Lufta Izrael-Iran- “Nafta mund të rritet në 100 USD për fuçi”

Konflikti mes Izraelit dhe Iranit është futur në ditën e katërt, ndërsa në fokus të sulmeve ka qenë edhe infrastruktura apo rezervat e naftës dhe gazit të dy vendeve.

Megjithatë, rritja me 7% e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare të premten, është ndalur në sesionin e së hënës, pavarësisht frikës se lufta do të shtrihet edhe në infrastrukturën energjetike dhe mund të ndërpresë furnizimet në rajon.

Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, shprehet se mund të ketë një rritje domethënëse të çmimeve të naftës, vetëm nëse Irani vendos të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, nga ku kalojnë rreth 19 milionë fuçi naftë në ditë, ose 1/5 e konsumit ditor global. Një rritje e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare do të reflektohej edhe në tregun shqiptar të shitjes me pakicë të hidrokarbureve. 

Ndërkohë, parë në këndvështrimin gjeopolitik, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, shprehet se konflikti mund të jetë i izoluar vetëm mes Izraelit dhe Iranit, për faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të jenë neutralë deri më tani. Sipas Bytyçit, Ballkani Perëndimor nuk rrezikohet nga konflikti në Lindjen e Mesme. 

Çmimet e naftës u rritën me më shumë se 7% të premten, menjëherë pasi Izraeli nisi sulmet kundër programit bërthamor dhe balistik të Iranit, si dhe ndaj udhëheqjes të lartë ushtarake.

Kjo ishte rritja më e madhe ditore e çmimeve të naftës që nga marsi i vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës. Sipas bankës Goldman Sachs, nëse Irani vendos të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, çmimet e naftës mund të rriten deri në 100 dollarë për fuçi.

/SCAN/

Avokati izraelit bën thirrje për paqe pasi humbi dy vajzat, bashkëshorten dhe kunatën nga raketat iraniane

Një tragjedi e rëndë personale pasqyron përmasat njerëzore të konfliktit të përshkallëzuar në Lindjen e Mesme.Avokati izraelito-arab Raja Khatib ka ndarë me lot në sy dhimbjen e pakufishme, pasi humbi gruan, dy vajzat dhe kunatën nga një raketë e lëshuar nga Irani që goditi shtëpinë e tij në qytetin Tamra, në lindje të Haifës, të shtunën mbrëma.

“Kam humbur lulet e jetës sime. Një javë më parë ishim në udhëtim jashtë vendit, të lumtur dhe plot gëzim. Tani, gjithçka është kthyer në dhimbje dhe katastrofë”, tha Khatib për mediat vendase.Raketa goditi një ndërtesë dykatëshe elegante, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që i mori jetën vajzave të tij Hala (13 vjeç) dhe Shada (20), bashkëshortes Manar, si dhe kunatës së tij, e quajtur gjithashtu Manar.

“Çdo gjë u shkatërrua për pak sekonda. Kam humbur një grua të mrekullueshme, një mësuese e suksesshme dhe nënë e përkushtuar. Dashuria ime për të është e pashpjegueshme. Ajo do të jetojë në zemrën time gjithë jetën time”, tha ai në një intervistë për Ynet.

Khatib tha se ka mbetur vetëm me një nga vajzat, Razan, të cilën arriti ta shpëtojë në çastet e para të sulmit. Ai hyri në banesë dhe shkoi në katin e dytë, aty ku ra raketa. Pavarësisht përpjekjeve për të nxjerrë pjesën tjetër të familjes, nuk arriti t’i shpëtonte.

“Nuk mund ta besoj që kam mbetur vetëm me një vajzë. Nuk do të rikuperohem lehtë. Tani kemi nevojë për ndihmë dhe mbështetje për të përballuar këtë humbje shkatërruese.”

Në fund, Khatib bëri një thirrje të fortë për paqe: “Është koha që kjo luftë të ndalet kudo. Ne, civilët, po paguajmë çmimin më të rëndë.”

Tragjedia e familjes Khatib është bërë simbol i vuajtjes së civilëve në një konflikt që po shkatërron jetë të pafajshme përtej çdo kufiri politik.

Izraeli godet televizionin shtetëror të Iranit

Izraeli ka goditur godinën e televizionit shtetëror të Iranit.Shpërthim i fuqishëm u dëgjua ndërsa një prezantuese ishte në transmetim të drejtpërdrejtë.

Ky sulm i radhës vjen pas kërcënimeve të bëra më herët sot nga ministri izraelit i mbrojtjes i cili tha se ‘Transmetuesi shtetëror i Iranit do të zhduket’.Sipas medias iraniane ‘Izraeli po përpiqet të heshtë zërin e së vërtetës’.

Erdogan i gatshem për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit Iran-Izrael

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i bëri me dije homologut të tij iranian, Masoud Pezeshkian, se Turqia është e gatshme të luajë një rol aktiv në lehtësimin e bisedimeve bërthamore dhe rikthimin e dialogut mes palëve.

Në një telefonatë të zhvilluar të hënën, Erdogan theksoi rëndësinë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund tensioneve dhe konfliktit me Izraelin.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për situatën dramatike në Gaza, duke theksuar nevojën për paqe dhe stabilitet në rajon. Ky hap i Turqisë shihet si një mundësi pozitive për avancimin e negociatave dhe uljen e tensioneve ndërkombëtare.

Martesa e Alex Soros NYT: Fjalimet u mbajtën nga Hillary Clinton dhe Edi Rama

Establishmenti demokrat zbriti këtë fundjavë në Hamptons për diçka që ngjante me një “martesë mbretërore politike”, duke bashkuar botën e politikës me fonde të mëdha dhe figurat e brendshme të epokës së Clintonëve.Të sapomartuarit ishin Alex Soros, djali i George Soros, donatori më i madh i Partisë Demokrate, dhe Huma Abedin, një ndihmëse politike që shpesh është përshkruar si thuajse vajza e Hillary Clinton, ish-Zonjën e Parë dhe Sekretare e Shtetit. E mbajtur të shtunën në rezidencën e zotit Soros në Water Mill, Nju Jork, dasma tërhoqi avionë privatë dhe shumë ndihmës të familjes Clinton, duke krijuar një përqendrim të rrallë të pasurisë dhe pushtetit.

Përveç familjarëve të çiftit, në listën e të ftuarve ishin: Hillary dhe Bill Clinton, ish-nënpresidentja Kamala Harris me bashkëshortin Doug Emhoff, senatori Chuck Schumer, deputeti Hakeem Jeffries, ish-Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, personazhe si Nicky Hilton Rothschild, figura të botës së modës si Anna Wintour, miq të vjetër të Clintonëve si Susie Tompkins Buell, dhe madje edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Sipas katër personave që ishin të pranishëm dhe disa përfaqësuesve të të ftuarve, grupi vokal Boyz II Men performoi në dasmë, dhe fjalime mbajtën vëllai i Alex-it, Jonathan Soros, Hillary Clinton, Anna Wintour, dhe Edi Rama. Menuja përfshinte agnolotti me trumzë, supë të ftohtë me bizele dhe mish “Wagyu amerikan me karkaleca të pjekur”.

Festimet ndodhën në të njëjtën fundjavë kur në SHBA dhe jashtë saj kishte kaos: protesta kundër Presidentit Trump, një ligjvënës i Minnesotës i vrarë në një akt dhune politike dhe tensione të rënda midis Izraelit dhe Iranit. Ndërkohë, në Hamptons gjithçka ishte e qetë, me autokolona me SUV të zinj që sillnin të ftuarit në një rrugicë të ngushtë me gjelbërim dhe lule vjollcë.

Alex Soros, 39 vjeç, është bërë një figurë gjithnjë e më e rëndësishme në botën e donatorëve progresistë. Ai ka një doktoratë në histori dhe ka marrë në dorë financimet që më parë i menaxhonte babai i tij, George Soros, tani 94 vjeç. Alex e ka quajtur veten “më politik” se babai dhe është mjaft aktiv në rrjetet sociale.

Romanca e tij me Huma Abedin, 49 vjeç, ka tërhequr vëmendjen e shoqërisë së lartë, jo vetëm për lidhjen me Clintonët, por edhe sepse martesa e saj e mëparshme me Anthony Weiner përfundoi në mënyrë skandaloze, për shkak të skandaleve të tij seksuale online.
Çifti shpalli fejesën në korrik të vitit të kaluar. Fillimisht kishin planifikuar të martoheshin fshehurazi, por pas një feste fejese të organizuar nga Hillary Clinton në dhjetor, u bindën të bënin një dasmë tradicionale. “Mendoj se e meriton,” tha Hillary për revistën “Vogue”. “E meriton të ketë një moment të tillë.”

Festimet përfshinë edhe një ceremoni më të vogël të premten, që nderonte besimin islam të Abedin dhe trashëgiminë hebraike të Soros. Një rabin dhe një imam e udhëhoqën ceremoninë, sipas të pranishmëve.
Në dallim nga Soros, “Abedin është më e rezervuar” dhe ka preferuar të jetë larg vëmendjes. Ajo nisi punën me Hillary Clinton si praktikante në moshën 19-vjeçare dhe më pas mori role më të dukshme. Ka shkruar një kujtim në vitin 2021 dhe tani është kontribuuese në MSNBC.
Martesa e tyre i pozicionon si një “çift politik me ndikim”, që pritet të mbetet në qendër të vëmendjes publike.

Këtë fundjavë, “Hamptons dukej si një ribashkim i epokës Clinton”, me të ftuarit që u mblodhën në hotele luksoze dhe darka për të shijuar kohën bashkë. “Trafiku ka qenë kaos këto ditët e fundit,” tha Zach Erdem, një pronar restoranti në Southampton.
Pjesëmarrja e figurave të pasura dhe me influencë bie në kontrast me “debatin e brendshëm në Partinë

Demokrate” për mënyrën se si të rifitohet mbështetja e klasës punëtore amerikane — një shtresë me të cilën partia duket se ka humbur kontaktin. Ndërsa Maserati, Porsche dhe makina të tjera luksoze lëviznin para vendit të dasmës, disa kalimtarë ndaleshin nga kurioziteti. Një grua doli nga dritarja e makinës dhe bërtiti: “Përshëndetje, Bill!” — edhe pse nuk dihet nëse ish-presidenti Clinton e dëgjoi.
Kjo dasmë mund të jetë “ngjarja më e rëndësishme shoqërore e verës”, por vetëm për disa javë: më vonë këtë muaj, shumë nga të njëjtët të ftuar do të udhëtojnë në “Venezia për dasmën e Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez”.

Itali-Po kalonte shinat,19-vjeçari shqiptar përpl*set nga treni

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e të shtunës ku një 19-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht. Sipas raportimeve nga mediat italaine mësohet se i riu u përplas për vdekje nga një tren.Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në sytë e miqve të 19-vjeçarit. I riu po kalonte në anën tjetër ku u përplas nga treni. Mendohet se ai ndoshta nuk e pa trenin që po vinte në drejtim të tij ose ndoshta e pa nga larg dhe provoi të kalonteme idenë se mund t’ia dilte në kohë. \

19-vjeçari italo-shqiptar vdiq menjëherë. Mjekët mbërritën në vendngjarje me një ambulancë dhe një makinë mjekësore, si dhe zjarrfikësit me dy automjete speciale të llojit që përdoren në rast aksidentesh hekurudhore. Zjarrfikësit u përballën me një skenë të tmerrshme, ata nxorën trupin plotësisht të coptuar nga treni. 

Hetuesit po shqyrtojnë dëshmitë e miqve dhe imazhet nga kamerat e sigurisë së stacionit. Në atë kohë, duket se nuk kishte udhëtarë të tjerë që prisnin trenat në stacion. Vetëm ai grup i vogël miqsh që me sa duket u takuan në nënkalimin e stacionit.

Tensionet ne Lindjen e Mesme /Goditet Ambasada amerikane në Tel Aviv

Tensionet po rriten në Lindjen e Mesme, teksa Ambasada Amerikane në Tel Aviv u godit nga sulmet iraniane.Ambasadori i SHBA-së, Mike Huckabee, njoftoi në një postim në Twitter se ndërtesa e ambasadës amerikane në Tel Aviv pësoi dëme të vogla të shkaktuara nga një valë goditëse pas një sulmi me raketa.

Lajmi për sulmin ndaj ambasadës amerikane mund të lidhet me faktin se më shumë se 25 anije fluturuese amerikane u nisën herët këtë mëngjes nga SHBA-të dhe po lëvizin në lindje drejt Evropës – Lindjes së Mesme.

Në të njëjtën kohë, bota po i ndjek me shqetësim zhvillimet me përshkallëzimin e konflikteve midis Izraelit dhe Iranit në Lindjen e Mesme.

Shqetësimi po intensifikohet ndërsa Irani fillon të përdorë raketa hipersonike me precizion të lartë, të cilat shkaktojnë sulme në Izrael dhe “shpërthejnë” kupolën mbrojtëse. Analistët tani po përqendrohen në aftësitë që po zhvillon makina sulmuese e Iranit dhe sulmet që mund të arrijë në Izrael.

Kapet me 2 kg ko*ainë, arrestohet shqiptarja në Rodos

Një 22-vjeçare shqiptare është arrestua në portin e Rodosit, menjëherë pasi mbërriti me traget nga Pireu, pasi është kapur me mbi 2.2 kilogramë kokainë të fshehur në valixhen e saj.

Sipas mediave greke, e reja shqiptare nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimit, ndërsa policia po heton nëse pas saj fshihet ndonjë rrjetet i organizuar trafikantësh drogë.

Gjatë kontrollit, përveç 2.248 gramëve kokainë, oficerët sekuestruan edhe një pistoletë 9 mm, 49 fishekë si dhe 1.300 euro para cash.

22-vjeçarja ndodhet aktualisht në paraburgim dhe pritet të dalë nesër në mëngjes para Prokurorisë së Rodosit, ku do t’i komunikohet zyrtarisht akuza për trafik të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë, hetimet e autoriteteve greke vijojnë, me fokus në zbardhjen e rrjetit të trafikut dhe itinerarit të saktë që ndoqi droga, e cila kishte si destinacion ishullin turistik.