Çmimet e energjisë, OSHEE miraton paketat 

Çmimet e energjisë, OSHEE miraton paketat 

202
SHPËRNDAJE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka miratuar tarifat për bizneset që kanë dalë në treg të lirë energjie dhe që zgjedhin si furnizues Furnizuesin e Tregut të Lirë, që është një nga kompanitë e OSHEE Group.  Administratori i përgjithshëm, Enea Karakaçi bën me dije për TV SCAN paketat e miratuara, si për tensionin 35 KV, ashtu edhe për bizneset e lidhur në nivelin e tensionit 20 KV.

“Për nivelin e tensionit 20 KV, iu kemi ofruar një çmim 1 – vjeçar fiks, 18.3 lekë/kWh. Është i njëjti çmim, me të cilin ata janë furnizuar përgjatë vitit 2022 dhe 2023. Pra, nuk e rëndojmë pozitën e tyre financiare. Po ashtu, iu ofrojmë klientëve të lidhur në nivel tensioni 35 KV, të njëjtën ofertë: Një kontratë 1 – vjeçare, me çmim 15.9 lekë /kWh. Ky çmim është pak më i ulët sepse tarifa e shpërndarjes, e klientëve të lidhur në tensionit 35 KV është më e vogël”, – thotë Karakaçi.

Ndërkaq, nga janari i këtij viti, kur rreth 2100 biznese u njoftuan se nuk do të furnizoheshin më nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, sipas Karakaçit, 99% e tyre nuk kanë zgjedhur furnizues alternativ.

“Situata është dinamike. Normalisht, klientët kanë të drejtë që të zgjedhin furnizues lirisht, kanë të drejtë që të marrin oferta dhe muaj pas muaji të hyjnë apo të dalin nga furnizues të ndryshëm. Ajo çfarë ne konstatojmë gjatë kësaj periudhe është   që 99% e klientëve vazhdojnë të rrinë akoma pranë FTL. Ky është normalisht një fakt shumë domethënës për ne sepse tregon që ne vazhdojmë të kemi oferta konkurruese në treg. Në fund të ditës jemi kompania më e konsoliduar në treg përsa i përket tregtimit dhe furnizimit me energji elektrike”, – bën me dije administratori i OSHEE Group.

Aktualisht, janë 26 subjekte të licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë, që ofrojnë shërbimin e furnizimit me energji elektrike për bizneset që janë në tregun e liberalizuar të energjisë.

/SCAN

S'KA KOMENTE