Ballina Shqiperia ime VLORË – Arrestohet një nga autorët e dyshuar të vr*sjes së Renato...

VLORË – Arrestohet një nga autorët e dyshuar të vr*sjes së Renato Hoxhajt, finalizohet operacioni “Në gjurmë”

Policia e Vlorës ka arrestuar një nga personat e dyshuar si bashkëautor në vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, ngjarje e ndodhur më 27 prill 2025 në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit.

Operacioni policor, i koduar “Në gjurmë”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Në kuadër të këtij operacioni u vu në pranga shtetasi K. B., alias A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i njohur si pjesëtar i një grupi kriminal dhe me precedentë penalë të mëparshëm për armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Vlorës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për akuzën “Vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 27 prillit, ku viktima, Renato Hoxhaj, 58 vjeç, u qëllua me armë zjarri pranë një qendre shëndetësore, duke humbur jetën në vendngjarje.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.