Trasferohet drejt burgut të Fierit ,ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është transferuar drejt burgut të Fierit, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia.

Më 25 mars të këtij viti, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për dënimin e tij, lidhur me çështjen e tjetërsimit të një prone në zonën e Livadhës.

Më herët, më 30 korrik 2025, Goro u dënua me 2 vite burg për veprën penale “shpërdorim detyre”, të kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 1 vit e 4 muaj heqje lirie, vendim të cilin ai e apeloi, por që u la në fuqi nga Apeli.

Po ashtu, ndaj tij është vendosur edhe masa plotësuese e ndalimit për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Procedimi penal ndaj Goros nisi pas kallëzimit të bërë nga Fredi Beleri, i cili pretendon se në vitin 2016, Goro i ka dhënë në mënyrë të paligjshme 4263 metra katrorë tokë pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollano.