“Kam borxhe, ndaj hyra në bankë sepse më duheshin para”. Kjo ka qenë dëshmia e shkurtër e dhënë nga Bardhyl Fusha, 58 vjeç, i cili hyri i armatosur në një bankë të nivelit të dytë në zonën e ish-parkut të autobusëve.
Sipas burimeve, Fusha u arrestua pak minuta pas grabitjes, pasi arriti të marrë rreth 20 milionë lekë të vjetra.
Në dëshminë e tij të parë, ai pranoi se e kishte planifikuar veprimin për shkak të borxheve. Në momentin e ngjarjes, Fusha mbante me vete një çantë sportive, brenda së cilës kishte fshehur një kallashnikov. Sapo hyri në ambientet e bankës, ai qëlloi me armë në dysheme për të frikësuar punonjësit.
Më pas u drejtua drejt një prej arkave, ku mori shumën e parave, por u neutralizua te dera e sigurisë dhe u arrestua nga policia.
Mësohet se Bardhyl Fusha ka qenë sipërmarrës në fushën e ndërtimit.










