Tentoi të fusë drogë në burgun e Fierit, procedohet një shtetas

Një sasi e dyshuar lënde narkotike është konstatuar gjatë një kontrolli në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit trupor në ambientet e dhomës së kontrollit, shtetasit Sajmir Përpalaj iu gjet një sasi e dyshuar si lëndë narkotike, e fshehur poshtë pjesëve intime.

Nga verifikimet rezultoi se Përpalaj ishte paraqitur në institucion për të zhvilluar një takim me të dënuarin Aleksandër Mehmetaj, i cili ndodhet në regjimin e sigurisë së zakonshme dhe është i akomoduar në dhomën nr. 10, sektori 5, godina C.

Në vijim të veprimeve procedurale, është hartuar dokumentacioni përkatës dhe është njoftuar Prokuroria, si dhe Specialisti i SHKBB-së, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.

Ndërkohë, në dhomën ku qëndron i dënuari po zhvillohet një kontroll i plotë për sende të ndaluara, në kuadër të masave të sigurisë dhe verifikimeve procedurale.