Vetëm 2 ditë përpara zgjedhjeve, qeveria miratoi një vendim për faljen e gjobave të vendosura nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024.
Kjo falje përfshinte gjobat e vendosura nga Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, IKMT, AKU dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.
VKM doli në zbatim të ligjit nr. 127/2024. Në seksionin për procedurat që do të ndiqeshin nga Policia e Shtetit theksohet se Drejtoritë vendore të policisë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listat e individëve dhe/ose të personave fizikë apo juridikë, ndaj të cilëve, nga struktura e tyre policore është vendosur masë administrative, të cilat rezultojnë të paekzekutuara, plotësisht ose pjesërisht, dhe që janë shfuqizuar me ligjin nr.127/2024.
Listat, së bashku me dokumentet shoqëruese më pas do t’i kalonin për miratim Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kjo e fundit ka kompetencën për miratimin e listës përfundimtare të masave administrative të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024.
VKM ka krijuar konfuzion te qytetarët që e kanë lexuar vendimin sikur do të falen të gjitha gjobat e vendosura nga Policia e Shtetit nga 1 janari 2015 deri në nëntor 2024.
Shumë qytetarë janë drejtuar në drejtoritë vendore për të hequr gjobat e trafikut, bazuar në VKM, sipas së cilës, çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik që pretendon se një masë administrative e vendosur ndaj tij dhe e shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, nuk është hequr/fshirë në sistem, paraqet kërkesë, përkatësisht pranë strukturave përgjegjëse në nivel vendor, për heqjen/fshirjen e masës.
Mirëpo leximi i kujdesshëm i subjekteve përfituese të ligjit 127/2024 shpreh qartë se falja është vetëm për “Individët dhe/ose personat fizikë apo juridikë, të cilët nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës COVID-19, gjatë periudhës së pandemisë.”
Pra, zbatimi i kësaj pike lidhet ngushtësisht me situatën e Covid dhe gjobat e marra nga qytetarët ose bizneset nga policia vetëm si pasojë e shkeljeve dhe daljes së paautorizuar për qarkullim gjatë periudhës së pandemisë.
Në këtë mënyrë, shumë qytetarë duhet të paguajnë gjobat e vendosura ndaj tyre, përndryshe gjobat, të cilat përbëjnë titull ekzekutiv, janë objekt i ekzekutimit përmbarimor.
Rrjedhimisht, tashmë, struktura përgjegjëse, e cila verifikon pretendimet në kërkesë dhe nëse plotësohen kriteret e parashikuara në ligjin nr.127/2024, do të japë më shumë përgjigje negative për qytetarët.
Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë, por edhe kjo nuk vlen për gjobat e thjeshta të trafikut rrugor.