INSTAT, 576 mijë shqiptarë janë në rrezik varfërie!

Më shumë se 576 mijë shqiptarë janë në prag rreziku për të rënë në varfëri. Referuar raportit mbi Anketën e Të Ardhurave për vitin 2022, të publikuar nga INSTAT, thuhet se rreziku për të qenë i varfër ka rënë me 1.4% krahasuar me vitin 2021. Sipas shifrave 20.6% e qytetarëve janë në rrezik varfërie, dhe kufiri për të qenë i tillë referuar INSTAT, është konsumi ditor më pak se 11 dollarë dita. Të ardhurat mujore për frymë që konsiderohen në kufi me rrezikun e varfërinë janë rreth 350 dollar muaj.

“Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2022 është vlerësuar me 225.931 lekë, në krahasim me 191.791 Lekë që ishte në vitin 2021. Në vitin 2022 janë vlerësuar rreth 576.316 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt rreth 622.705 individë të vlerësuar në vitin 2021. Numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër është ulur me rreth 7,4 %”, thuhet në raport. 

Në raport thuhet po ashtu se 33.2% e shoqërisë është e privuar nga e mira materiale dhe sociale

Privimi material dhe social i referohet treguesve që tregojnë kushtet materiale që ndikojnë në cilësinë e jetës së familjeve dhe individëve. Shkalla e thelluar e privimit material dhe social sipas agjendës Europa 2030, paraqet përqindjen e popullsisë që nuk përballojnë të paktën 7 nga 13 kategori të privimit material dhe social. Për vitin 2022, ky tregues është vlerësuar 37,0 % kundrejt 39,0% vlerësuar në vitin 2021”, vijon më tej raporti.  

Familjet më të predispozuara për të rënë në varfëri janë ato që kanë fëmijë nën varësi më të vegjël se 18 vjeç dhe që jetojnë të paktën me një prind dhe janë ekonomikisht inaktiv. Kurse rreziku është më i ulët tek ato familje që nuk kanë fëmijë. 

Krahasimi i rrezikut për të qenë i varfër për vitin 2022, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Rajonit dhe të Bashkimit Evropian tregojnë se: Vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Bullgari (22,9%), Estonia (22,8%), Letonia (22,5%), Rumania (21,2%), Lituania (20,9%), ndjekur nga Shqipëria (20,6%). Vlerat më të ulëta të varfërisë regjistrohen në Republikën Çeke (10,2%), Sllovenia (12,1%), Hungaria (12,1%), Norvegjia (12,2%) dhe Danimarka (12,4%). Mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian (27 shtete) është 16,5 %.

Zjarri në depozitat e ish-Uzinës së Ballshit, procedim penal per 2 punëtorë

Mallakastër/Informacion paraprak

Rreth orës 15:40, tek ish Uzina e përpunimit të naftës, gjatë punës për çmontimin e një depozite, si pasojë e mbetjeve të naftës në depozitë është shkaktuar zjarr.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme nga shërbimet e Policisë dhe zjarrëfikses u bë e mundur fikja e zjarrit.

Nga specialistët e Komisariatit të Policisë Mallakastër, u referuan materialet në Prokurori për shtetasit A. O., 49 vjeç, banues në Korçë, dhe B. R., 56 vjeç, banues në Mallakastër, pasi duke punuar për çmontimin e depozitës, nga pakujdesia kanë shkaktuar zjarr dhe si pasojë është shkaktuar ndotje e ajrit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Pas babait ndërron jetë dhe djali nga shpërthimi në Lushnjë

Rëndohet bilanci i ngjarjes së Lushnjës. Pas babait Landi Verçani, ka ndërruar jetën dhe djali i tij duke e çuar në dy numrin e viktimave si pasojë e shpërthimit të fuqishëm në një kapanon në Lushnjë.

ARMO ne Ballsh shkon për skrap, punëtorët dhe vetë shteti kërkojnë borxhin miliona euro nga kompanitë fantazmë

Denoncohen në vijimësi disa tentativa të kompanive që luanin me punëtorët dhe vetë shtetin me rafinerinë ARMO në Ballsh.

Në atë kohë, emisioni investigativ denoncoi se firma modeste dhe fantazmë po merrnin nën kontroll rafinerinë e përpunimit të thellë. Madje, duke krijuar borxhe të mëdha ndaj punëtorëve, furnitorëve dhe institucioneve shtetërore. Denoncimi i parë erdhi në vitin 2018, teksa nëpërmjet intervistave dhe dokumenteve faktuam se borxhi që ARMO i kishte shtetit shkonte në plot 600 milionë euro. Por, pas ikjes së Taçit dhe Azerëve, rafinerinë e mori banka nën pronësi.

Pas vitit 2018, rafineria iu la me qira disa firmave, duke filluar nga Tosk Energji apo Byllis Energji. Megjithëse ishin të ndara, ato kishin të njëjtët emra si administratorë dhe pronarë. Ne media eshte faktuar se në vitin 2019, nëpërmjet një tjetër investigimi, se rafineria në atë kohë po merrej nga firma Tosk Energji dhe Byllis Energji. Dy firma me persona të njëjtë; shqiptaro – zviceranin Blerim Hoxha dhe ish-administratorin Kristof Dabord, që kishte qenë gjatë kohës së Taçit. Pra, i njëjti administrator që e çoi në faliment po tentonte që të rimerrte kontrollin.

Madje, Fiksi denoncoi se kishte dyshime të mëdha se para ruse po hidheshin në atë rafineri. Bëhej fjalë për firmën “Gunvor”, me seli në Zvicër, por dyshohej se financohej nga Kremlini. Firma që punoi disa vjet te ARMO ishte “Tosk Energji”, e cila u largua dhe pas ikjes së saj, i gjithë ai Kombinat u çua për skrap.

Në redaksinë e Fiks Fare u ankua z. Kamber Iljazi, punëtor në atë rafineri dhe kryetar i Sindikatës së Punëtorëve. Ai tregon se rafineria nuk egziston më, si pasojë e keq menaxhimit. Një nga firmat që e menaxhoi keq është Byllis Energji. Madje edhe Tosk Energji, të dyja me administrator z. Blerim Hoxha. Thotë se ka punuar disa kohë me këtë firmë, por ata bën shkurtime. Më pas është pushuar nga puna dhe këtë vendimin e ka çuar në Gjykatën Administrative.

“Kam fituar gjyqin dhe rreth 3 milionë lekë të reja për të marrë si shpërblim. Por s’kam marrë asnjë lekë, pasi firma nuk ka asnjë aset. Në zyrat e saj s’përgjigjet njeri, telefon jo e jo. Kam marrë dy përmbarues privat, por sërish nuk i kam vjelë dot lekët që më takojnë” tregon Kamberi. Pohon se firmat dhe njerëzit kanë qenë fasadë, pasi pas tyre ishin të tjerë. “E volën sa e volën dhe e shkatërruan atë rafineri. Madje nuk shlyejnë asnjë detyrim, ndaj të gjitha palëve” përfundon ai.

Denoncuesi Kamber Iljazaj tha se ka bërë gjyqe me firmën “Byllis Energji”. Sipas një dokumenti të siguruar nga Fiks Fare, firma “Byllis Energji” ka pasur si administrator z. Blerim Hoxha. Më pas z. Hoxha është larguar, por duke qenë shumë aktiv në administrimin e ARMO-s. Por, shfrytëzimi i rafinerisë, të paktën me letra, u shfaq në tetor të vitit 2019. Pas kësaj date, dhjetëra individë, punonjës, firma private apo edhe institucione shtetërorë, vendosën të bllokonin aksionet e kësaj firme në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Fiks Fare bëri një vëzhgim në QKB, ku rezulton se firma “Byllis Energji” ka kërkesë për vendosjen e masës së sigurimit tatimor, nga Tatimet e Tiranës. Kërkohet që të mos tjetërsohen pasuritë dhe aksionet e kësaj firme. Ndërkohë, në janar të vitit 2020, në QKB u lëshua edhe një urdhër bllokimi nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj. Duket se, krahas borxhit të madh ndaj punëtorëve dhe firmave private, kjo firmë që administroi për disa kohë ARMO-n ka pasur borxh edhe ndaj shtetit.

Por, sërish nuk u ndërmor asnjë masë, duke e lejuar që të vijojë aktivitetin dhe të thellojë borxhet, ashtu si edhe kompanitë e mëparshme. Vetë kompania publikonte bilance në QKB, ku pranonte se detyrimet e saj ndaj shtetit, huat, apo shoqërive tregtare private shkonte në plot 10 milionë euro.

Në prill të vitit 2022, largohet administratori shqiptar dhe emërohet një administrator i huaj. Edhe gjatë kësaj kohe, lëshohen një mori vendimesh për bllokimin e aksioneve, si pasojë e borxheve.

Ndërkohë, një tjetër firmë që ka pasur një rol kyç në administrimin e ARMO-s ka qenë “Tosk Energji”. Janë të njëjtët emra, ku rol kyç ka pasur shqiptaro-zvicerani Blerim Hoxha dhe ish administratori z. Kristof Dabord. Emra të cilët i investigoi Fiks Fare në vitin 2019, të cilët me firma fantazmë dhe riciklime arritën të merrnin në dorë rafinerinë. Madje, bënë tentativa që ajo rafineri të financohej nga firma “Gunvor”, me seli në Zvicër, pas së cilës dyshohet se fshihen biznesmenë rusë.

Fiksi siguroi një dokument, që bën fjalë për një bashkëpunim mes firmës Tosk Energji dhe Gunvor. Por, edhe në këtë firmë, Toks Energji, janë vendosur disa urdhra sekuestroje. Urdhrat janë lëshuar nga individë, firma apo edhe organet tatimore.

Institucionet shtetërore, me apo pa dashje, kanë lejuar që këto firma që menaxhuan para çmontimit për skrap ARMO-n të krijojnë një borxh të madh. Borxhi llogaritet në miliona euro, duke përsëritur aferën gjatë administrimit të Taçit. Asnjë institucion, qoftë edhe ligj zbatues, nuk parandaloi këtë skemë, çka ka detyruar qindra punonjës të bredhin me letra në duar për të kërkuar firmat fantazmë.