Tensionet në Lindjen e Mesme tr*nditin tregjet, bie Azia dhe rritet çmimi i naftës

Tregjet aziatike kanë shënuar rënie të ndjeshme, ndërsa investitorët reagojnë ndaj zhvillimeve në sektorin energjetik dhe rritjes së tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

Indeksi japonez Nikkei 225 është vënë nën presion, ndërsa edhe tregjet e tjera kryesore në rajon, si Kospi në Seul, Hang Seng në Hong Kong dhe Shanghai Composite, kanë ndjekur të njëjtin trend negativ. Pasiguria është shtuar edhe nga vendimi i Bankës së Japonisë për të mbajtur normat e interesit të pandryshuara.

Në të njëjtën kohë, çmimet e naftës kanë shënuar rritje të fortë. Nafta Brent është ngjitur në rreth 111 dollarë për fuçi, ndërsa ajo amerikane WTI ka kapërcyer nivelin e 99 dollarëve. Rritja po nxitet nga shqetësimet për furnizimin global, pas sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në Lindjen e Mesme.

Konflikti në rajon është përshkallëzuar me sulme ndaj impianteve të gazit. Katari ka raportuar dëme në objektet e gazit natyror të lëngshëm pas sulmeve me raketa nga Irani, ndërsa më herët Teherani kishte paralajmëruar hakmarrje për goditjen e fushës së gazit në Parsin Jugor, një burim kyç për energjinë e vendit.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbyllur përkohësisht disa impiante gazi pas kërcënimeve me raketa. Ekspertët paralajmërojnë se dëmtimet në objekte strategjike, përfshirë ato në Ras Laffan, mund të shkaktojnë mungesë të qëndrueshme të gazit në tregjet ndërkombëtare.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kritike për furnizimin global me energji, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit që konsumohet në botë.

Azia konsiderohet rajoni më i ekspozuar ndaj kësaj krize, duke qenë se konsumon mbi 80 për qind të energjisë që kalon përmes kësaj ngushtice. Si reagim, disa shtete kanë nisur masa emergjente: Japonia ka përdorur rezervat strategjike të naftës, Koreja e Jugut ka vendosur kufizime për çmimet e karburantit dhe po orienton prodhimin drejt burimeve alternative si qymyri dhe energjia bërthamore, ndërsa vende të tjera po kërkojnë burime të reja furnizimi.