Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar dy nëndetëse bërthamore të zhvendosen në rajone afër Rusisë, në përgjigje të kërcënimeve nga ish-presidenti i vendit, Dmitry Medvedev.
“Kam urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e duhura, në rast se këto deklarata budallaqe dhe nxitëse janë më shumë se kaq”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Bëhet e ditur se vendosja e armëve vjen pasi Medvedev, i cili aktualisht shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, e paralajmëroi Trumpin të kujtonte se Moska kishte kapacitete për sulme bërthamore të epokës sovjetike, shkruan euronews.
“Bazuar në deklaratat tejet provokuese të ish-presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili tani është zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, kam urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e duhura, në rast se këto deklarata budallaqe dhe nxitëse janë më shumë se kaq.
“Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara, shpresoj se ky nuk do të jetë një nga këto raste. “Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shkroi Trump

Presidenti amerikan nuk specifikoi vendet eksakte të vendosjes së nënmarinave, por theksoi se kjo është një masë paraprake për të shmangur çdo eskalim të mundshëm në rast deklaratash të forta apo kërcënuese.
Kujtojmë se të enjten Trump reagoi në platformën Truth Social pas deklaratave të Medvedevit mbi tarifat dhe një përplasje të mundshme mes SHBA-së dhe Rusisë.