2 makina përfshihen në aksident në Lezhë–Milot, humb jetën drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri

Informacion paraprak

Rreth orës 01:30, në aksin rrugor Lezhë–Milot, janë përfshirë në një aksident rrugor automjeti me drejtues shtetasin A. Gj. dhe automjeti me drejtues shtetasin R. H., 66 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, kanë ndërruar jetë shtetasi R. H. dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin e tij, shtetasi A. H., 52 vjeç.

Nga veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes, dyshohet se shkak i aksidentit rrugor të jetë, krahas kushteve atmosferike me reshje të dendura shiu, pozicionimi i gabuar në karrexhatë i automjetit me drejtues shtetasin A. Gj., 33 vjeç, i cili rezultoi në gjendje të dehur.

33-vjeçari është arrestuar në flagrancë, ndërkohë që grupi hetimor po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Turqia leshon urdher arrest për Benjamin Netanyahu, nën akuzën e gjenocidit në Gaza

Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit lëshoi këtë të premte një urdhër-arrest për 37 persona ku mes tyre edhe për kryeministrin Izraelit Benjamin Netanyahu nën akuzën e kryerjes së gjenocidit ndaj popullit palestinez përgjatë luftës dy vjeçare në Rripin e Gazës.

Vendimi erdhi pas një padie të paraqitur nga Dhoma e Avokatëve të Stambollit, e cila akuzoi Izraelin për vazhdimin e krimeve kundër njerëzimit dhe të krimeve të luftës, pavarësisht nënshkrimit të një marrëveshjeje për armëpushim.

Në padinë e saj, Dhoma e Avokatëve thekson se Izraeli ka kryer “vrasje masive ndaj fëmijëve dhe grave të pafajshme, shkatërrim të mjedisit dhe mizori ndaj Gazes”.
Sipas deklaratës, “shteti i Izraelit përbën një kërcënim jo vetëm për popullin palestinez, por për gjithë njerëzimin”, duke kujtuar se vetëm gjatë dy viteve të fundit ka kryer sulme në Liban, Siri, Tunizi, Iran, Katar, Jemen, Irak, Maltë dhe Egjipt.

Në dokumentin e paraqitur si provë përfshihen disa raste të rënda, përfshirë atë të një vajze palestineze vetëm 6 vjeçe, e cila – sipas raportit – është qëlluar për vdekje me 335 plumba nga ushtarë izraelitë.
Po ashtu, përmendet bombardimi i Spitalit të Miqësisë Turko-Palestineze dhe “krimet e kryera ndaj aktivistëve të flotës humanitare Global SUMUD” në tetor.

Presidenti Turk Rexhep Taip Ergogan ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për kryerje te gjenocidit ne Rripin e Gazes ndërsa ka deklaruar se bota kishte mbyllur syte ndaj krimeve te njerezimit qe po kryheshin ndaj palestinezeve.

Vitin e kaluar, Turqia iu bashkua padisë së ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e akuzuar atë për gjenocid. Një armëpushim i brishtë është në fuqi në territorin e shkatërruar palestinez që prej 10 tetorit, si pjesë e planit të paqes rajonale të presidentit amerikan, Donald Trump.

Ra nga pema ku po mblidhte ullinj,ndërron jetë 43-vjeçari ne Berat

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Duhanas të Beratit, ku një 43-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga një pemë ulliri.

Viktima është identifikuar si Ermal Rripi, i cili ishte duke vjelë ullinj në momentin e aksidentit. Sipas burimeve lokale, Rripi ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar nga lartësia, duke pësuar dëmtime të rënda trupore.

Menjëherë pas ngjarjes, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, por, pavarësisht ndihmës mjekësore të menjëhershme, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë kryer këqyrjen e terrenit dhe kanë marrë dëshmi nga familjarë e të afërm të viktimës. Nga hetimet paraprake, ngjarja është konfirmuar si aksidentale dhe nuk dyshohet për rrethana të tjera.

Autoritetet kanë nisur procedurat e mëtejshme ligjore, ndërsa trupi i pajetë i 43-vjeçarit i është dorëzuar familjes për ceremoninë mortore.

Balluku në Athinë: Shqipëria synon të kthehet në eksportuese neto energjie brenda vitit 2030

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e 6-të të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC), zhvilluar në Athinë, ku u diskutuan çështje kyçe të sigurisë energjetike dhe bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Jugore.

Në këtë forum, Sekretari Amerikan i Energjisë, Chris Wright, shpalosi një vizion që vuri theksin te bashkërendimi mes vendeve aleate për minimizimin e varësisë europiane nga gazi rus, si dhe te roli që teknologjitë e avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, pritet të luajnë në transformimin e sistemit energjetik të kontinentit.

Gjatë P-TEC 6, Greqia nënshkroi një marrëveshje të rëndësishme që mundëson rritjen e aksesit të gazit të lëngshëm amerikan (LNG) në tregun europian, duke e kthyer rajonin në një nyje me rëndësi gjeopolitike strategjike. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi se në vitin 2024 Greqia është pozicionuar për herë të parë si eksportuese neto energjie.

Në fjalën e saj, Balluku informoi partnerët se Shqipëria ka objektiv të qartë që brenda vitit 2030 të kalojë nga një vend importues në një vend eksportues neto të energjisë. Ajo theksoi se ky vizion mbështetet në projektet strategjike të interkonjeksionit energjetik, që përfshijnë:

-Korridorin VIII energjetik, i cili shtrihet në një aks rajonal me rëndësi për shkëmbimet e energjisë;

-Korridorin Lindje–Perëndim, që lidh Rumaninë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Italinë;

-Linjën e re të interkonjeksionit nën det mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila u konsiderua nga pjesëmarrësit si një investim i domosdoshëm për sigurinë energjetike të Europës Juglindore.

“Sektori energjetik europian po hyn në një fazë të re transformimi, ku koordinimi dhe partneriteti strategjik janë çelësi për të garantuar qëndrueshmëri dhe pavarësi energjetike,” u shpreh Balluku.

Në Athinë ishte i pranishëm edhe Sekretari Amerikan i Punëve të Brendshme, Doug Burgum, me të cilin Balluku zhvilloi takim prezantues. Prezenca e tij, sipas saj, nënvizon rolin qendror që energjia ka në arkitekturën e sigurisë globale.

Balluku vlerësoi angazhimin e drejtpërdrejtë të Departamentit Amerikan të Energjisë në Europë si një garanci për forcimin e partneritetit transatlantik dhe për rritjen e qëndrueshmërisë energjetike të rajonit.

Berisha:Protesta per një qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Ish-kryeministri Sali Berisha shprehu pritshmëritë e tij pozitive për qytetarët që kanë votuar kundër qeverisë, duke theksuar se ata do të vazhdojnë misionin për përmbysjen e saj dhe rikthimin e të drejtës së votës së lirë.

Në një deklaratë të fundit, Berisha nënvizoi se platforma e opozitës para zyrave të qeverisë do të jetë “platforma më e ndjekur”, pavarësisht përpjekjeve për ta penguar nga mediat që kontrollon qeveria.

Ai theksoi se rrafshimi i kanionit për të përvetësuar 25 milionë euro është një “krim i shumëfishtë” dhe se qytetarët shqiptarë nuk mund të mohojnë përgjegjësinë e Ramës dhe Ballukut.

Ish-kryeministri përfundoi duke bërë thirrje për qytetarët që të vazhdojnë luftën e tyre për një qeveri teknike dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Belinda Balluku në Greqi: Shqipëria, partnere e përkushtuar në sigurinë dhe diversifikimin energjetik të rajonit

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis mbajti fjalën hapëse në takimin “Partneriteti për Bashkëpunim Transatlantik në Energji” (P-TEC), një nismë e organizuar nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë, qeverisë greke dhe Qendrës Globale të Energjisë në Këshillin Atlantik.

Në këtë aktivitet morën pjesë Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, dhe ministra të energjisë nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, përfshirë edhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku.

Fokusi kryesor i takimit ishte siguria dhe diversifikimi i burimeve energjetike, me theks të veçantë në uljen e varësisë nga gazi rus dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve përmes korridoreve të reja të furnizimit. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës energjetike dhe nxitjes së investimeve të përbashkëta për një të ardhme më të qëndrueshme.

Mysafir i Trump humb ndjenjat gjatë konferencës në Zyrën Ovale

Një incident i papritur ka ndodhur të enjten pasdite në Zyrën Ovale, kur një mysafir i Trump humbi ndjenjat gjatë konferencës së presidentit amerikan. 

Ngjarja ndodhi ndërsa Shtëpia e Bardhë po njoftonte iniciativa të reja për ilaçet kundër obezitetit. Pjesëmarrësi, i cili ishte ulur pranë drejtuesve të disa kompanive farmaceutike, u pa në vështirësi dhe më pas u rrëzua në dysheme.

Dr. Mehmet Oz, administrator i Qendrave për Shërbimet Medicare dhe Medicaid, reagoi menjëherë dhe i ofroi ndihmë mjekësore në vendngjarje. Edhe Presidenti Trump u ngrit nga vendi i tij për të parë gjendjen e të ftuarit, ndërsa zyrtarët kërkuan që mediat të largoheshin nga salla.

“Je mirë, Gordon? Je mirë?”- Dëgjohet të thotë drejtori ekzekutiv i Eli Lilly, David Ricks, në momentin kur ndodhi incidenti.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha më vonë se personi ishte përfaqësues i një kompanie farmaceutike dhe se tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Komisionerja Kos reagon pas deklaratave të Berishës ndaj Gonzatos: Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm

Komisionerja e BE për Zgjerimin Marta Kos, ka reaguar në mbrojtje të ambasadorit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato përmes një reagimi në X.

Kos reagoi pas deklaratave të kreut të PD Sali Berisha, i cili iu drejtua hapur Gonzatos në lidhje me ligjin për barazinë gjinore që po diskutohet në Parlament.

Berisha iu drejtua Gonzatos ditën e sotme duke i thënë se “ne respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tua për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare, dhe i them këtu, edhe në statusin tënd je binar”.

Kos u shpreh në reagimin e saj se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë një pjesë integrale e ligjit të BE-së dhe njehsimi i tyre është pjesë e integrimit evropian.

Ajo theksoi se ligji nuk është kërkesë personale e ambasadorit Gonzato, ndërsa theksoi se çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm.