Reflexion nga Marsela Topi ( Gazetare )
Ndoshta është një rast i përsëritur kur forca politike që të vesh me pushtet e keqpërdor atë, duke mos njohur më fuqinë që e ka marrë nga vetë qytetarët. Pas Vlorës me ish-kryebashkiakun Dritan Leli, një situatë e ngjashme po shfaqet në Fier, Durrës, Elbasan etj. Per ilustrim le ti referohemi Fierit të cilin e njoh në detaje per shkak të profilit të punës time.
Duke përfituar nga pezullimi nga detyra i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në Fier ka nisur një valë reagimesh dhe sulmesh në rrjetet sociale, që kundërshtojnë hapur strategjinë e kryeministrit Edi Rama për ristrukturimin e drejtimit të punës dhe shërbimeve në aparatin e bashkisë. Lëkundja e pozitave të Ballukut dhe vëmendja e madhe publike ndaj kësaj çështjeje, për shkak të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kanë ringjallur ambicie të vjetra për pushtet lokal.
Në Fier po përpiqen të rikthehen skema të njohura, ku disa individë kërkojnë të vendosin sërish se kush emërohet, kush largohet dhe kush kontrollon institucionet, jo vetëm në bashki, por në të gjithë administratën publike.
Për të ringjallur shpresë tek mbështetësit e tyre dhe për të mbjellë përçarje, njerëz pa integritet dhe pa autoritet moral janë hedhur në sulm në rrjetet sociale, duke përdorur një tezë të rrezikshme: se Fier nuk drejtohet nga fierakë, por nga “të ardhur nga rrethet e tjera”.
Kjo propagandë, e verbuar nga urrejtja anti-PS, nuk kupton se tronditja e strukturave dhe nxitja e ndasive dëmton në radhë të parë vetë Partinë Socialiste, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore, kur në krye të Bashkisë Fier pritet të jetë një emër i ri, ose dhe aktuali Subashi ( kjo varet nga “konjuktura” e brendshme politike e PS-se)
Më kryesorja është se ky argument nuk qëndron. Faktet flasin ndryshe. Ja lista e drejtuesve aktualë në institucionet kryesore të Fierit:
• Drejtoria e Tatimeve – Saimir Zotaj (Fier)
• Drejtoria e Hetimit Tatimor – Xhuljo Rushi (Fier)
• Bordi i Kullimit – Theodor Stefa (Fier)
• Drejtoria e Transportit dhe Automjeteve – Alban Toska (Fier)
• Drejtoria e Spitalit Rajonal – Arben Voja (Fier)
• Zyra e Hipotekës – Everest Gazheli (Lushnje)
• Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore – Andius Olldashi (Fier)
• Fondi i Sigurimit Shëndetësor – Nevila Doko (Fier)
Ndërkohë, Ujësjellësi, OSHEE dhe Albpetrol janë shoqëri aksionare që drejtohen nga borde, dhe drejtuesit e tyre, pas marrjes së detyrës, janë rezidentë në Fier.
Pra, narrativa se institucionet “drejtohen nga të huaj” nuk është veçse një alibi politike për të justifikuar etjen për pushtet dhe për të destabilizuar strukturat në një moment delikat për qytetin dhe për vendin.
Fieri nuk ka nevojë për përçarje, por për stabilitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi. Çdo tentativë për ta kthyer administratën në pronë personale është një hap pas – dhe qytetarët e Fierit e meritojnë më shumë se kaq.










