Rritje e re pagash për mjekët dhe infermierët

Bluzat e bardha janë rikthyer sërish në vëmendjen e qeverisë. Gjatë konferencës së fundvitit, kryeministri Edi Rama njoftoi se mjekët dhe infermierët do të përfitojnë rritje page, e cila parashikohet të arrijë deri në 135 euro në muaj, sipas kategorive. Në skemën e re do të përfshihet edhe njohja dhe vlerësimi i vjetërsisë në punë.

Kjo nuk është hera e parë që pagat e personelit shëndetësor rriten. Në vitin 2017, mjekët e urgjencës, reanimacionit dhe shërbimeve të ngjashme përfituan rritje prej 18 mijë lekësh në muaj, ndërsa infermierët dhe teknikët e laboratorëve në urgjencë 12 mijë lekë. Po atë vit, pagat për mjekët në Qendrat Spitalore Universitare u rritën me 6,000–8,000 lekë për mjekun e parë dhe 5,600–7,600 lekë për mjekun e dytë.

Në vitin 2018 u aplikua një tjetër rritje prej 5%. Ndërsa në vitin 2021, në kuadër të mbështetjes për pandeminë Covid-19, pagat e mjekëve dhe infermierëve u rritën me 40%. Si rezultat, paga mesatare bruto e infermierëve u rrit nga 50,890 lekë në 65,700 lekë.

Nga 1 korriku 2022 u aplikua një rritje prej 6%, e ndjekur nga një tjetër rritje prej 7% në vitin 2023. Në vitin 2024, qeveria miratoi një paketë të re, e shoqëruar me riformatim të plotë të skemës së pagave, duke shfuqizuar skemën e vitit 2011.

Këto masa janë prezantuar ndër vite si pjesë e përpjekjeve për forcimin e sistemit shëndetësor dhe mbajtjen e burimeve njerëzore, në një kohë kur Shqipëria përballet me presion të vazhdueshëm mbi stafet, veçanërisht në specialitete dhe shërbime kyçe.

SHBA arreston Maduron, mesazhi i Trump

Arrestohet Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro.
Mesazhi i Presidentit të SHBA Donald Trump:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, Presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë me avion jashtë vendit. Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat ligjzbatuese të SHBA-së. Detaje të mëtejshme do të pasojnë. Sot, në orën 11:00 paradite, do të ketë një konferencë për shtyp në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”.

Sherr mes të rinjve në një lokal në Vlorë, q*llohet me a*më zjarri. Dy të arrestuar

Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale me pasoja për jetën, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë.

Vihen në pranga dy shtetas, njëri prej të cilëve qëlloi me armë zjarri në ajër, gjatë një konflikti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e jashtme të një lokali disa persona po konfliktoheshin dhe se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke arrestuar 2 autorët, konkretisht shtetasit:

* A. H., 19 vjeç, banues në Vlorë;
* M. A., 25 vjeç, banues në Orikum.

Arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë një konflikti fizik midis 2 shtetasve të mësipërm dhe disa personave të tjerë, shtetasi M. A. ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, shtetasi A. H., dhe ka qëlluar një herë në ajër.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të patrullës, u bë e mundur neutralizimi dhe kapja e dy shtetasve, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndryshon mosha e pensionit dhe vjetërsia në punë për vitin 2026

Me nisjen e vitit 2026 hyjnë në fuqi ndryshime të reja në skemën e pensioneve, të parashikuara nga reforma e miratuar në janar të vitit 2015. Këto ndryshime lidhen me rritjen graduale të moshës së daljes në pension dhe të viteve të vjetërsisë në punë, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë.

Gjatë vitit 2026, gratë duhet të kenë mbushur moshën 62 vjeç për të përmbushur kriteret e daljes në pension. Sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore”, mosha e pensionit për gratë rritet me dy muaj çdo vit, duke arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Më pas, rritja e moshës do të përfshijë edhe burrat, deri në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë.

Ndërkohë, edhe pse burrat nuk preken ende nga rritja e moshës së pensionit, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Nga 1 janari 2026, për të përfituar pension pleqërie kërkohen 39 vite sigurimi, nga 35 vite që ishin para reformës. I njëjti parim zbatohet edhe për gratë, ku rritja e moshës shoqërohet paralelisht me rritjen e vjetërsisë në punë.

Sipas legjislacionit në fuqi, vjetërsia në punë është një element kyç në formulën e përllogaritjes së pensionit. Pensioni përbëhet nga një shumë bazë, e barabartë me pensionin social, e shumëzuar me vitet e sigurimit që ka individi dhe e pjesëtuar me vitet e kërkuara të vjetërsisë në punë.

Mosha e daljes në pension – 2026

  • Burra: 65 vjeç
  • Gra: 62 vjeç

Vjetërsia e kërkuar në punë

  • Viti 2025: 38 vjet e 8 muaj
  • Viti 2026: 39 vjet

Parashikohen përmbytje në Vlorë, autoritetet paralajmërojnë për marrjen e masave

Në ditët në vijim priten reshje shiu ne të gjithë vendin, ndësa në zonat e larta reshjet pritet të jenë në formë bore. 

Autoritetet e Mbrojtjes Civile të qarkut Vlorë, nisur nga parashikimi i Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), sipas të cilit më datë 5 janar 2026 reshje të dendura pritet të përfshijnë edhe Qarkun e Vlorës kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe bizneset.

Përmes një njoftimi për mediat, bëhet me dije se për parandalimin dhe minimizimin e pasojave, strukturat përgjegjëse të mbrojtjes civile në Qarkun Vlorë kanë nisur marrjen e masave paraprake.

‘Në zonat malore të qarkut, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje dëbore. Si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve dhe rritjes së prurjeve në lumenj, ekziston rreziku për:

                •             vërshime uji në zona urbane dhe rurale,

                •             probleme në sistemet e kanalizimeve,

                •             përmbytje të përkohshme në zona me risk.

Për parandalimin dhe minimizimin e pasojave, strukturat përgjegjëse të mbrojtjes civile në Qarkun Vlorë kanë nisur marrjen e masave paraprake për:

                •             Njoftimin e bizneseve që ndodhen në zona me risk për përmbytje;

                •             Njoftimin e blegtorëve pranë lumenjve dhe zonave të ulëta për zhvendosjen e bagëtive në zona të sigurta;

                •             Informimin përmes mediave lokale për të shmangur qëndrimin në zona të rrezikuara dhe për të siguruar ushqimet dhe bagëtitë në lartësi të sigurta;

                •             Kontrollin dhe zhbllokimin e kanaleve kulluese, pusetave dhe nënkalimeve në zonat urbane;

                •             Mbajtjen në gatishmëri të hidrovorëve dhe funksionimin e pandërprerë të sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve;

                •             Sigurimin e furnizimit me energji elektrike në zonat me risk.

Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të Qarkut Vlorë të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat përkatëse për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës’, thuhet në njoftimin e mbrojtjes civile në Vlorë.

Burri vr*u gruan dhe veten/ Detaje nga ngjarja e rëndë në Orikum

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e datës 2 janar në Orikum. Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Llogora Xhebroj, 52 vjeç, ka vrarë bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund jetës.

Ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit. Burime bëjnë me dije se 52-vjeçari fillimisht e ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij, Sose Xhebroj, dhe me pas duke e mbytur për vdekje. Kanë qenë fëmijët e çiftit ata që kanë lajmëruar Qendrën Shëndetësore të Orikumit.

Trupi i pajetë i viktimës është transportuar drejt morgut të Spitalit Rajonal të Vlorës, ndërsa pak më vonë, bashkëshorti i saj ka kryer vetëvrasje duke qëlluar veten me armë zjarri tip pistoletë në garazhin e banesës. Në vendngjarje është gjetur edhe një gëzhojë.
Mësohet se çifti kishte në pronësi një ambient lokal në dalje të Orikumit rruges per fshatin Dukat,dhe ishin prindër të dy djemve 15 dhe 18 vjec

Sipas familjarëve, ata kishin pasur konflikte të vazhdueshme dhe ishin ndarë rreth dy vite më parë, për t’u ribashkuar më pas, por konfliktet kishin vijuar dhe së fundmi ndodheshin në proces divorci.

Ndërkohë, fqinjët e çiftit kanë deklaruar se janë tronditur nga ngjarja, duke theksuar se i njihnin si njerëz të qetë dhe nuk kishin dijeni për konfliktet mes tyre.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Burri dh*non për vd*kje gruan ne Orikum, e çon në spital e më pas kthehet në banesë vetëvr*tet me a*më

Policia ka dhënë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të diel në Orikum, ku një grua u gjet e pajetë në banesën e saj. Sipas njoftimit paraprak, rreth orës 13:30 urgjenca mjekësore ka njoftuar se një shtetase ishte gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se viktima, shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç. Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth banesës, autori i dyshuar është gjetur i pajetë në garazh, ku dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë zjarri.

Në vendngjarje është sekuestruar një armë zjarri pistoletë, e cila do të shërbejë si provë materiale në hetim. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Orikum/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.

Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.

Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Akull e dëborë në aksin Librazhd–Qafë Thanë, policia apel drejtuesve të mjeteve

Temperaturat e ulëta kanë sjellë prezencë të akullit në aksin rrugor Librazhd–Qafë Thanë, veçanërisht në zonën e Dragostunjës, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu edhe reshjet e dëborës kanë mbuluar zonën.

Autoritetet këshillojnë drejtuesit e automjeteve që të jenë të pajisur me zinxhirë, pasi kushtet e rrugës janë të rrezikshme.

Policia Rrugore ndodhet në terren, për të menaxhuar situatën dhe për t’u ardhur në ndihmë mjeteve që mund të bllokohen si pasojë e akullit.

Aktualisht, qarkullimi vijon me lëvizje të ngadaltë në të dy krahët e rrugës, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë.