Trafiku në Fier, problem i përditshëm në kulmin e verës
Në këtë periudhë gushti, qyteti i Fierit përballet çdo ditë me trafik të rënduar, duke e kthyer qarkullimin e automjeteve në një nga problemet më kritike për qytetarët. Vështirësitë nuk shfaqen vetëm në akset hyrëse që e lidhin Fierin me juglindjen e vendit, por edhe në rrugët e brendshme të qytetit.
Akset më problematike nisin që nga hyrja e automjeteve në Fier, përgjatë autostradës Lushnjë–Fier. Trafiku më pas vijon në gjithë unazën lindore të qytetit, që shpërndahet në dy drejtime kryesore: në lindje, drejt Patosit dhe Beratit, si dhe në jug, drejt Vlorës dhe Tepelenës.
Situata është e rënduar edhe brenda qytetit, ku rritja e numrit të mjeteve, parkimi i gabuar dhe pakujdesia e këmbësorëve e bëjnë qarkullimin gjithnjë e më kaotik. Shpesh, kalimtarët nuk përdorin vendkalimet e përcaktuara, ndërsa sinjalistika rrugore është e pakët dhe jo funksionale. Aktualisht në qytet funksionon vetëm një semafor, i vendosur në qendër.
Përveç faktit që Fieri është një qytet tranzit, ku kalojnë çdo ditë mijëra mjete për në lindje dhe jug të vendit, mungesa e infrastrukturës moderne dhe e masave rregulluese e kthen situatën e trafikut në një problem serioz, që sipas ekspertëve ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme.