Ballina Shqiperia ime Zjarri ne Gramsh – Helikopterët nisin evakuimin ajror të të plagosurve drejt...

Zjarri ne Gramsh – Helikopterët nisin evakuimin ajror të të plagosurve drejt Tiranës

Gramshi po përjeton ditët më të vështira të historisë së tij, pasi zjarret masive që kanë përfshirë dhjetëra fshatra kanë shkaktuar viktima, të plagosur dhe dëme të mëdha materiale.

Prej mbrëmjes së sotme ka nisur transportimi me helikopter i personave të lënduar drejt Spitalit të Djegieve në Tiranë. Helikopterët e emergjencave civile, të dislokuar në stadiumin “Myslim Koçi” të qytetit, po përdoren për evakuimin urgjent të të plagosurve ose atyre në gjendje të rëndë shëndetësore.

Stadiumi është shndërruar në një qendër emergjence ku mjekët ofrojnë trajtim të menjëhershëm, para se pacientët të transportohen ajrorisht.

Zjarret kanë përfshirë fshatra si Kullollas, Bletëz, Menkollar, Shimër, Skënderbegas dhe Bulçar, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuime masive. Situata në terren është e rënduar nga terreni i pyllëzuar, era e fortë dhe temperaturat e larta që favorizojnë përhapjen e flakëve.

Autoritetet shtetërore u bëjnë thirrje banorëve për bashkëpunim dhe ruajtje të qetësisë, ndërsa operacionet e shpëtimit vijojnë pa ndërprerje për të shpëtuar jetë dhe për të minimizuar pasojat e kësaj katastrofe natyrore.