Tirana renditet mes qyteteve europiane me trafik të dendur sipas indeksit të Numbeo-s, duke reflektuar motorizimin e lartë, rritjen e popullsisë dhe ngarkesën e qarkullimit në kryeqytet.Tirana në vendin e 49-të në Europë, me 39 minuta pritje në trafik
Trafiku mbetet një nga sfidat kryesore urbane, sidomos në qytetet me popullsi të dendur, numër të lartë turistësh dhe aktivitet intensiv ekonomik. Sipas Indeksit të Trafikut të Numbeo-s, që mat kohën e udhëtimit, pakënaqësinë me lëvizjen, emetimet e CO₂ dhe efikasitetin e qarkullimit, Tirana pozicionohet në vendin e 49-të ndër 129 qytete të Europës.
Kryeqyteti shqiptar regjistron 123 pikë në indeks dhe rreth 39 minuta kohë pritjeje për lëvizje brenda qytetit, duke e renditur mes zonave me trafik të konsiderueshëm. Ky nivel lidhet ngushtë me rritjen e shpejtë të popullsisë, shtimin e fortë të automjeteve dhe ritmet e larta të urbanizimit.
Krahasimi me rajonin: Tirana e dyta pas Beogradit
Ndër vendet e rajonit, trafiku më i rënduar regjistrohet në Beograd, që kryeson me 136.9 pikë, ndonëse koha mesatare e pritjes është 37 minuta. Tirana vjen e dyta, ndërsa situata shfaqet më e lehtë në qytetet e tjera të Ballkanit.
Shkupi dhe Sarajeva shënojnë indekse dukshëm më të ulëta, përkatësisht 97.2 dhe 94.7 pikë, me rreth 30 minuta pritje në trafik. Të dhënat tregojnë se kryeqyteti shqiptar përballet me ngarkesë shumë më të lartë se mesatarja rajonale.
Cilat qytete europiane kanë trafikun më të rënduar?
Sipas indeksit, qytetet me trafikun më problematik në Europë janë Krasnodar dhe Moska në Rusi, që kryesojnë për nivelin e lartë të vonesave dhe mbingarkesës. Pas tyre renditen qytete si Napoli dhe disa qendra urbane në Rumani, që gjithashtu përballen me problematika të theksuara të qarkullimit. Londra renditet në 10-shen e parë, duke reflektuar sfidat e një metropoli me dendësi të lartë dhe fluks shumë të madh lëvizjesh.
Vendet me trafikun më të lehtë në Europë
Në krahun tjetër të renditjes qëndrojnë qytete me sisteme më efikase të qarkullimit, si Viena, Banja Luka, Spliti dhe Tartu në Estoni. Këto qendra shquhen për menaxhim më të mirë të trafikut dhe infrastrukturë të adaptuar për flukse më të moderuara automjetesh.
Scan











