Zbardhen detaje të reja nga ngjarja tragjike që tronditi Fierin dhe mbarë opinionin publik. Një 26-vjeçare, Emanilda Rama, vrau me tel babanë e saj, 56-vjeçarin Anesti Rama, në banesën familjare në Frashër.
Sipas informacioneve nga grupi hetimor, vajza ishte kthyer në shtëpinë e prindërve pas ndarjes nga partneri me të cilin ishte e fejuar. Shkaku i ndarjes, sipas dëshmisë së saj, ishte gjendja e rëndë ekonomike dhe pamundësia për të vazhduar jetesën bashkë. Pas kthimit, ajo jetonte me prindërit dhe punonte në bujqësi.
Pas disa orëve në komisariat, Emanilda Rama ka pranuar autorësinë e krimit. Në dëshminë e saj, ajo ka treguar se e ka mbytur babanë me një tel, duke i marrë jetën në mënyrë të ftohtë. Sipas saj, shkaku kryesor ka qenë presioni i vazhdueshëm që ndjente nga i ati, i cili e kontrollonte në çdo aspekt të jetës.
“Babai më kontrollonte çdo ditë. Nuk më linte të vishem si dua, nuk më linte të dilja, as të argëtohesha si vajzat e tjera. Më trajtonte me shumë fanatizëm,” – ka deklaruar e reja. Ajo theksoi se nuk ka qenë objekt i dhunës fizike, por trysnia psikologjike ishte e madhe dhe e pandërprerë.
Krimi është kryer me gjakftohtësi, ndërkohë që mësohet se vajza ka qëndruar për disa orë në banesë përpara se të dorëzohej. Vetëm pas publikimeve në media, familjarët e tjerë janë informuar për ngjarjen.
Ngjarja ka shkaktuar një tronditje të thellë në komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për të hedhur dritë mbi rrethanat e plota të krimit. Prokuroria pritet të kërkojë masën e sigurisë për 26-vjeçaren në ditët në vijim