Vlorë persëri pa ujë! Ujësjellësi njofton ndërprerje

Qyteti bregdetar i Vlorës do të përballet sërish me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, këtë herë për shkak të punimeve të planifikuara në rrjetin e ujësjellësit.

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë ka njoftuar se ditën e martë, më 24 shkurt, do të kryhet stakimi i detyruar i stacionit kryesor, në kuadër të zbatimit të projektit të ri të ujësjellësit për qytetin. Ndërhyrja lidhet me punimet për bashkimin e nyjeve të rrjetit të ri me atë ekzistues.

Si pasojë e këtyre punimeve, do të ndërpritet furnizimi me ujë në zonat: Uji i Ftohtë, Lungomare, 10 Korriku, Kalaja dhe Jonufra. Ndërkohë, pjesa tjetër e qytetit do të ketë mungesë uji vetëm gjatë orëve të pasdites, ndërsa gjatë mëngjesit shpërndarja do të vijojë normalisht.

Sipas njoftimit zyrtar, furnizimi me ujë pritet të rikthehet në normalitet mëngjesin e së mërkurës, pas përfundimit të punimeve.