Paradite është President, pasdite punon mjek”, Bardhi: Begaj rezulton i punësuar në një klinikë private mjekësore

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka deklaruar se Presidenti i Republikës Bajram Begaj përveç detyrës së tij si kreu i Shtetit rezulton i punësuar në një klinikë mjekësore private.

Ai u shpreh se Begaj punon “paradite si President dhe pasdite si mjek”.

Bardhi theksoi ndalimin ligjor për Presidentin e Republikës që të ushtrojë detyra të tjera veç asaj të Kreut të Shtetit.

Fier – Procedime penale për falsifikim dhe konflikte pronësie

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen L. Xh., 52 vjeçe, banuese në Roskovec, pasi dyshohet se ka falsifikuar nënshkrimin e vëllait të saj, në një certifikatë pronësie.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. B., 80 vjeç, banues në fshatin Rreth Libofshë, pasi dyshohet se ka kanosur bashkëshorten e tij;
-H. R., 59 vjeç dhe S. R., 56 vjeç, të dy banues në fshatin Hamil, pasi dyshohet se në tokat bujqësore në fshatin Sektor Seman, janë konfliktuar me punonjësit e një firme ndërtimi, për të mos i lejuar të kryejnë punime, me pretendimin se toka është pronë e tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Arrest me burg” për 38-vjeçarin e kapur me arsenal armësh në Fier

Screenshot

Gjykata e Fierit ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin M. R., 38 vjeç, i arrestuar disa ditë më parë pasi u kap me armë zjarri pa leje dhe i cili mbante një arsenal armësh në një banesë të pabanuar në lagjen “Kastriot”.

Vendimi është marrë pas seancës gjyqësore të zhvilluar paraditen e sotme, ku Prokuroria kërkoi masën më të rëndë të sigurisë, duke argumentuar se i arrestuari përbën rrezik për rendin publik dhe mund të ndikojë në hetime në rast se lirohet.

Nga hetimet e deritanishme është zbuluar se 38-vjeçari përdorte një banesë si bazë kriminale, ku policia gjeti dhe sekuestroi 13 armë zjarri, përfshirë 10 automatikë (3 me shënjestër optike dhe filet për silenciator), 2 pistoleta, 2 silenciatorë, dhjetëra karikatorë dhe sasi të konsiderueshme municioni luftarak.

Arrestimi i tij erdhi pas një sinjalizimi nga gazetarë të emisionit investigativ “Piranjat”, të cilët informuan policinë për posedimin e një arme zjarri pa leje.

Pas ndalimit në automjet, ku iu gjet një pistoletë dhe 3 500 euro, hetimet çuan në zbulimin e bazës së armëve në Fier.

Policia dhe Prokuroria e Fierit vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm dhe për origjinën e armëve të sekuestruara, që dyshohet se do të shiteshin te grupe kriminale për kryerjen e krimeve kundër personit.

Punonjësit e Bankers pezullojnë punën nesër në orën 07:00 – paralajmërojnë grevë urie nëse kërkesat nuk plotësohen

Tensionet mes punonjësve dhe kompanisë “Bankers Petroleum” kanë arritur kulmin. Sindikata e Punonjësve ka njoftuar se nesër, në orën 07:00, të gjithë punonjësit do të pezullojnë punën, duke nisur grevën e përgjithshme përballë zyrave të kompanisë në Marinëz.

Vendimi vjen pas dështimit të negociatave me kompaninë, që sipas Sindikatës, ka refuzuar të pranojë kërkesat për rritjen e fondit të përgjithshëm të pagave me 9% dhe për uljen e pabarazisë mes pagave të larta dhe të ulëta.

Në njoftimin publik, Sindikata akuzon kompaninë se po përpiqet të manipulojë opinionin dhe të përçajë punonjësit, duke përhapur pretendime të pavërteta rreth një “rritjeje për disa individë”.

“Kërkesa jonë është e qartë: rritje e fondit total të pagave dhe shpërndarje e drejtë për punonjësit me paga të ulëta. Nuk kërkojmë përfitime për ata që marrin mijëra euro, por dinjitet për ata që mbajnë mbi shpinë punën më të rëndë,” – thuhet në deklaratën e Sindikatës.

Përfaqësuesit sindikalë paralajmërojnë se, nëse kërkesat nuk merren parasysh, pas pezullimit të punës do të ndërmerret greva e urisë, si formë e fundit e protestës.

“Kauza jonë është e drejtë dhe e ligjshme. Nëse nuk dëgjohen zërat tanë, do të vijojmë me grevë urie, derisa të realizohen kërkesat për paga dinjitoze dhe barazi,” – thuhet në njoftim.

Sipas Sindikatës, oferta e kompanisë për 4200 lekë shtesë në muaj për dietën ushqimore është konsideruar “fyese” dhe “larg realitetit të kostos së jetesës”.

Punonjësit shprehen të vendosur se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa greva do të nisë nesër në mëngjes në Marinëz, ku pritet pjesëmarrje masive e punonjësve të sektorëve të ndryshëm.

Raporti vjetor i SPAK, Dumani: 10 zyrtarë të dënuar, 33 të proceduar. 854 procedime penale

Gjatë raportimit të raportit vjetor të SPAK në Komisionin e Ligjeve, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, bëri me dije se gjatë vitit 2024 janë sekuestruar pasuri me vlerë 65.5 milionë euro, ndërsa janë hetuar 854 procedime penale.

“Krahasuar me vitin 2023, numri i çështjeve në hetim për trafik droge është rritur me 3.3 përqind. Kjo ka sjellë edhe një shtim të bashkëpunimeve ndërkombëtare, kryesisht përmes Eurojust”, deklaroi Dumani.

Sipas tij, gjatë vitit janë ekzekutuar 46 vendime gjykate, ndërsa janë proceduar 33 zyrtarë të lartë, nga të cilët 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë.

Sa i përket çështjeve të terrorizmit, Dumani tha se në vitin 2024 janë regjistruar 9 raste të reja. Ndërkohë, vlera e pasurive të konfiskuara arrin në 66.5 milionë euro, nga të cilat 43.8 përqind janë pasuri të sekuestruara, dhe 56.2 përqind janë konfiskuara përfundimisht.

“Rreth 45.8 përqind e këtyre pasurive u përkasin zyrtarëve publikë”, theksoi kreu i SPAK, duke nënvizuar se hetimet për korrupsion dhe pastrim parash kanë njohur rritje me 13 përqind krahasuar me vitin e kaluar.

Deputeti i PD Qarkut FIER , Saimir Korreshi, ironizon kryeprokurorin Olsjan Cela në Komisionin e Ligjeve

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, nuk i kursente ironitë gjatë raportimit të kryeprokurorit Olsjan Cela në Komisionin e Ligjeve. Ai e krahasoi kryeprokurorin me një “magazines pa mall”, duke vënë në dyshim rolin dhe kompetencat e tij.

“Do ta nis nga Fieri, se aty ke transferuar hartën e re. I nderuar zoti prokuror, dukesh si magazinier pa magazinë. Duket sikur inventarizon, por nuk mund të kontrollosh hyrje e dalje,” tha Korreshi.

Deputeti theksoi se perceptimi i qytetarëve për reformën në drejtësi lidhet kryesisht me SPAK, por sipas tij, reforma ka dështuar. “Ka më shumë të dënuar për vepra penale dhe kundërvajtje, duke prekur drejtpërdrejt jetën e të rinjve,” shtoi ai.

Korreshi ngriti pyetje për ligjin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke sugjeruar nevojën për një balancim të kompetencave: “A duhet të ndërhyjmë për të pasur një kontroll efektiv mbi prokurorët e niveleve më të ulëta, pa kthyer kompetencat aty ku ishin më parë? Sot duket sikur kryeprokurori ka humbur fuqinë e tij.”

Gjatë fjalës së tij, deputeti solli shembuj të rasteve që sipas tij reflektojnë padrejtësi, nga dhuna në familje deri te penalizimet për sasi të vogla droge. Ai ironizoi kontrastin mes rasteve: “Njeri dënohet për një cigare hashash, tjetri për një ton del nga burgu. Çfarë logjike ka kjo?”

Fjala e tij u prit me të qeshura në sallë, ndërsa ai iu drejtua edhe prokurorëve të pranishëm: “Zoti Ulsi, mos u mërzisni. Nuk mërzitem unë që jam hero, jo ti që je armik. Kaq kisha.”

“The Times”: Mafia shqiptare përdor zhytës ushtarakë për të fshehur dr*gën poshtë anijeve

Gazeta britanike prestigjioze „The Times“ publikon një raport mbi metodat gjithnjë e më të sofistikuara të shqiptarëve në trafikun ndërkombëtar të kokainës

Sipas artikullit, gjashtë shqiptarë u kapën në Norvegji duke veshur kostume zhytjeje, ndërsa përpiqeshin të nxirrnin 150 kilogramë kokainë nga pjesa e poshtme e një anijeje që vinte nga Brazili, një skenë që, siç e përshkruan gazeta, “dukej sikur kishte dalë nga një film James Bond.”

Hetuesit e Europol-it thonë se kjo është vetëm një nga “detyrat e reja” që shqiptarët kanë marrë në zinxhirin global të trafikut të drogës.

Gjashtë shqiptarët, të cilët mbërritën në portin e vogël Husnes, në bregun perëndimor të Norvegjisë, ishin të pajisur me kostume zhytjeje dhe akrepa nënujore, si të ishin dalë nga një film James Bond, por që aty nuk kishin ardhur për pushime nën ujë. Pesë burra dhe një grua kishin ardhur për të takuar një anije mallrash që vinte nga Brazili.

Kur anija Nordloire mbërriti në port, ata prisnin natën, dhe më pas një prej tyre u zhyt për të nxjerrë më shumë se 150 kilogramë kokainë, të fshehur në një kanal uji nën vijën e ujit të anijes.

“Në këto operacione, ekuipazhi i anijes shpesh nuk ka asnjë ide që mjeti i tyre po përdoret si një ‘taksi falas’ nga trafikantët e drogës,” tha Leonardo Landi, një oficer italian i policisë që ndihmoi në kapjen e zhytësve në vitin 2023.

“Ajo që kemi vënë re është se zhytësit që fshehin kokainë në këto anije në Amerikën e Jugut dhe më pas e nxjerrin drejt Evropës janë gjithnjë e më shumë shqiptarë, ndoshta me përgatitje ushtarake,” shtoi Landi.

Kjo përfaqëson një tjetër detyrë në trafikun e drogës që shqiptarët kanë marrë përsipër, të cilët tani janë të përfshirë në gjithçka — nga prodhimi i kokainës në Amerikën Latine, te ndërmjetësimi i transportit përmes Ekuadorit, deri te organizimi i shitjeve në rrugët e Evropës.

Duke menaxhuar çdo hallkë të biznesit, shqiptarët kanë arritur të ulën kostot dhe të eliminojnë konkurrencën.

“Tani ata ofrojnë çdo shërbim të lidhur me trafikun e drogës,” tha Landi, kolonel në policinë tatimore italiane dhe oficer lidhës për narkotikët në agjencinë Europol.

Kjo metodë trafikimi, e quajtur “parazit”, përdor anijet mallrash dhe po rritet sepse shmang nevojën për të paguar ryshfete ekuipazhit apo zyrtarëve të doganës. E gjithë ajo që nevojitet është një zhytës për të çmontuar grilën që mbulon hapësirën nën vijën e ujit, ku pompohen uji i ftohjes — dhe për të vendosur qese të papërshkueshme nga uji, që mund të përmbajnë deri në 400 kg kokainë, së bashku me Apple AirTags për të gjurmuar anijen.

 Fier – Procedime të reja penale për shkelje të ndryshme ligjore

Drejtoria Vendore e Policisë Fier njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë referuar në Prokurori disa materiale procedurale, për vepra penale të ndryshme.

  • Narkotikë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë proceduar në gjendje të lirë shtetasin A. O., 31 vjeç, banues në Fier, pasi u kap duke poseduar doza kokaine.
  • Qarkullimi Rrugor –
    • F. H., 62 vjeç, banues në Fier, është proceduar pasi drejtonte motomjetin pa leje drejtimi;
    • K. K., 64 vjeç, banues në Poloni, është proceduar pasi në aksin “Lushnjë–Berat” humbi kontrollin e automjetit, duke dalë nga rruga. Nga aksidenti u dëmtuan lehtë tre pasagjerë.
  • Krime të tjera –
    • L. Z., 33 vjeçe, banuese në fshatin Adë, u procedua pasi ka kanosur për motive të dobëta një 79-vjeçar;
    • E. Sh., 41 vjeç, banues në Lushnjë, u procedua pasi nuk iu bind urdhrit të Policisë për t’u paraqitur në Komisariat;
    • Një 17-vjeçar u procedua pasi është konfliktuar fizikisht me një 14-vjeçar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.