Ballina Shqiperia ime Vlorë: Ish-shefi i “Rrugores” dhunon kamerierin, pronari i lokalit e rreh dhe...

Vlorë: Ish-shefi i “Rrugores” dhunon kamerierin, pronari i lokalit e rreh dhe e çon në spital

Skandal në Vlorë: Ish-shefi i “Rrugores” dhunon kamerierin, pronari i lokalit e rreh dhe e çon në spital

Një incident i rëndë ka ndodhur në një lokal në lagjen “Pavarësia 2” të Vlorës, ku ish-shefi i qarkullimit rrugor në këtë qytet, aktualisht oficer i Policisë Kufitare në Dibër, Ardian Isufi, është përfshirë në një përplasje fizike me një 18-vjeçar, kamerier në lokal. Ngjarja ndodhi jashtë orarit të shërbimit, dhe si pasojë, Isufi është pezulluar menjëherë nga detyra.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë, gjithçka nisi për një konflikt banal: porosia që u shërbye kishte një shishe ujë më shumë se ç’ishte kërkuar. Isufi dhe një person me precedent penalë, L. B., 57 vjeç, kanë goditur kamerierin e ri, A. B.

Por situata mori përmasa të tjera kur pronari i lokalit, V. B., 53 vjeç, ndërhyri për të mbrojtur punonjësin e tij dhe sulmoi fizikisht vetë oficerin e policisë, duke e lënë këtë të fundit të plagosur dhe të shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Policia ka nisur menjëherë një procedurë disiplinore të rëndë ndaj Nënkomisar Ardian Isufi, bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi sjellja e tij konsiderohet si një akt që dëmton rëndë figurën e policisë dhe besimin e qytetarëve tek institucioni.

Për ngjarjen janë përfshirë në hetim edhe shtetasi E. M. dhe të tjerë persona të pranishëm në përplasjen fizike.

Ndërkohë, Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vijojnë procedurat ligjore për të sqaruar të gjitha rrethanat e konfliktit.

Policia e Shtetit ka reaguar duke dënuar ngjarjen dhe ka ftuar qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo sjelljeje të papërshtatshme nga ana e efektivëve të saj.