Ballina Shqiperia ime “Trenat elektrikë vijnë në 2027-ën” – Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, nis ndërtimi i stacioneve

“Trenat elektrikë vijnë në 2027-ën” – Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, nis ndërtimi i stacioneve

Ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës – Rinas përfundon vitin e ardhshëm, ndërkohë që elektrifikimi dhe mbërritja e trenave për nisjen e operimeve synohet të përmbyllet në 3 – mujorin e parë 2027”. Gjithçka u bë me dije gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e stacioneve të kësaj linje hekurudhore, nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe kreu i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho.

“Ne përgatitemi që ta dorëzojmë si vepër, përsa i përket gjurmës hekurudhore brenda 3-mujorit të parë të 2026-ës”, – tha Balluku.

 “Jemi në prag të çeljes së kredisë nga BERZH-i dhe të grantit nga Komisioni Europian për ndërtimin e komponentit të fundit, që është elektrifikimi. Themi ta aksesojmë këtë në 3-mujorin e fundit të këtij viti, t’i nënshkruajmë marrëveshjet, të bëjmë të gjithë hapat e mundshme, që tenderi për këtë procedurë të ecë në kohë për dorëzim e saj, ku dhe trenat do vijnë dhe 3-mujori i parë i 2027-ës do jetë dallëndyshja e parë siç thamë, e trenave”, – tha Verdho.

Balluku u ndal edhe te projektet që synohet të nisin vitin e ardhshëm, me financim të brendshëm.

“Gjatë vitit 2026 do të kemi mundësi që t’i japim jetë edhe projekteve të reja të cilat nuk janë të bazuara në fondet e WBIF apo në fondet e Komisonit Europian, pasi tashmë Hekurudha Shqiptare do të mbajë një peshë zhvilluese të projekteve gjithashtu. Këtu veçojmë hekurudhën, e cila është hekurudha e Kombit, ajo që është shumë e rëndësishme, pra hekurudha midis Kosovës dhe Shqipërisë. Duhet thënë që ne do të fillojmë menjëherë ndërtimin edhe të hekurudhës për aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, pra ajo që lidh Vlorën me VIA-n, pra me aeroportin, por nga ana tjetër do të rivitalizojmë edhe segmentin nga Rrogozhina në drejtim të Fierit dhe nga Fieri në VIA”, – tha Balluku.

Hekurudha Tiranë – Durrës – Rinas do të ketë 7 stacione, që janë: Stacioni i Trenit Tiranë, Kashari, Vora, Sukthi, Shkozeti, Durrësi, universiteti “Epoka” dhe Rinasi. Ndërkaq, sipas Ballukut, një nga prioritetet duhet të jetë ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, që do të nevojiten për menaxhimin e sektorit në vitet në vijim.