Një ngjarje e rëndë është shënuar më 27 gusht 2025 në fshatin Brod, komuna e Shtërpcës, ku një fëmijë 5-vjeçar është sulmuar nga një ujk. Sipas familjarëve, ujku e ka tërhequr zvarrë vogëlushin disa metra nga oborri i shtëpisë, duke i shkaktuar lëndime në gjoks dhe shpinë.
Fëmija është transportuar menjëherë në Klinikën Emergjente të QKUK-së, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe i janë kryer ekzaminimet fillestare. Aktualisht, ai ndodhet i shtruar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Gjatë trajtimit janë administruar vaksinat e nevojshme, ndërsa një psikolog klinik ka vlerësuar edhe gjendjen emocionale të fëmijës. Për shkak të rrezikut të ndonjë komplikacioni të mundshëm, ai do të qëndrojë disa ditë nën kujdesin e mjekëve.
Mjekët theksojnë se vogëlushi po merr trajtim të plotë dhe mbështetje të vazhdueshme për të rikuperuar sa më shpejt.