Ballina Shqiperia ime Zbardhen detaje nga dosja ndaj Erion Veliajt: Efektivi i burgjeve i dha...

Zbardhen detaje nga dosja ndaj Erion Veliajt: Efektivi i burgjeve i dha telefonin për të telefonuar familjarët gjatë shoqërimit

Janë zbardhur detaje të reja nga dosja hetimore ndaj Erion Veliajt, ku një dëshmi e pazakontë vjen nga një efektiv i shërbimit të burgjeve. Fatjon Baci, punonjës i transportit të të paraburgosurve, ka pohuar përpara hetuesve të SPAK se i ka dorëzuar telefonin e tij personal Veliajt gjatë rrugës nga paraburgimi i Durrësit në drejtim të Tiranës.

Sipas dëshmisë, Veliaj ka përdorur telefonin për të kryer dy telefonata me familjarët e tij – një herë përpara se të niste seanca gjyqësore dhe një tjetër pas përfundimit të saj.

“Në furgon, para se të mbërrinim në Tiranë, më kërkoi të telefononte vëllain se ndihej keq. Ia dhashë telefonin dhe ai komunikoi vetë me numrin,” ka deklaruar efektivi. “Më pas, përsëri pas gjyqit, para se të kalonim shinat pranë SPAK-ut, më kërkoi sërish telefonin. Edhe atëherë ja dhashë nga frika.”

Në dosje citohet se gjatë bisedës, Veliaj i ka komunikuar vëllait të tij për ecurinë e seancës dhe vlerësimet e avokatëve për paraqitjen e tij në sallë, duke i quajtur “10 me yll”. Ai ka shtuar gjithashtu se “e kanë me mua personale”.

Fatjon Baci ka pohuar se nuk ka mundur të dëgjojë të gjitha bisedat për shkak të zhurmës së trafikut, por vendimi për t’ia dhënë telefonin, sipas tij, u diktua nga “presioni dhe respekti ndaj figurës publike të të arrestuarit”.

Ky incident shënon një tjetër zhvillim në hetimet e nisura ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet nën hetim për disa akuza të rënda, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave. SPAK vijon hetimet mbi rrjedhjen e informacionit dhe mundësinë e favorizimeve gjatë qëndrimit të Veliajt në paraburgim.