Kriza e blegtorisë, numri i krerëve ra me 8.3%, bie prodhimi i...

Kriza e blegtorisë, numri i krerëve ra me 8.3%, bie prodhimi i qumështit dhe mishit më 2022

61
SHPËRNDAJE

Numri i bagëtive ka thelluar rënien në vitin 2022 në të gjitha kategoritë, duke e çuar sektorin në një spirale krize me ndikim negativ në çmimet e produkteve të bulmetit.

Të dhënat e sotshme të INSTAT tregojnë se numri i krerëve të bagëtive që prodhojnë qumësht, gjedhë, dele dhe dhi pësoi rënie me 8.3 për qind në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021.

Rënien më të madhe e pati gjedhi me 39 mijë krerë më pak se më 2021 ose me rënie vjetore 12 për qind. Numri i dhive pësoi rënie me 7 për qind dhe po në të njëjtën masë edhe i deleve. Derrat dhe pulat që ishin dy grupe në rritje vitet e fundit ishin më rënie vjetore përkatësisht me 14 dhe 11%.

Për rrjedhojë rënie kanë pësuar edhe nënproduktet si qumështi me 4.2%, mishi me 5,6% dhe vezët me 15%.

INSTAT raportoi sot se Numri i gjedhëve në vitin 2022, është 297.656 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga lopët e qumështit me rreth 87,67% ndaj numrit gjithsej të krerëve. Në vitin 2022, numri i të leshtave është 1.371.695 krerë. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 79,12% ndaj numrit gjithsej të tufës.

Numri i të dhirtave në vitin 2022, është 721.555 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit me 77,99% ndaj numrit gjithsej të krerëve. Në vitin 2022, numri i krerëve të derrave është 137.304 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dosat me 8,49% ndaj numrit gjithsej të krerëve

Prodhimi i qumështit në vitin 2022, është 970 mijë tonë. Struktura e prodhimit të qumështit është: qumësht lope 85,03%, qumësht dhie 7,85% dhe qumësht dele me 7,12%.

Në 2022, prodhimi i qumështit nga lopët është 824.942 tonë. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit në nivel vendi është 3.114 kg për krerë. Prodhimi qumështit nga delet për vitin 2022, është 69.033 tonë. Rendimenti mesatar vjetor, në nivel vendi i qumështit të deles është 63 kg për krerë. Prodhimi qumështit nga dhitë në 2022, është 76.193 tonë.

Rendimenti mesatar vjetor i qumështit nga dhitë në nivel vendi është rreth 129 kg për krerë. Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 140 mijë tonë, ndërsa prodhimi i vezëve për vitin 2022 është 776 milionë kokrra. Nga ana tjetër prodhimi i mjaltit për vitin 2022 është 5.391 tonë

Qarqet më përfaqësues lidhur me mbarështimin e gjedhit për vitin 2022, janë Fieri me 12,81% dhe Korça me 12,56% ndaj numrit gjithsej të gjedhëve. Përqendrimi më i madh i numrit të të leshtave është në qarkun e Vlorës me 25,62% dhe në qarkun e Korçës me 17,82% ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Përqendrimi më madh i numrit të të dhirtave është në qarkun e Vlorës me 22,49% dhe në qarkun e Gjirokastrës me 12,41% ndaj numrit gjithsej të krerëve. Përqendrimi më madh i numrit të derrave është në qarkun Lezhë me 41,37% dhe në qarkun Shkodër me 21,34% ndaj numrit gjithsej krerëve

Statistikat e blegtorisë për vitin 2022, mbështeten në informacionin administrativ, të mbledhur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Mbledhja, përpunimi dhe publikimi i statistikave blegtorisë dhe prodhimeve blegtorale mbështeten në Programin e Statistikave Zyrtare, duke zbatuar klasifikimet dhe përkufizimet sipas rregulloreve përkatëse të BE-së. Informacioni mblidhet në terren nga specialistët e ekstensionit në të gjithë vendin.

Këta specialistë mbledhin të dhëna drejtpërdrejt nga fermerët. Të dhënat blegtorale grumbullohen për numrin e kafshëve që mbarështojnë fermerët si dhe prodhimet blegtorale.

Specialistët e ekstensionit grumbullojnë të dhëna për ti krahasuar dhe me të dhënat e shërbimit veterinar i cili kryen matrikullimin dhe vaksinimin e kafshëve (procesi është në vazhdimësi).

S'KA KOMENTE