Situata në Borsh vijon të jetë tejet alarmante, teksa zjarri që ka përfshirë zonën është jashtë kontrollit. Flakët po përhapen me shpejtësi, duke kërcënuar banesa, biznese dhe sipërfaqe të gjelbra.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri me dije se për shkak të rrezikut, janë evakuuar 40 persona nga banesat e tyre. Ai konfirmoi se në operacion janë përfshirë dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët kanë nisur ndërhyrjen nga ajri që në orët e para të mëngjesit për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit.
Ndërkohë, zjarrfikësit ndodhen në terren dhe po përballen me kushte të vështira për shkak të terrenit të thepisur dhe temperaturave të larta. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke e bërë më të vështirë kontrollin e situatës.