Nisin reshjet e dëborës në Qafën e Llogarasë

Në Qafën e Llogarasë kanë rinisur reshjet e dëborës, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor në këtë aks. Problemet janë evidentuar në segmentin nga fshati Dukat deri në zonën e Palasës, ku drejtuesit e mjeteve po lëvizin me kujdes të shtuar.

Shërbimet përkatëse ndodhen në terren për menaxhimin e situatës, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe mjete antirrëshqitëse.

Hapja e portave të HEC-eve Ulëz dhe Shkopet sjell përmbytje në fshatrat e Kurbinit dhe Lezhës

Hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit kanë hapur portat si pasojë e rritjes së prurjeve ujore, duke shkaktuar përmbytje në disa fshatra të Kurbinit dhe Lezhës. Sipas informacioneve paraprake, rritja e nivelit të ujit ka sjellë daljen nga shtrati të përrenjve dhe përmbytjen e tokave bujqësore, ndërsa në disa zona uji ka depërtuar pranë banesave.

Situata është bërë problematike për banorët, të cilët po përballen me vështirësi në qarkullim dhe dëme materiale. Strukturat vendore dhe shërbimet e emergjencave civile janë në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, ndërsa prurjet vijojnë të mbeten të larta edhe në orët në vijim.

Vjosa rritet sërish, niveli arrin 6 metra – priten prurje edhe më të mëdha

Niveli i lumit Vjosë është rritur sërish mesditën e kësaj të shtune, duke shtuar shqetësimet për një situatë të mundshme emergjente. Gjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të ditës së sotme, niveli i ujit ka luhatur në kuotat 5.1–5.2 metra, ndërsa në mbrëmjen e së shtunës është shënuar një rritje e ndjeshme, duke arritur në 6.0 metra.

Sipas parashikimeve dhe informacioneve nga zonat e Përmetit dhe Gjirokastrës, prurjet e Vjosës vijojnë të jenë në rritje të vazhdueshme. Kjo situatë bën që në orët në vijim të priten prurje edhe më të mëdha dhe një rritje e mëtejshme e nivelit të lumit, duke rrezikuar sërish daljen e tij nga shtrati.

Strukturat përgjegjëse janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa banorët e zonave pranë lumit këshillohen të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Thyen arrestin shtëpiak dhe tenton t’i djegë makinën ish-partnerit, arrestohet ish-zyrtarja e Ministrisë së Brendshme

Një ish-zyrtare e Ministrisë së Brendshme është arrestuar nga Policia pasi ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit të saj.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasja Alma Bine, 43 vjeçe.

Sipas njoftimit zyrtar, 43-vjeçarja dyshohet se ka shkelur vendimin e gjykatës duke dalë nga banesa, si edhe ka tentuar të djegë automjetin e ish-partnerit, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e pronës dhe të personave përreth.

“U arrestua shtetasja A. B., 43 vjeçe, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ si dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit”, njofton Policia.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Ka nisur rënia e nivelit të prurjeve edhe në lumin Seman

Ka nisur rënia e nivelit të prurjeve edhe në lumin Seman. Gjatë ditës së sotme, uji është tërhequr nga rruga Belinë–Kallm, si edhe nga zona e stacionit të pompimit, duke përmirësuar situatën në këto pika problematike.

Megjithatë, autoritetet bëjnë me dije se në orët në vijim, për shkak të shkarkimeve të planifikuara nga hidrocentrali i Banjës, mund të ketë një rritje të përkohshme të nivelit të ujit gjatë pasdites. Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm.

Gjendet një makinë në përrua në Klos, dyshohet se drejtuesin e ka marrë rrjedha e ujit

Një automjet është gjetur i përmbysur në një përrua në zonën e Klosit, duke ngritur dyshime se drejtuesi i mjetit mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit.

Sipas informacioneve paraprake, makina është konstatuar nga banorë të zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë autoritetet. Dyshohet se mjeti ka përfunduar në përrua si pasojë e motit të keq dhe rritjes së prurjeve të ujit.Jurgen Karaj është drejtuesi i mjetit që dyshohet se e ka marrë rrjedha e ujit.

Në vendin e ngjarjes ndodhen forcat e policisë si dhe banorë të zonës, të cilët po ndihmojnë në kërkime.

Situata në Qarkun Fier-Reshje me intensitet të ulët, lumenjtë në monitorim

Sipas informacionit zyrtar të orës 08:00, gjatë natës dhe në vijim në Qarkun Fier janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët. Deri në këto momente, situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll.

Akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa probleme. Hidrovoret ndodhen në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë.

Prurjet në lumin Vjosë janë në tendencë rënieje, ndërkohë që vazhdon tërheqja e ujërave nga tokat bujqësore të prekura nga përmbytjet e mëparshme. Gjatë ditës së sotme, pas largimit të ujërave në fshatin Ferras, strukturat e Bashkisë Fier po vijojnë punën në terren.

Ndërkohë, prurjet në lumenjtë Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje. Në disa zona përgjatë rrjedhës janë evidentuar dalje nga shtrati, por brenda argjinaturave mbrojtëse.

Autoritetet bëjnë me dije se situata në lumin Seman po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, edhe për shkak të rritjes së shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës.

Strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Moti i keq lë pa energji elektrike rreth 300 familje në Qarkun e Gjirokastrës

Moti i keq dhe defektet e shkaktuara në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike vijojnë të krijojnë probleme në disa zona të Qarkut Gjirokastër.

Gjatë ditës së shtunë, rreth 300 familje në zonat malore të Tepelenës dhe Përmetit kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike. Sipas burimeve zyrtare, ndërprerje dhe stakime të herëpashershme janë regjistruar edhe në zona të tjera të qarkut.

Autoritetet bëjnë me dije se grupet e punës ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për evidentimin dhe riparimin e defekteve, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal me energji elektrike për banorët e prekur.