Vjosa arrin ne nivelin e 9 m, permbyten tokat bujqesore ne Fier e Vlore

Lumi Vjosa ka shënuar një rritje të ndjeshme të nivelit të ujit, duke arritur në kuotën 9 metra, nivel që konsiderohet alarmant. Si pasojë e prurjeve të mëdha, janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore në qarqet Fier dhe Vlorë, duke shkaktuar dëme të shumta për fermerët e zonës.

Zonat më të prekura raportohen në fshatrat përgjatë shtratit të lumit, ku uji ka dalë nga shtrati dhe ka mbuluar arat e mbjella. Situata paraqitet problematike edhe për infrastrukturën rurale, ndërsa niveli i Vjosës vijon të monitorohet minutë pas minute nga strukturat përgjegjëse.

Në terren ndodhen grupet e emergjencave të Mbrojtjes Civile dhe pushtetit vendor, të cilat po ndjekin nga afër situatën dhe po vlerësojnë rrezikun për zonat e banuara. Deri më tani nuk raportohen përmbytje banesash, por autoritetet janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë nëse situata përkeqësohet.

Al*rm për përmbytje nga Vjosa – Rrezikohet furnizimi me ujë i pijshëm për qytetin e Fierit

Situata paraqitet alarmante si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosa. Në zonat Kashisht, Hambar dhe Çerven, lumi ka përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore, duke shkaktuar dëme dhe rrezik për banorët.

Sipas informacioneve paraprake, uji ka arritur deri pranë vendburimeve të ujit të pijshëm që furnizojnë qytetin e Fierit. Ndërmarrja e Ujësjellësit Fier ka njoftuar se kjo situatë mund të sjellë mungesa ose ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm në qytet.

Në terren kanë mbërritur grupet e emergjencave dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, të cilat po monitorojnë nga afër situatën dhe janë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të rrezikuara, përfshirë edhe evakuimin e tyre në rast se përmbytjet prekin banesat.

Aksident në Lushnje, humb jetën një 60-vjeçar me motor

Një aksident me pasojë vdekjen është shënuar paraditen e kësaj të mërkure në fshatin Kurtinë, në bashkinë Lushnjë. Një 60-vjeçar, i cili po udhëtonte me motomjet, ka humbur jetën pasi është rrëzuar aksidentalisht dhe është përplasur në asfalt.

Sipas të afërmve, viktima vuante nga probleme të zemrës dhe dyshohet se mund të ketë pësuar një atak kardiak gjatë drejtimit të motomjetit. Gjurmët e shumta të gjakut në vendngjarje tregojnë se përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme 60-vjeçarit.

Policia Rrugore ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik.

Gjykata e Posaçme liron nga qelia CEO-n e Bankers Petroleum

Gjykata e Posaçme ka vendosur të lirojë nga qelia me masën e arrest shtëpie CEO-n kinez të kompanisë Bankers Petroleum, Hongping Xiao.

Vendimi vjen vetëm pak ditë pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për zgjatjen e afateve hetimore me 3 muaj për dosjen “Bankers”, me argumentin e kryerjes së veprimeve shtesë hetimore për shkak të kompleksitetit të çështjes.

Aktualisht, CEO Xiao është i vetmi që ndodhej në masën e arrestit në burg, ndërsa të gjithë të pandehurit e tjerë janë në masa më të buta, si arresti në shtëpi.

Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare gjatë periudhës 2004–2024, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e shtetit.
Sipas Prokurorisë, Bankers Petroleum ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe duke përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.

Moti i keq në lumi Lana, rrezikon të dalë nga shtrati

Reshjet e dendura të shiut kanë rritur nivelin e lumit Lana ditën e sotme.Reshjet e dendura të shiut gjatë gjithe nates dhe dites së sotme kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të lumit Lana.

Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa qytetarët këshillohen të shmangin qëndrimin pranë brigjeve dhe zonave të ulëta, për shkak të rrezikut të përmbytjeve lokale. Situata mbetet nën vëzhgim në vijimësi.

Rrëshqitje dherash bllokon aksin Tepelenë–Gjirokastër

Aksi nacional Tepelenë–Gjirokastër është bllokuar në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, pas rrëshqitjes së një masivi dherash dhe shkëmbinjsh në rrugë.

Si pasojë, janë krijuar radhë të gjata automjetesh në të dy drejtimet e qarkullimit. Në vendngjarje kanë mbërritur policia rrugore dhe punonjësit e firmës kontraktore, të cilët po punojnë për largimin e baltës dhe gurëve nga karrexhata, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes dhe, nëse është e mundur, të përdorin aks rrugor alternativ deri në normalizimin e situatës.

Trafik 7 km në Kakavijë, emigrantët qëndrojnë deri në 3 orë në doganë

Radha kilometrike vijon edhe sot në pikën kufitare të Kakavijës, ku emigrantët shqiptarë po kthehen drejt vendeve të tyre të punës pas festave.Kolonat e automjeteve arrijnë deri në 7 kilometra, ndërsa pritja në doganë shkon mbi 3 orë.

Situata e rënduar është shkaktuar kryesisht nga pala greke, e cila po punon vetëm me dy sportele, ndërkohë që pala shqiptare ka në funksion katër sportele, në përpjekje për të përballuar fluksin e lartë.

Emigrantët shprehen të revoltuar pasi shumë prej tyre jetojnë në ishuj dhe nesër duhet ti kthehen punës.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit kanë kaluar kufirin mbi 9 mijë shtetas, shumica emigrantë që rikthehen në Greqi për të rifilluar punën.

Fluksi i lartë ka sjellë lodhje dhe shqetësim te udhëtarët, të cilët presin për orë të tëra në kushte të vështira.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë durim, ndërsa pritet që situata të vijojë e ngarkuar edhe në orët në vijim.

Rritet bilanci i aksidenteve rrugore: shkelja e rregullave, alkooli dhe celulari, shkaqet kryesore

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, përdorimi i telefonit celular dhe orët e gjata pa gjumë vijojnë të jenë faktorët kryesorë që çojnë në aksidente rrugore, sidomos gjatë periudhave festive.

Edhe fillimi i vitit 2026 paraqitet shqetësues. Vetëm në 5 ditët e para të këtij viti janë regjistruar 5 aksidente rrugore me pasojë humbjen e jetës së 8 personave.

Ngjarja më e rëndë u shënua në orët e para të Vitit të Ri, në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, ku tre të rinj, të moshës 24–27 vjeç, humbën jetën pas përplasjes së dy automjeteve.

Një ditë më pas, në Lezhë, një çift bashkëshortësh gjeti vdekjen në aksin Lezhë–Mabë, pas një përplasjeje mes dy automjeteve. Si pasojë e këtij aksidenti, një familje me katër anëtarë, mes tyre dy fëmijë, mbeti e plagosur dhe u dërgua për ndihmë mjekësore.

Aksidente të tjera me pasoja fatale janë regjistruar edhe në Durrës dhe Elbasan, ku kanë humbur jetën tre këmbësorë.

Autoritetet apelojnë për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, shmangien e alkoolit dhe përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për të parandaluar humbje të tjera jete.