Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Enedio Gurin, 14-vjeçarin që vrau me thikë në zemër bashkëmoshatarin e tij, Erald Xhejo. Para trupit gjykues, i mituri shfaqi pendesë për ngjarjen tragjike, e cila ka tronditur opinionin publik.
Avokati i tij, Ledian Spaho, deklaroi për mediat se Enedio Guri ka shprehur keqardhje të thellë për veprën, duke theksuar se nuk kishte dashur që veprimet e tij të sillnin një pasojë të tillë.
Burime nga salla e gjyqit thanë se autori i dyshuar ka qenë i përlotur gjatë seancës, duke u shprehur:
“Nuk kam dashur të bëj vrasje. Ishte grindje e momentit. Jam shumë i penduar. Ngushëllime për familjen.”
Ngushëllime ka shprehur gjithashtu edhe babai i tij, Edison Guri, i cili po ashtu u la në burg nga gjykata për përfshirjen e tij pas ngjarjes.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa familja e viktimës kërkon drejtësi për humbjen e parakohshme të djalit të tyre.