Ballina Aktualitet Vuçiç pas dështimit të Serbisë: Më e rëndësishme se futbolli janë…zgjedhjet

Vuçiç pas dështimit të Serbisë: Më e rëndësishme se futbolli janë…zgjedhjet

Pas humbjes me Shqipërinë, Vuçiç e lidh ndeshjen me zgjedhjet në Kosovë

Presidenti serb: “Do të doja që sonte të kishte një festë më të rëndësishme në komunitetet serbe”

Serbia pësoi disfatë 0-1 ndaj Shqipërisë, rezultat që e largon përfundimisht nga objektivi për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror.

Pas ndeshjes, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është pyetur nga gazetarët për humbjen e ekipit kombëtar, por ai zgjodhi që t’i referohej zgjedhjeve lokale që po mbahen në Kosovë këtë të dielë.

“Kudo, deri në orën 10, pjesëmarrja ishte më e lartë në zonat serbe sesa në ato shqiptare. Shpresoj që Lista Serbe të fitojë dhe të arrijë të marrë sërish një pjesë të qeverisjes në duart e veta,” – u shpreh Vuçiç.

Presidenti serb shtoi se do të kishte dashur që mbrëmjen e sotme të kishte një festë më të rëndësishme në komunitetet serbe të Kosovës dhe Metohisë, duke iu referuar zgjedhjeve, e jo humbjes në fushën e futbollit.

“Ashtu siç u gëzuan mbrëmë me flamurin shqiptar, do të doja që sonte njerëzit në komunitetet serbe të gëzohen për diçka më të rëndësishme sesa shkelmimi i topit,” – deklaroi Vuçiç.