Ura e re e Viroit drejt përfundimit, pritet hapja së shpejti

Punimet për ndërtimin e Urës së Re të Viroit janë drejt fazës përfundimtare, ndërsa drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, ka inspektuar nga afër ecurinë e projektit.

E konsideruar si një investim me rëndësi strategjike, vepra përfshin ndërtimin e një ure të re me dy hapësira drite prej 16.50 metrash secila, si dhe ndërtimin e një tombinoje që lidh urën e vjetër në digën e liqenit me lumin Drinos.

Projekti ka përfshirë gjithashtu realizimin e strukturave sipas standardeve të rrugëve të kategorisë C2, si dhe përmirësimin e nyjeve hyrëse dhe dalëse, në një segment të ri rrugor paralel me ekzistuesin në anën e lumit.

Sipas ARRSH-së, përfundimi i kësaj ure do të rikthejë kapacitetin mbajtës të strukturës, do të rrisë sigurinë rrugore dhe do të shmangë ndërprerjet e qarkullimit gjatë përmbytjeve, një problematikë e përsëritur në këtë zonë.