Bien të ardhurat nga eksportet e naftës dhe mineraleve

Bien të ardhurat nga eksportet e naftës dhe mineraleve

87
SHPËRNDAJE

Buxheti i shtetit ka arkëtuar 1.5 mld lekë nga taksa e rentës minerare në eksport në gjysmën e parë të vitit, duke shënuar rënie, në raport me të njëtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në raport me janar-qershorin e vitit 2022, të ardhurat nga renta minerare ranë me 34%, duke bërë që në buxhet të mblidhen 785 mln lekë më pak se 6-mujori i parë i vitit të kaluar.

Të ardhurat kanë pësuar rënie edhe me parashikimet e qeverisë, duke qenë se përbëjnë realizim në masën 63.2% kundrejt planit apo thënë ndryshe 36.8% më pak. Kjo ulje e të ardhurave duket se reflekton uljen e çmimit të naftës, në tregjet ndërkombëtare.

Kjo pasi, kompanitë paguajnë në shtet rentën minerare, që përllogaritet mbi vlerën e tatueshme të të ardhurave nga aktiviteti i nxjerrjes. Për kromin, bakrin dhe hekur-nikelin, ajo është në masën 6%, ndërsa për mineralet e tjerë varion nga 4%-10%.

Ndërkohë që, sa i takon hidrokarbureve, renta minerare llogaritet duke aplikuar një normë prej 10 për qind të vlerës së tregut të hidrokarbureve (naftë dhe gaz) të nxjerra në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Të dhënat e fundit të disponueshme, nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, që i përkasin vitit 2019, tregojnë se nga vendi ynë u eksportua rreth 631 mijë ton naftë, ndërkohë që prodhimi në këtë vit ishte mbi 1 mln ton. Sasia më e madhe e naftës është eksportuar në vitet 2013 dhe 2014, duke arritur në mbi 1 mln ton në vit.

/ SCAN

S'KA KOMENTE