Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të marte në Tropojë, ku një punonjës i Bashkisë ka humbur jetën, ndërsa tre kolegë të tij kanë mbetur të plagosur pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike gjatë kryerjes së punimeve për ndriçimin publik.
Sipas Policisë, rreth orës 10:00 është marrë njoftimi se në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, katër punonjës të Bashkisë Tropojë, të angazhuar në shpërndarjen dhe vendosjen e shtyllave të ndriçimit, janë goditur nga energjia elektrike.
Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë vendosjes së një shtylle në bazament, për shkak të peshës së saj, punonjësit kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e energjisë elektrike. Kontakti me linjën elektrike ka bërë që rryma të përcillet te katër punonjësit.
Si pasojë e incidentit, ka humbur jetën shtetasi M.S., 59 vjeç, ndërsa A.D., 40 vjeç, I.D., 47 vjeç dhe A.A., 21 vjeç, janë transportuar në Spitalin e Bajram Currit, ku po marrin ndihmën mjekësore.
Sipas Policisë, punonjësit po kryenin transportin dhe shpërndarjen e shtyllave në zbatim të planit të punës të miratuar nga Bashkia Tropojë, përmes Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit.
Grupi hetimor vijon veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e kësaj ngjarjeje tragjike.










