1.2 mld lekë për rehabilitimin e rrugës Fier – Kthesa e Patosit – Fratar, pjesë e buxhetit të ri 2026

Buxheti i shtetit për vitin 2026 parashikon një rritje të ndjeshme të fondeve për ndërtimin dhe sistemimin e rrugëve në të gjithë vendin, ndërsa një pjesë e rëndësishme e investimeve do të përqendrohet edhe në qarkun e Fierit.

Në total, për këtë zë buxhetor janë planifikuar 20.22 miliardë lekë, nga 18.53 miliardë lekë që ishin në vitin 2025. Një nga projektet që përfiton drejtpërdrejt nga ky fond është rehabilitimi i rrugës Fier – Kthesa e Patosit – Fratar, me një vlerë prej 1.2 miliardë lekësh. Ky investim synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidh zonat rurale dhe urbane të qarkut, duke lehtësuar qarkullimin dhe rritur sigurinë për banorët e zonës.

Ky aks rrugor konsiderohet me rëndësi të veçantë për shkak të rolit që luan në lidhjen e Fierit me zonat kodrinore të Fratarit dhe me Bashkinë Patos, si dhe për nxitjen e lëvizjes së mallrave dhe prodhimeve bujqësore drejt tregjeve kryesore të rajonit.

Paralelisht, në kuadër të kontratave të partneritetit publik-privat (PPP), buxheti i vitit të ardhshëm parashikon rreth 5.3 miliardë lekë për vijimin e financimeve në akset strategjike, përfshirë edhe projektin Lekaj – Fier, pjesë e korridorit kryesor që lidh jugun me veriun e vendit.

Investimet në qarkun e Fierit për vitin 2026 janë pjesë e një programi më të gjerë për modernizimin e infrastrukturës rrugore kombëtare, që përfshin gjithashtu ndërtimin e Korridorit VIII, autostradën Milot – Morinë, si dhe segmente të tjera strategjike si Thumanë – Kashar dhe Orikum – Dukat.

Me këto investime, qeveria synon të përshpejtojë ritmin e punimeve në akset ekzistuese dhe të përmirësojë ndjeshëm standardet e qarkullimit në rrjetin rrugor kombëtar, duke i dhënë prioritet zonave me potencial të lartë ekonomik dhe turistik, siç është edhe qarku i Fierit.

Tirana bashkë me Fierin dhe Vlorën rrisin peshën në strukturën e PBB-së

Shqipëria vijon të rritet ekonomikisht, por jo në mënyrë të barabartë. Ndërsa kryeqyteti përjeton një bum ekonomik dhe mban gjysmën e rritjes së përgjithshme të vendit, disa qarqe të tjera po lëvizin me ritme shumë më të ngadalta, duke thelluar ndarjen mes “Shqipërisë së zhvilluar” dhe asaj që mbetet pas. Të dhënat e fundit të INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) sipas rajoneve statistikore për periudhën 2000–2023 zbulojnë jo vetëm rritjen ekonomike të qëndrueshme, por edhe një përqendrim gjithnjë e më të madh të aktivitetit ekonomik në zonën e Tiranës dhe Durrësit.

Tirana, gjeneratori kryesor i rritjes

Në vitin 2023, ekonomia shqiptare u rrit me 4.02% në terma realë, ndërsa PBB-ja kombëtare me çmime korrente arriti në 2.36 trilionë lekë. Këtë rritje e mbajti kryesisht Qarku i Tiranës, me një kontribut prej 2.06 pikë përqindje, që përbën gati gjysmën e gjithë rritjes së vendit. Pas saj renditen Fieri (0.43 p.p.) dhe Durrësi (0.42 p.p.), që tregojnë rëndësinë e aksit qendror dhe perëndimor për ekonominë shqiptare.

Në kahun tjetër, Kukësi me (0.04 p.p.), Dibra me (0.06 p.p.) dhe Gjirokastra me (0.07 p.p.) dhanë kontributet më të ulëta, duke reflektuar mungesën e investimeve dhe aktivitetit ekonomik në këto zona.

Rajonet dhe pesha e tyre në ekonomi

Sipas të dhënave mbi peshën e qarqeve në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), vërehet një përqendrim i lartë ekonomik në Tiranë, e cila përfaqëson rreth 43.86% të PBB-së kombëtare, një tregues i qartë i rolit dominues të kryeqytetit në ekonominë e vendit. Pas saj renditen qarqet Fier me 10.57% dhe Durrës me 10.32%, të cilat përbëjnë qendra të rëndësishme industriale dhe tregtare. Elbasani (6.2%) dhe Vlora (6.07%) kontribuojnë gjithashtu ndjeshëm, duke reflektuar një prani të konsiderueshme ekonomike në rajonet qendrore dhe bregdetare. Qarqet Shkodër (5.04%) dhe Korçë (4.85%) kanë një peshë të moderuar, ndërsa Berat, Lezhë, Dibër, Gjirokastër dhe Kukës mbeten më të dobëta ekonomikisht, me kontribute që variojnë nga 1.44% në 3.59%. Kjo shpërndarje dëshmon për një pabarazi të dukshme rajonale në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, me përqendrim të lartë të aktivitetit ekonomik në qendrat urbane dhe bregdetare. Krahasuar me vitin 2022 vihet re një zgjerim i peshës së Tiranës, Vlorës, Fierot dhe Dibrës.

PBB për frymë, një pasqyrë e pabarazisë

Të dhënat e INSTAT theksojnë edhe pabarazitë e mëdha në mirëqenie mes rajoneve. Në Veri, PBB për frymë ishte 819 mijë lekë, 16.8% nën mesataren kombëtare. Në Qendër, arriti në 1.19 milionë lekë, 21.86% mbi mesataren, ndërsa Jug regjistroi 845 mijë lekë, 14.12% më pak se mesatarja e vendit.

Në ndarjen sipas qarqeve, Tirana qëndron në krye me 1.36 milionë lekë për frymë, 38.9% mbi mesataren kombëtare, pasuar nga Durrësi dhe Fieri. Në fund të renditjes janë Kukësi, Dibra dhe Berati, që mbeten ndjeshëm prapa pjesës tjetër të vendit.

Polarizimi ekonomik, një sfidë në rritje

Raporti i INSTAT konfirmon një prirje të qartë drejt përqendrimit të ekonomisë shqiptare në kryeqytet. Tirana tërheq investimet, krijon më shumë vende pune dhe ofron të ardhura më të larta për frymë, ndërsa periferitë dhe veriu përballen me stanjacion ekonomik dhe mungesë mundësish. Sfida e vërtetë mbetet zhvillimi i qëndrueshëm dhe i shpërndarë, që mund të garantojë një Shqipëri më të barabartë në dekadat që vijnë.

Rama: “Kjo qeveri nuk ikën pa e bërë Shqipërinë anëtare të BE-së”

Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato zhvilluan një konferencë për shtyp pas progres-raportit të dalë një ditë më parë nga Samiti i Zgjerimit të BE-së në Bruksel.Në fjalën e tij, Rama u shpreh se qeveria e tij nuk do të largohet pa e bërë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian.

“Grupi ynë negociator ka shkëlqyer në këtë proces, sepse nuk ka vajtur në tryezën e negociatave për të mësuar aty çfarë duhet bërë, por ka qenë mirë-stërvitur gjatë epokës së poshtërimit të Shqipërisë. Sot, ne i dimë shumë mirë detyrat.Jemi i vetmi vend në rajon që përdor Inteligjencën Artificiale në këtë proces dhe falë Diellës ne bëjmë transferimin me një shpejtësi shumë të lartë të të gjithë trupit ligjor të BE-së për t’u adoptuar në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë. Kryejmë me përpikmëri të gjitha ato detyrat dhe analizojmë me shumë durim të gjitha ato që janë të rreshtuara si probleme që duhen adresuar dhe duhen zgjidhur.

Dua të falënderoj nga zemra që të dyja ministret tona, që janë realisht dy arsye të mëdha për t’u ndjerë të qetë dhe për të marrë të gjithë respektin në Bruksel. Nuk dua të zgjatem më tutje, në të gjitha fushat raporti ka edhe arritjet edhe problemet. Në të gjitha fushat raporti i thotë shqiptarëve që Shqipëria ecën vendosmërisht në drejtimin e duhur dhe nga ana tjetër na thotë ne ç’duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë për të ecur pa asnjë ndalesë për të arritur objektivin e vitit 2027.

Shpresoj që këtë urim ta marrin siç duhet të gjithë ata që nuk e duan këtë qeverinë, por që sot duhet të ndihen më mirë, sepse sa më pranë të jemi me BE-në, aq më shumë do të ketë përkujdesje për ta. Ndihuni mirë që të gjithë, qofshi mbështetës, qofshi kundërshtarët, sepse kjo qeveri ka bërë detyrat si për mbështetësit, si për kundërshtarët. Mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë jemi në kohë të ndryshme sipas qeverive. Kjo e jona nuk shkon pa sjellë BE-në në Shqipëri dhe pa e bërë Shqipërinë pjesë të BE-së”, tha Rama ndër të tjera.

Prokuroria e Fierit sekuestron pasuritë e 3 shtetasve dhe kompanive të tyre

Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshsëm Fier, sekuestroi pasuritë e shtetasve A.H. K.H., dhe M.H., si dhe shoqëritë në posedim të tyre të cilat dyshohet se përdoreshin si mjet për pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale. 

Hetimet mbi procedimin penal nr.323, të vitit 2025, regjistruar për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, i nisur mbi bazën e të dhënave të përcjella nga Sektori për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nisën pasdyshimeve se shtetasit, A. H, A. H, nëpërmjet familjarëve dhe shoqërive tregtare në posedim të tyre, ishin përfshirë në veprimtarinë e pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimatrisë kriminale. 

Nga hetimet u dokumentua fakti se shtetasi A. H, në datë 24.05.2016, është arrestuar, pasi gjykata e apelit Milano/Itali, kalëshuar urdhrin e arrestit për kryerjen e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim. “Mbajtja e paligjshme e drogës” në bashkëpunim parashikuar nga legjislacioni Italian. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, nëvendimin e datës 26.05.2016, caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, në funksion të ekstradimit të këtij shtetasi të proceduar në Itali, në kuadër të një grupi krimal i cili, paratë e fituara nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve i dërgonin në Shqipëri nëpërmjet linjave të autobuzëve për udhëtarë. Nga shqyrtimi i Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, rezulton se, shtetasi A.H, ishte shpallur në kërkim nga autoritetet Italiane, për veprën penale “Përfitimi i të ardhurave që burojnë nga aktivitetet kriminale drogë”, parashikuar nga nenet 110 dhe 648 të Kodit Penal Italian. 

Sipas të dhënave paraprake ende në verifikim hetimet e autoriteteve italiane tregojnë se, grupi kriminal i drejtuar nga shtetas shqipëtarë, pjesë e së cilës ishte dhe A. H, ka dërguar në Shqipëri miliona euro të fituara në trafik droge, në periudha të ndryshme kohore. Këto para, dyshohet transportohen përmes linjave të autobusit Itali-Shqipëri apo nëpërmjet shoferëve të kamionëve të transportit ndërkombëtar. 

Në datë 13.06.2024, është kapur në flagrancë shtetasi J. Xh, i punësuar si shofer në subjektin A. T.”, i cili bente linjën Fier – Siçili, që posedonte vlera monetare të cilat dyshohet se i ka sjellë nga Italia. Po kështu, në të njëjtën datë është kapur shtetasi A. L, i punësuar si shofer në shoqërinë A. T”, teksa sillte nga Italia vlerën 89.390 Euro. Shtetasi A. L, ka deklaruar se punon si shofer autobuzi në kompaninë “A. T” që prej 5 vitesh dhe bën linjën Shqipëri-Itali. Vlerën monetare të gjetur deklaron se ia ka dhënë një shtetas Italian në stacionin e Katanias për ta transportuar në Shqipëri kundrejt një pagese të caktuar që është një përqind e shumës. 

Nga verifikimet e deritanishme rezulton se në pronësi të shtetasëve A.H, A.H, A.H, M.H dhe K.H, rezultojnë në pronësi krahas pasurive të paluajtshme dhe shoqëri tregëtare të organizuar në formën e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar. Nga administrimi i kësaj prove, rezuloi se shtetasi A.H, ka dhënë në formë huaje tek shoqëria “A” sh.p.k vlera të konsiderueshme që nuk dokumentojnë origjinën e kësaj shume. 

Mbëshetur në këto të dhëna, Prokuroria vlerësoi se jemi në kushte e aplikimit të masave me karakter pasuror bazuar në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar dhe kërkoi vendosjen e sekuestros mbi pasuritë e paluajtshme dhe e shoqëritë tregtare në zotërim të subjekteve si më poshtë:

▪ Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të A. H, M. H

1) Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 135.60 m2, me vendodhje Bashkia-Fier; 

2) Pasuria pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 127 m2, me vendodhje Bashkia-Fier;  

3) Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 59 m2, me vendodhje Bashkia-Fier; 

4) Pasuria e llojit njësi me sipërfaqe 17.10 m2, me vendodhje Rr “Dritan Hoxha”, Tiranë;  

5) Pasuria pasuri e llojit njësi me sipërfaqe 31 m2, me vendodhje Rr “Gjergj Arianiti”, Vlorë; 

▪ Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “A.” Shpk., 

1) Pasuria e llojit tokë arë me sipërfaqe 3949 m2, në lagjenSheq i Madh-Fier; 

▪ Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “A I” shpk., 

1) Pasuria llojit tokë arë me sipërfaqe 1971 m 2, në lagjenSheq i Madh-Fier; 

2) Pasuria e llojit tokë arë me sipërfaqe 3926 m2, në lagjenSheq i Madh-Fier

3) Pasuria tokë arë me sipërfaqe 2942 m2, në lagjen Sheq i Madh-Fier;

4) Pasuria e llojit tokë arë, me sipërfaqe 3931 m2, në Sheq i Madh-Fier; 

▪ Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të K. Hsi më poshtë

1) Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 55 m2, Bashkia Fier; 

2) Pasuri me sipërfaqe 137 m2, e llojit apartament Bashkia Fier; 

▪ Sekuestrimin e kuotave të shoqërive tregëtare në zotërim të individëve objekt verifikimi: 

1) Sekuestrimin e kuatoave të shoqërisë “A” sh.p.k

2) Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “A T” sh.p.k

3) Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “A” sh.p.k

4) Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “sh.p.k

5) Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “M.T” sh.p.k., 

Prokuroria është duke verifikuar mbi pasuri të tjera të subjekteve të dyshuara dhe lidhjet e tyre me persona të tretë, të cilat ponënshtrohen verifikimeve. Rezulton se vlerat monetare të cilat ka dyshime se janë injektuar në shoqëritë tregtare dhe pasuritë në zotërim të personave objekt verifikimi është disa milionëeuro. Ndërkohë që sipas raportit të ekspertit kontabël kanë rezultuar në një bilanc negativ për individët dhe shoqëritë tregtare.

2

Fier – Procedime dhe kërkime për disa shtetas të përfshirë në shkelje dhe incidente

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-S. L., 24 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap duke hedhur fishekzjarre;
-S. Ç., 37 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një shtetas 32 vjeç.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. B., 51 vjeç, banues në Ballsh, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në efektin e alkoolit;
-shpallën në kërkim shtetasin D. H., 38 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se dje, në fshatin Kashtëbardhë, me automjetin që drejtonte, ka përplasur automjetin që drejtonte shtetasi G. H., dhe është larguar nga vendngjarja. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. Punohet për kapjen e 38-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Rama: Nga 1 janari paga minimale 500 euro. Brenda mandati shkon në 700 euro

Edi Rama ka dhënë lajmin e mirë që që nga 1 janari do të kemi rritje të pagës minimale, duke e çuar në 500 euro. 

“Sot jam me kostum sepse për pak marrim në dorëzim
Pjesën e luanit në Projekt buxhet e zënë pensionistët. Në 2027 shtojmë shtesën përveç indeksimit. Në 2028 e trefishojmë. Në 2029 400 mln euro plus indeksinim.
1.7 mld euro më shumë që pensionistët do të marrin mbrapsht.
Nga 1 janari do të rritet dhe paga minimale, në 500 euro. Kjo do të jetë rritja e parë por jo e vetme, brenda mandatit paga minimale shkon 700 euro”, tha ai.

Lejuan ndërtime pa leje në zonën rezidenciale në Sauk, në pranga 5 inspektorë të IMT

Policia e Tiranës ka organizuar operacionin e koduar “Wrong Project”, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme.

Pas verifikimeve në një zonë rezidenciale në Sauk, u vunë në pranga pesë inspektorë të IMT Tiranë dhe një tjetër është në hetim pasi dyshohet se kanë lejuar ndërtimin pa leje të 3 banesave, duke shpërdoruar detyrën.

Po ashtu, tre persona të tjerë me të njëjtën detyrë janë shpallur në kërkim.

“U ndaluan: Gjergji Male, 38 vjeç; Krenar Rexhepi, 48 vjeç; Aldo Dubi, 35 vjeç; Odise Cenaj, 41 vjeç; Endri Dervishi, 32 vjeç. U shpallën në kërkim: Xh. M., 32 vjeç; K. D., 37 vjeç; A. N., 46 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë: E. D., 35 vjeçe”, njofton policia.

Të gjithë këta shtetas, me detyrë inspektor i IMT Tiranë, dyshohet se kanë lejuar ndërtimin pa leje të tre banesave në Sauk, ndërsa akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, u ndaluan dy persona dhe tre të tjerë u shpallën në kërkim, të gjithë administratorë ose zbatues të projektit për ndërtimin e tri objekteve.

“U ndaluan gjithashtu: Bianka Xhumari, 35 vjeçe; Ritvan Gjikolaj, 36 vjeç, me detyra drejtuese dhe teknike për subjektin ndërtues. U shpallën në kërkim: E. K., 55 vjeçe; S. S., 67 vjeç (bashkadministratorë të subjektit ndërtues) dhe E. Sh. (Ç.), 45 vjeçe, arkitekte.

Këta shtetas dyshohen për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, njofton policia.

Vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të shpallur në kërkim ndërsa gjithashtu, vijojnë hetimet për të dokumentuar përgjegjësinë penale individuale të 14 shtetasve të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.

KE publikon Progres-Raportin 2025, Kos: Shqipëria, progres të paprecedentë

Komisioni Europian ka publikuar progress-raportin 2025 për Shqipërinë, ku vlerësohet se vendi ka ruajtur një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe stabilitet makrofinanciar, ndërkohë që procesi i integrimit në Bashkimin Europian po shoqërohet me reforma të thella në ekonomi, financa dhe administratë.

Komisionerja për zgjerimin në Komisionin Europian, Marta Kos, nëpërmjet një deklarate tha se BE vlerëson ambicien e Shqipërisë, që ka bërë një progres të paprecedentë.

Kryeministri Edi Rama, ka bërë një reagim në rrjetin social X “Po, ja dolëm! Dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për të ulur më në fund si të barabartë rreth tryezës së BE-së. Le të vazhdojmë përpara, së bashku”, shkruan kreu I qeverisë.

Sipas raportit, ekonomia shqiptare u rrit me rreth 4 për qind gjatë vitit 2024, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe turizmi, ndërsa inflacioni ra nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke sinjalizuar stabilitet çmimesh. Borxhi publik vijoi të ulet, ndërsa deficiti buxhetor arriti nivelin më të ulët të dekadës.

Megjithatë, Komisioni nënvizon se rritja mbetet e brishtë për shkak të varësisë së lartë nga importet dhe shërbimet, ndërsa sektori industrial dhe ai bujqësor vazhdojnë të kenë produktivitet të ulët. Pavarësisht përmirësimit të tregut të punës dhe rritjes së pagave, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe emigrimi i të rinjve mbeten sfida të mëdha për ekonominë.

Në raport theksohet se Shqipëria ka përparuar në konsolidimin fiskal, por duhet të përmirësojë ekzekutimin e investimeve publike dhe transparencën e ndërmarrjeve shtetërore. Komisioni kërkon zbatimin e plotë të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe reduktimin e përjashtimeve tatimore, si dhe forcimin e menaxhimit financiar dhe të auditimit për përdorimin efektiv të fondeve të BE-së.