Qeveria e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis është përfshirë nga një valë dorëheqjesh, pas zhvillimeve të fundit që lidhen me një skandal të dyshuar mbi fondet bujqësore.
Tre anëtarë të kabinetit kanë paraqitur dorëheqjen:
- Ministri i Mbrojtjes Civile, Yiannis Kefalogiannis
- Ministri i Zhvillimit Rural, Kostas Tsiaras
- Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dimitris Vartzopoulos
Sipas burimeve, një riorganizim i kabinetit pritet të realizohet gjatë ditës së sotme, ndërsa betimi i anëtarëve të rinj të qeverisë është planifikuar për nesër. Gjithashtu, pritet që edhe Kostas Skrekas të japë dorëheqjen nga posti i sekretarit të partisë Demokracia e Re.
Hetimi në fjalë lidhet me ngjarje të vitit 2021 dhe përfshin vepra penale si nxitje për shpërdorim detyre, mashtrim kompjuterik dhe falsifikim dokumentesh, me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve.
Prokuroria Europiane ka dërguar në Parlamentin grek një dosje të gjerë mbi këtë çështje, e cila dyshohet të përfshijë një rrjet të organizuar mashtrimi me fondet bujqësore, duke goditur rëndë imazhin e qeverisë Mitsotakis.










