Zjarr masiv në Pojan, flakët dhe tymi i dendur alarmojnë zonën pranë Apolonisë

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e kësaj të hëne kodrat e Pojanit në Fier, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi dhe duke ngritur alarmin për përhapjen e flakëve drejt zonave përreth.

Sipas informacioneve paraprake, era e fortë po favorizon avancimin e zjarrit, ndërsa situata konsiderohet shqetësuese për shkak të afërsisë me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, një nga sitet më të rëndësishme historike në vend.

Nga zona shihet qartë një re e madhe tymi që është ngritur mbi kodra dhe po përhapet në një hapësirë të gjerë, duke e bërë zjarrit të dukshëm edhe nga distanca të largëta.

Rreziku për përhapjen e mëtejshme të flakëve mbetet i lartë për shkak të kushteve atmosferike dhe erës, ndërsa në terren pritet dhe po organizohet ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për izolimin dhe vënien nën kontroll të vatrës së zjarrit.