Vlora sërish pa ujë, shkak punimet në rrjetin e ujësjellësit

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njoftoi këtë të enjte se një pjesë e qytetit do të mbetet pa ujë, pasi do të kryhen punime për rregullimin e një defekti të rëndë të ndodhur në lagjen “10 Korriku”.

Sipas njoftimit zyrtar, një pjesë e qytetit do të jetë pa furnizim me ujë gjatë orëve të pasdites së sotme, dhe normaliteti i furnizimit me ujë për të gjithë qytetin pritet në mëngjesin e ditës së nesërme.

“Grupet tona kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës së kaluar dhe vijojnë ende punën intensive për eliminimin e një defekti të rëndë në lagjen “10 Korriku”.

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët dhe bizneset se, për shkak të kësaj avarie, është kryer stakimi i detyruar i depos kryesore, për të bërë të mundur ndërhyrjen dhe riparimin sa më të shpejtë.

Si pasojë, një pjesë e qytetit do të jetë pa furnizim me ujë gjatë orëve të pasdites së sotme.

Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë me intensitet maksimal për të rikthyer shërbimin në kohën më të shpejtë të mundshme.

Rikthimi në normalitet i furnizimit me ujë për të gjithë qytetin pritet në mëngjesin e ditës së nesërme.

Kërkojmë ndjesë për shqetësimin dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftimin zyrtar.