Ballina Shqiperia ime Zjarret kërcënojnë rrjetin energjetik, stakohet linja 35 kV për arsye sigurie

Zjarret kërcënojnë rrjetin energjetik, stakohet linja 35 kV për arsye sigurie

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar lidhur me ndikimin e situatës së zjarreve në sistemin energjetik të vendit. Ajo bëri me dije se për arsye sigurie, janë ndërmarrë masa të menjëhershme për të shkëputur nga rrjeti disa nënstacione dhe linja transmetimi që ndodhen në afërsi të vatrave aktive të zjarrit.

Rasti më i fundit është regjistruar në zonën e Bulqizës, ku flakët i janë afruar linjës 35 kV Bulqizë – Krastë. Për të shmangur çdo rrezik të mundshëm, kjo linjë është stakuar, duke lënë pa energji elektrike nënstacionet Krastë, Batër si dhe hidrocentralet e zonës përreth.

“Dëmet në sistemin energjetik si pasojë e zjarreve janë të konsiderueshme, por ende të përballueshme nga operatorët, duke garantuar vijimësinë e shërbimit për qytetarët”, tha ministrja Balluku.

Ajo theksoi se prioritet mbetet sigurimi i jetës dhe infrastrukturës, ndërsa autoritetet po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë në zonat e prekura.