Protesta e 10 shkurtit, Policia angazhon mbi 1.000 efektivë

Policia e Shtetit ka hartuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës kombëtare të thirrur nga opozita, e cila do të zhvillohet të martën, më 10 shkurt, në orën 17:00, para Kryeministrisë.

Sipas burimeve për Euronews Albania, mbi 1.000 efektivë do të jenë në terren dhe në gatishmëri. Përveç forcave të rendit, do të angazhohen edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, RENEA, si dhe agjentë civilë.

Kufizime dhe bllokime të qarkullimit

Duke nisur nga ora 23:45 e së hënës, do të ndalohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit.

Ndërsa nga ora 15:00 e së martës dhe deri në mbylljen e protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në:

  • Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”
  • Rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”

Në varësi të situatës, kufizime mund të vendosen edhe në akse të tjera rrugore. Policia e Tiranës ka parashikuar devijime të qarkullimit në rrugë alternative.

Apel për qytetarët

Policia u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset e bllokuara, për të mos penguar zhvillimin e tubimit dhe lëvizjen e pjesëmarrësve.

Çfarë ndodhi në protestën e mëparshme

Në protestën e 24 janarit, u arrestuan 18 persona, 17 të tjerë u proceduan penalisht dhe dy protestues u shpallën në kërkim. Gjithashtu, u dëmtuan 11 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital.

Po ashtu, u procedua penalisht edhe sekretari organizativ i Partisë Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

ITALI -(Video)S*lm i armatosur në autostradë,dy të arrestuar, pjesa tjetër e bandës në arrati

Momente frike u regjistruan këtë mëngjes në autostradën Brindisi–Leçe (SS 613), pranë kryqëzimit Tuturano, ku një komando e armatosur sulmoi një furgon të blinduar.

Sipas mediave italiane, autorët hapën zjarr ndaj mjetit dhe pati një shkëmbim zjarri me karabinierët. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.

Dy persona, të dyshuar si anëtarë të bandës, u arrestuan nga karabinierët e komandës provinciale të Leçes, nën drejtimin e kolonelit Andrea Siazzu. Ata u lokalizuan në zonën veriore të Salentos, ku forcat e rendit përqendruan menjëherë kërkimet. Dyshohet se anëtarë të tjerë të grupit janë ende në arrati.

Sulmi nisi kur autorët bllokuan rrugën me një mjet të rëndë dhe më pas hapën zjarr për të izoluar zonën. Gjatë ndjekjes, një plumb goditi një automjet të karabinierëve, duke dëmtuar pjesën e pasagjerëve, ndërsa një tjetër makinë e një oficeri civil doli nga rruga. Asnjë person nuk mbeti i lënduar.

Banditët përdorën eksplozivë për të shkatërruar furgonin e blinduar, duke krijuar një re të madhe tymi, dhe u larguan drejt zonës së Squinzanos.

Pamjet e regjistruara nga drejtues mjetesh tregojnë të paktën gjashtë persona, me fytyra të mbuluara, të veshur me tuta të zeza dhe të bardha, të armatosur me pushkë.

Grabitja nuk u finalizua. Për t’u arratisur, autorët dyshohet se grabitën disa shoferë dhe përdorën makina me drita sinjalizuese për t’u maskuar si automjete policie.

Autostrada SS 613 u mbyll në të dyja drejtimet, nga km 8,300 deri në km 12,800, në zonën e San Pietro Vernotico. Ekipet e Anas dhe forcat e rendit po punojnë për normalizimin e qarkullimit.

Rama: Do të vijojmë betejën ligjore për Ballukun, edhe me konsulencë ndërkombëtare

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mazhoranca do të vijojë betejën ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rivendosi masën e pezullimit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Rama theksoi se çështja do të ndiqet deri në fund, përfshirë edhe përmes konsulencës ndërkombëtare, duke e cilësuar situatën si një problem që prek vetë funksionimin e institucioneve kushtetuese.

Reagimi i Ramës – 3 konkluzione

Kryeministri renditi tre përfundime kryesore nga mbledhja e grupit parlamentar, pas asaj që e quajti “mosvendim” të Gjykatës Kushtetuese:

1. Funksionet kushtetuese të padelegueshme – nga anëtari i qeverisë te Presidenti i Republikës dhe jo vetëm – nuk mund të pezullohen mbi bazën e një emri të përveçëm, pasi pezullimi paralizon funksionin dhe institucionin që ai përfaqëson.

2. Duke iu referuar edhe deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku anëtarët shfaqen unanimë mbi problemin por të ndarë në rrugëzgjidhje, Rama tha se grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjeve në legjislacion.

3. Sipas tij, pala e vetme e “përmbushur” nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, i cili në kushtet e kësaj mase mund të vijojë qetësisht hetimin, ndërkohë që – deri në adresimin ligjor të çështjes – nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK-ut pas rënies së masës së mëparshme.

Shtesë / qëndrim

Rama theksoi se SPAK-u nuk preket, por mbështetet, ndërsa liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar këdo dhe çfarëdo, sipas tij, jo vetëm që nuk cenohen, por garantohen.

Po ashtu, kryeministri nënvizoi se pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv nuk vihet në diskutim, por synohet të forcohet përmes qartësimit ligjor.

Fier: Arrestime për drejtim mjeti në gjendje të dehur, baste online, dh*në në familje dhe vjedhje

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasin P. H., 36 vjeç, banues në Patos, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin F. P., 39 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit të celularit të tij, u gjetën faqe online për baste sportive. Celulari u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan shtetasin Sh. Sh., 50 vjeç, banues në fshatin Kapaj, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos arrestuan shtetasin F. B., 28 vjeç, banues në Patos, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një dyqan në Patos.

Në Komisatiatin e Policisë Fier, ka kallëzuar shtetasi A. Rr., 35 vjeç, banues në Fier, se janë vjedhur disa materiale pune në kantierin në pronësi të tij. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Rama mbledh grupin parlamentar të Partisë Socialiste

Rama merr pjesë në mbledhjen e Grupit Parlamentar, pasdite udhëton drejt Brukselit

Grupi Parlamentar është mbledhur mëngjesin e së hënës, ndërsa në takim ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Mesohet se Rama ka marrë pjesë në mbledhje përpara nisjes së tij drejt Brukselit.

Sipas burimeve, kryeministri do të udhëtojë sot rreth orës 14:00 drejt kryeqytetit belg, ku në mbrëmje pritet të zhvillojë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.

Takimi vjen në kuadër të angazhimeve të Ramës në procesin e integrimit europian dhe bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Europian.

Teza se Fieri nuk drejtohet nga fierakët sa e gabuar, aq dashakeqëse!

Ndoshta është një rast i përsëritur kur forca politike që të vesh me pushtet e keqpërdor atë, duke mos njohur më fuqinë që e ka marrë nga vetë qytetarët. Pas Vlorës me ish-kryebashkiakun Dritan Leli, një situatë e ngjashme po shfaqet në Fier, Durrës, Elbasan etj. Per ilustrim le ti referohemi Fierit të cilin e njoh në detaje per shkak të profilit të punës time.

Duke përfituar nga pezullimi nga detyra i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në Fier ka nisur një valë reagimesh dhe sulmesh në rrjetet sociale, që kundërshtojnë hapur strategjinë e kryeministrit Edi Rama për ristrukturimin e drejtimit të punës dhe shërbimeve në aparatin e bashkisë. Lëkundja e pozitave të Ballukut dhe vëmendja e madhe publike ndaj kësaj çështjeje, për shkak të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kanë ringjallur ambicie të vjetra për pushtet lokal.

Në Fier po përpiqen të rikthehen skema të njohura, ku disa individë kërkojnë të vendosin sërish se kush emërohet, kush largohet dhe kush kontrollon institucionet, jo vetëm në bashki, por në të gjithë administratën publike.

Për të ringjallur shpresë tek mbështetësit e tyre dhe për të mbjellë përçarje, njerëz pa integritet dhe pa autoritet moral janë hedhur në sulm në rrjetet sociale, duke përdorur një tezë të rrezikshme: se Fier nuk drejtohet nga fierakë, por nga “të ardhur nga rrethet e tjera”.

Kjo propagandë, e verbuar nga urrejtja anti-PS, nuk kupton se tronditja e strukturave dhe nxitja e ndasive dëmton në radhë të parë vetë Partinë Socialiste, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore, kur në krye të Bashkisë Fier pritet të jetë një emër i ri, ose dhe aktuali Subashi ( kjo varet nga “konjuktura” e brendshme politike e PS-se)

Më kryesorja është se ky argument nuk qëndron. Faktet flasin ndryshe. Ja lista e drejtuesve aktualë në institucionet kryesore të Fierit:
• Drejtoria e Tatimeve – Saimir Zotaj (Fier)
• Drejtoria e Hetimit Tatimor – Xhuljo Rushi (Fier)
• Bordi i Kullimit – Theodor Stefa (Fier)
• Drejtoria e Transportit dhe Automjeteve – Alban Toska (Fier)
• Drejtoria e Spitalit Rajonal – Arben Voja (Fier)
• Zyra e Hipotekës – Everest Gazheli (Lushnje)
• Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore – Andius Olldashi (Fier)
• Fondi i Sigurimit Shëndetësor – Nevila Doko (Fier)

Ndërkohë, Ujësjellësi, OSHEE dhe Albpetrol janë shoqëri aksionare që drejtohen nga borde, dhe drejtuesit e tyre, pas marrjes së detyrës, janë rezidentë në Fier.

Pra, narrativa se institucionet “drejtohen nga të huaj” nuk është veçse një alibi politike për të justifikuar etjen për pushtet dhe për të destabilizuar strukturat në një moment delikat për qytetin dhe për vendin.

Fieri nuk ka nevojë për përçarje, por për stabilitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi. Çdo tentativë për ta kthyer administratën në pronë personale është një hap pas – dhe qytetarët e Fierit e meritojnë më shumë se kaq.

Aks*dent në Lushnje, drejtuesi i “BMW” përplaset me një kalë!

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor “Tri Ura” në Lushnje. Mësohet se një kalë i ka dalë përpara automjetit tip BMW dhe përplasja ka qenë e pashmangshme. Edhe në kushtet e errësirës shoferi i automjetit e ka pasur të pamundur të manovronte edhe për shkak se kafsha i ka dalë papritmas.

Ndërkohë bashkëshortja e drejtuesit të automjetit është lënduar dhe për pasojë është transportuar menjëherë në spital ku edhe po merr trajtim mjekësor. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Ndërsa raportohet se si pasojë e përplasjes kafsha ka ngordhur. Në kushtet e errësirës ky aks rrugor nacional që lidh Lushnjen me anë të autostradës me pjesën e Grabjanit dhe Çermës është tepër i rrezikshëm

Policia jep detaje nga dh*na e perdorur ndaj avokatit Kujtim Cakrani

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike, pranë një karburanti, gjatë kohës që do furnizonte automjetin me karburant, shtetasi K.C., 55 vjeç, me profesion avokat, është përfshirë në një konflikt me dy persona ende të paidentifikuar.

Konflikti, që paraprakisht dyshohet se ka të bëjë me pozicionimin e automjetit në pikën e furnizimit dhe bllokimin e mjeteve të tjera, është përshkallëzuar, dhe dy personat ende të paidentifikuar e kanë goditur fizikisht shtetasin K.C., i cili po merr ndihmë mjekësore në spital.

Nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i automjetit me të cilin janë larguar dy shtetasit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.