Për të dytën ditë radhazi, administrata gjyqësore e Gjykatës së Fierit po vijon bojkotin në shenjë proteste ndaj ngërçit të krijuar me pagat në sistemin e drejtësisë.
Si pasojë e bojkotit, edhe gjatë ditës së sotme qytetarëve nuk po u ofrohen shërbimet administrative në gjykatë, ndërsa po zhvillohen vetëm seancat me karakter urgjent.
Punonjësit shprehen të indinjuar për situatën e krijuar, duke theksuar se paga është e vetmja e ardhur ekonomike për familjet e tyre. Ata bëjnë me dije se kanë përgatitur edhe një kërkesë për rritje page, pasi sipas tyre ekziston një disproporcion i madh mes pagave të administratës dhe atyre të gjyqtarëve.
Gjithashtu, punonjësit nënvizojnë se Gjykata e Fierit përballet me një fluks të lartë pune, çka sipas tyre e bën edhe më të domosdoshëm rishikimin e trajtimit financiar të administratës gjyqësore.










