Goditja nga euro, tkurrje më e lartë ne eksporte edhe se në...

Goditja nga euro, tkurrje më e lartë ne eksporte edhe se në vitin pandemik

63
SHPËRNDAJE

Në vitin 2023, eksportet arritën në 440 miliardë lekë, sipas të dhënave të INSTAT.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, vlera e mallrave të shitura jashtë vendit shënoi një tkurrje prej 9.5%, teksa në dy vitet e mëparshme (2021 dhe 2022) eksportet ishin zgjeruar me ritme dy shifrore.

Rënia në 2023 është madje më e lartë edhe se në vitin 2020, kur prodhimi dhe shitjet u bllokuan për shumë muaj për shkak të pandemisë dhe eksportet ranë me rreth 9% me bazë vjetore atë vit, nga 9.5% që u tkurrën në 2023.

Zhvlerësimi i euros vlerësohet një nga faktorët që i ka dhënë goditjen më të madhe eksportuesve, krahas shtimit të kostove dhe konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare. Euro u kwmbye mesatarisht me 108.7 lekw nw 2023, duke zbritur nw verw afwr 100 lekwve, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022.

Të gjitha grupet, me përjashtim të “ushqimeve, pije e duhan” shënuan tkurrje në 2023. Rënia më e fortë ishte për Minerale, lëndë djegëse, energji (-12.5%) dhe “Mat, Ndërtimi, metale” (-21%), që janë dy sektorë të varur nga konjuktura e tregjeve ndërkombëtare. Në rënie ishte dhe industria e tekstile e këpucë me 6.6%, makineri e pajisje me 1.6%, ndërsa ushqimet pije e duhani u rritën me 7.6%, si rrjedhojë e ecurinë së mirë në pjesën e parë të 2023-t, ndërsa muajt e fundit edhe ky grup ishte në rënie.

Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,8 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,8 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Ushqime, pije, duhan” me +0,8 pikë përqindje.

Që nga marsi, eksportet nuk po arrijnë ta marrin veten, duke shënuar ecurinë më të keqe që nga periudha e pandemisë. Në janar, shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore, ndërsa në shkurt u zgjeruan me vetëm 2.8%. Rënia nisi në mars, me 11.7%, u thellua në prill me 19.3% dhe vijoi tendencën negative në maj me -11.7%. Në qershor tkurrja u thellua sërish në 17.3%, për tu ngadalësuar në korrik në -4%, duke kërcyer në gusht me -21.9% për të vijuar në shtator me -12.8%. Në tetor, tkurrja u ngadalësua në 4.3% dhe nëntor u thellua me 21,8%.

Në dhjetor 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u ulur me -6,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më par Efektin më negativ në rënien e nëntorit e ka shënuar industria tekstile dhe e këpucëve. Rënie e dhjetorit u ngadalësua si rrjedhojë e ecurisë pozitive të grupit materiale ndërtimi e metale, që pothuajse dyfishoi shitjet në muajin e fundit të vitit.

Sipas INSAT, gjatë muajit Dhjetor 2023, në uljen e eksporteve prej -6,6%, kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -10,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,1 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -1,8 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +11,3 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0,9 pikë përqindje.

Fasoni, shtohen falimentimet 

Industria e tekstileve e këpucëve, që punon me material porositësi (fason) dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend (kryesisht shtresave me të ardhura të ulëta), kaloi një situatë të vështirë në 2023, e ndikuar nga rritja e kostove (kryesisht të punës) dhe sidomos rënies së euros.

Në 2023-n, ky sektor realizoi shitje prej 126 miliardë lekësh, me rënie prej 6.6% me bazë vjetore. Tendenca rënëse vijoi dhe në dhjetor, me -15.4%.

Sektori ka humbur konkurrueshmërinë, si rrjedhojë e rritjes së kostove dhe rënies së euros. Shoqata e Eksportuesve njofton përditë mbylljen e kompanive dhe shkurtimin e punonjësve, teksa shumë partnerë po i zhvendosin porositë në vende me kosto më të lira prodhimi, si Tunizi, Marok e Egjipt.

Eksportuesit janë ankuar vazhdimisht te Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave për pasojat që po jep në aktivitetin e tyre zhvlerësimi i fortë i euros, që aktualisht këmbehet me rreth 104-105 lekë, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022.

Tekstilet dhe këpucët janë grupi më i madh eksportues në vend, me rreth 29% të totalit.

S'KA KOMENTE