Ballina Shqiperia ime Tuneli i Llogarasë, udhëtimi vetëm 7 minuta, pas 15 shtatorit tarifa 10...

Tuneli i Llogarasë, udhëtimi vetëm 7 minuta, pas 15 shtatorit tarifa 10 euro vajtje-ardhje

Pas përfundimit të testimeve dhe hapjes me qarkullim të lirë deri më 15 shtator, Tuneli i Llogarasë do të bëhet segmenti i tretë me pagesë në vend, ku do të aplikohet një tarifë prej 10 euro vajtje-ardhje për automjet.

Tuneli ka një gjatësi prej 5.9 kilometrash, duke e shkurtuar kohën e udhëtimit nga Dukati drejt Palasës në vetëm 7 minuta, nga 45 që nevojiteshin më parë përmes Qafës së Llogarasë. Projekti përfshin dy tunele paralele: njëri për qarkullimin normal, tjetri për emergjenca, me parashikimin që në rast rritjeje të fluksit turistik të vihet në përdorim edhe si aks rrugor shtesë.

Menaxhimi i vetëpagesave dhe mirëmbajtja e veprës publike do të bëhet nga Enti Kombëtar i Operimit Rrugor (EKOR), një shoqëri aksionere me kapital shtetëror nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ky institucion do të kujdeset për operimin, funksionimin e portave automatike, sistemin e tarifimit, shpërndarjen e biletave dhe ofrimin e aboneve mujore për përdoruesit e rregullt.

Me këtë projekt, Shqipëria zgjeron rrjetin e saj të akseve me pagesë, ku aktualisht përfshihen Milot–Morinë, Thumanë–Kashar dhe tashmë Dukat–Palasë (Tuneli i Llogarasë).