Tre shqiptarë pas nje gr*bitje ,përplasën me automjetin e një polici. Humbin jetën ne aksident

Një aksident tragjik ka ndodhur në qytetin e Malagas, ku një nën-inspektor i Policisë Kombëtare Spanjolle, 48 vjeç, dhe tre persona të dyshuar si pjesëtarë të grupeve kriminale shqiptare, humbën jetën pas një përplasjeje “kokë më kokë” mes dy automjeteve.

Ngjarja nisi pas një përpjekjeje për grabitje në një farmaci në rrugën Lope de Rueda, në lagjen Puerto de la Torre. Tre grabitësit, të cilët besohet të jenë anëtarë të një bande të njohur shqiptare, tentuan të grabisin farmacinë, por dështuan dhe u larguan me shpejtësi në një automjet të fuqishëm. Policia Kombëtare dhe ajo vendore u vu menjëherë në ndjekje të tyre.

Sipas raportimeve nga agjencia EFE, gjatë arratisjes, grabitësit morën një kthesë të gabuar duke hyrë në drejtim të kundërt në autostradën A-7 drejt Torremolinos. Pikërisht aty ndodhi përplasja fatale me makinën e nën-inspektorit 48-vjeçar, i cili nuk po merrte pjesë në operacion, por po kthehej në shtëpi pas një turni nate.

Përplasja e fuqishme çoi në shpërthimin në flakë të të dy automjeteve. Sipas autoriteteve të Këshillit të Qytetit të Malagës, zjarrfikësit nga stacionet Churriana, Carretera de Cádiz dhe Martiricos mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të nxjerrë trupat nga mjetet e djegura. Tre personat në makinën e grabitësve u gjetën të pajetë, ndërsa oficerët e Policisë Lokale nxorën nga makina nën-inspektorin, por fatkeqësisht nuk mundën t’i shpëtonin jetën.

Në vendngjarje ndërhynë edhe Garda Civile, Policia Kombëtare dhe shërbimet emergjente 061. Hetimet për aksidentin po drejtohen nga Departamenti i Trafikut i Gardës Civile.

Nën-inspektori i ndjerë ishte baba i dy fëmijëve dhe kishte mbi 20 vite në shërbim. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë dhe autoritetet lokale kanë shprehur ngushëllimet për familjen e tij.

Rriten vizitorët në Parqet Kombëtare, kryeson Karavastaja, pas saj Alpet e Shqipërisë

Mbi gjysmë milionë turistë të huaj vizituan zonat e mbrojtura në vend në 3-mujorin e parë të vitit. 

Të dhënat zyrtare të përpunuara tashmë edhe me muajin mars dhe të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë për një interes të shtuar për turizmin natyror.

“Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, tregojnë se gjatë muajit Mars 2025 zonat e mbrojtura janë vizituar nga 198,923 vizitorë vendas dhe të huaj. 

Në tre muajt e parë të vitit, zonat e mbrojtura janë vizituar nga 556,792 vendas dhe të huaj, me një rritje prej 6% më shumë se tremujori i parë i vitit 2024. 

Qarku me numrin më të madh të vizitorëve është Qarku Korçës, e cila zë gati 33.6% të gjithë totalit të vizitorëve. Rritjen më të madhe e ka pasur Qarku i Gjirokastrës e cila ka një rritje 3 shifrore” thuhet në raportin e Ministrisë.

E parë në kategorinë e asaj që kanë vizituar turistët të dhënat zyrtare tregojnë se Kategoria e Parqeve Natyrore ka 13 zona të cilat janë vizituar nga 63,641 vizitorë, prej tyre 72,4% janë vizitorë vendas.

“Numri më i madh i vizitorëve për këtë kategori është në Parkun Kombëtar të Divjakës-Karavasta, numri i vizitorëve në këtë Park zë 29% të totalit që vizitoi Parqet kombëtare në Mars 2025, dhe e dyta për nga vizitueshmëria këtë muajit është Alpet e Shqipërisë nga pjesa e Shkodrës (23.5% )” thuhet në publikim.

Ndërkohë në kategorinë Monumentet e Natyrës, janë të shpallura 33 zona, por gjatë muajit Mars ka pasur vizitorë vetëm në 24 prej tyre. Këto zona janë vizituar prej 28,163 vizitorë, ku nga këta 87 % janë vizitorë vendas. Vizitorët me numrin më të madh janë në Monumentin e Natyrës Sarisalltik të Krujës (23.1% e vizitorëve), e cila ndiqet nga Ujërat Termale të Bënjës (21%).

Në kategorinë Rezervatet Natyrorë të Menaxhuar dhe Parqet Natyror Monumentet e Natyrës janë të përfshira 26 zona, por vetëm në 21 prej tyre ka pasur vizitorë për muajin Mars 2025. 

Numri i vizitorëve për këtë kategori është 31,008, ku 78 % janë vizitorë shqiptar. Numrin më të madh të vizitorëve e ka Qafështama (35%) e ndjekur nga Liqeni i Shkodrës (20%)./Monitor

Makina përplas 75-vjeçarin në vijat e bardha ne “Lungomare”, perfundon në spital

Një aksident i rëndë ka ndodhur disa minuta më parë në zonën e Lungo Mares. Një automjet tip “Benz” ka përplasur një këmbësor, një burrë rreth 75 vjeç, ndërsa ky i fundit po kalonte në vijat e bardha.

Sipas informacioneve paraprake, i moshuari ka pësuar dëmtime të rënda dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po heton rrethanat e aksidentit. Ende nuk dihen shkaqet e sakta të ngjarjes, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar për të dhënë deklaratën.

Policë vullnetarë – Kush mund të bëhet pjesë e Policisë së Shtetit?

Është botuar në Fletoren Zyrtare, vendimi për organizimin dhe funksionimin të policimit vullnetar. Të gjithë të interesuarit e moshës 18-65 vjeç, mund të angazhohen vullnetarisht, pa pagesë për të mbështetur Policinë e Shtetit përmes strukturës ndihmëse të Policisë Vullnetare, por do të jenë të trajnuar dhe të certifikuar për të kryer detyra të caktuara.

Qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i sigurisë publike, forcimi i kapaciteteve të strukturave të Policisë së Shtetit dhe inkurajimi i angazhimit qytetar, duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet policisë dhe komunitetit për rritjen e besimit dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policët vullnetarë trajnohen nga Akademia e Sigurisë dhe numri i atyre që do të shërbejnë përcaktohet çdo vit nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në bazë të nevojave dhe të propozimeve të drejtorive vendore të policisë, përcakton numrin e policëve vullnetarë.

Por cilat do të jenë shenjat dalluese të policëve vullnetarë?

Me qëllim që polici vullnetar të jetë samë komod dhe i sigurt gjatë punës vulllnetare, është parashikuar që ai të ketë pajisjet, shenjat dalluese si dhe veshjet identifikuese të tij. Përmendim stampën e shënjës dallluese të policit vullnetar, jelekë dhe xhaketë fluorishente, kapelle sportive ngjyrë blu me logo identifikuese, tabelë dore “Stop”, nga ku shkruhet policia vullnetare etj.

Policët vullnetarë angazhohen në menaxhimin e rendit në aktivitete masive, ndihmojnë në rregullimin e trafikut, patrullojnë pranë institucioneve arsimore, ndihmojnë në parandalimin e krimit, mbrojtjen e mjedisit dhe të pronës, mbështesin policinë kufitare dhe marrin pjesë në operacione emergjencash civile dhe kërkim-shpëtimi. Sipas vendimit, shërbimi i policëve vullnetarë nuk zgjat më shumë se 5 orë në ditë dhe 25 orë në javë.

Sa kushton një drekë apo darkë në restorantet shqiptare? 

Një nga bizneset më të përhapura në Shqipëri janë restorantet. Me rritjen e vazhdueshme të turizmit në vend, ky biznes po bëhet gjithnjë e më i frekuentuar.

Por sa kushton mesatarisht një vakt për dy persona në një restorant të klasit të mesëm në Shqipëri? Sipas platformës Numbeo, kjo shifër arrin rreth 47.5 euro, duke e renditur vendin tonë në vendin e 42-të nga 123 vende të marra në shqyrtim.

Në rajon, Shqipëria rezulton të jetë më e shtrenjta për këtë shërbim. Pas nesh vjen Serbia, ku një vakt në një restorant ekonomik kushton rreth 42.6 euro, duke u renditur në vendin e 54-t. Më tej vjen Mali i Zi me një mesatare prej 40 eurosh, në vendin e 60-të.

Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut ofrojnë çmime më të përballueshme, duke u renditur përkatësisht në vendin e 78-të dhe 91-të.
Ndërkohë, Kosova rezulton të jetë vendi më i lirë në rajon për një vakt në një restorant të klasit të mesëm, vetëm 20 euro për dy persona.

Edhe pse Shqipëria është më e shtrenjtë krahasuar me fqinjët, kur e vendosim përballë vendeve të njohura të Europës si Spanja, Franca apo Italia, del që jemi më të lirë. Kjo është një pikë shumë pozitive për turizmin shqiptar, pasi ofron një përvojë cilësore me kosto të përballueshme.

Në kreun e listës për çmime më të larta qëndron Islanda, ku një vakt për dy persona mund të shkojë deri në 124 euro. Pas saj vijnë Zvicra dhe Kameruni.

Ndërsa çmimet më të ulëta i gjejmë në Indi (12.24 €), Pakistan (10.88 €) dhe Bangladesh (10.40 €) – vende ku të ushqyerit jashtë është tepër më ekonomik.

Betonierja del nga rruga duke përfunduar disa metra poshtë ne gremine.

Një aksident është regjistruar mëngjesin e kësaj të enjteje në afërsi të qytezës së Ulzës. Një automjet tip betoniere ka dalë nga rruga duke përfunduar disa metra poshtë saj.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën hyrëse të Ulzës pak mbi nënstacionin e hidrocentralit. Nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti ndërsa mësohet se drejtuesi i betonieres është dërguar për mjekim në spitalin e traumës në Tiranë ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Aksidenti për pak mund të ishte fatal për drejtuesin e automjetit tip betoniere, për shkak të terrenit në të cilin ka ndodhur. Për fat të mirë, automjeti është ndaluar në përrua dhe nuk ka shkuar më poshtë.

Mësohet se drejtuesi i mjetit po punonte për firmën që po zbaton një projekt për rivitalizimin e vijës liqenore në Ulëz.

Humb jeten e moshuara pas nje injeksioni ne ambulancen e lagjes

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të ;

-referuan materialet në Prokurori, sepse ditën e djeshme, shtetasja M. V., 78 vjeçe, pas një injeksioni në ambulancën e lagjes Savër, ka pësuar reaksion. 78-vjeçarja është dërguar në spitalin e Lushnjës, por pavarësisht ndihmës mjekësore, ka humbur jetën. Po punohet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

VKM: Falja e gjobave të policisë vlen vetëm për ato të vendosura gjatë COVID-19

Vetëm 2 ditë përpara zgjedhjeve, qeveria miratoi një vendim për faljen e gjobave të vendosura nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024.

Kjo falje përfshinte gjobat e vendosura nga Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, IKMT, AKU dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.

VKM doli në zbatim të ligjit nr. 127/2024. Në seksionin për procedurat që do të ndiqeshin nga Policia e Shtetit theksohet se Drejtoritë vendore të policisë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listat e individëve dhe/ose të personave fizikë apo juridikë, ndaj të cilëve, nga struktura e tyre policore është vendosur masë administrative, të cilat rezultojnë të paekzekutuara, plotësisht ose pjesërisht, dhe që janë shfuqizuar me ligjin nr.127/2024.

Listat, së bashku me dokumentet shoqëruese më pas do t’i kalonin për miratim Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kjo e fundit ka kompetencën për miratimin e listës përfundimtare të masave administrative të shfuqizuara me ligjin nr.127/2024.

VKM ka krijuar konfuzion te qytetarët që e kanë lexuar vendimin sikur do të falen të gjitha gjobat e vendosura nga Policia e Shtetit nga 1 janari 2015 deri në nëntor 2024.

Shumë qytetarë janë drejtuar në drejtoritë vendore për të hequr gjobat e trafikut, bazuar në VKM, sipas së cilës, çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik që pretendon se një masë administrative e vendosur ndaj tij dhe e shfuqizuar me ligjin nr.127/2024, nuk është hequr/fshirë në sistem, paraqet kërkesë, përkatësisht pranë strukturave përgjegjëse në nivel vendor, për heqjen/fshirjen e masës.

Mirëpo leximi i kujdesshëm i subjekteve përfituese të ligjit 127/2024 shpreh qartë se falja është vetëm për “Individët dhe/ose personat fizikë apo juridikë, të cilët nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës COVID-19, gjatë periudhës së pandemisë.”

Pra, zbatimi i kësaj pike lidhet ngushtësisht me situatën e Covid dhe gjobat e marra nga qytetarët ose bizneset nga policia vetëm si pasojë e shkeljeve dhe daljes së paautorizuar për qarkullim gjatë periudhës së pandemisë.

Në këtë mënyrë, shumë qytetarë duhet të paguajnë gjobat e vendosura ndaj tyre, përndryshe gjobat, të cilat përbëjnë titull ekzekutiv, janë objekt i ekzekutimit përmbarimor.

Rrjedhimisht, tashmë, struktura përgjegjëse, e cila verifikon pretendimet në kërkesë dhe nëse plotësohen kriteret e parashikuara në ligjin nr.127/2024, do të japë më shumë përgjigje negative për qytetarët.

Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë, por edhe kjo nuk vlen për gjobat e thjeshta të trafikut rrugor.