga Home Office në Londër. Mes të deportuarve janë edhe persona të përfshirë në aktivitete kriminale, mes tyre dhe të dënuar për drogë të klasit A.

Britania e Madhe ka nisur një fushatë për largimin e shqiptarëve ilegalë dhe kthimin e tyre në atdhe. 

Ndërkohë nuk kanë munguar deklaratat e forta të zyrtarëve britanikë ku kërkojnë rikthimin në Shqipëri të emigrantëve që kanë hyrë ilegalisht, madje disa prej tyre nuk e kanë shmangur edhe gjuhën e rëndë kundër shqiptarëve.

Dhune ne familje ndaj nenes dhe babait ne FIER ,2 te arrestuar

DVP Fier/Vihen në pranga 2 shtetas, për dhune ne familje

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A. H., 42 vjeç, banues në Fier, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij;

-M. K., 24 vjeç, banues në Fier, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.

Nderkohe Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasen S. B., 48 vjeçe, banuese në Çermë Sektor, Divjakë, pasi dyshohet se ka kanosur me mjet prerës, një shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.