Vendosen çmimet e reja të banesave në treg, ja bashkitë që kanë rritjen më të lartë

Qeveria ka miratuar çmimet e reja mesatare të shit-blerjes së banesave në treg.Cmimet jane vendosur sipas zonave kadastrale për 61 bashkitë në vend, të cilat rezultojnë me rritje të konsiderueshme në pjesën më të madhe të territorit të vendit krahasuar me vitin 2023.

Referuar urdhrit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të publikuar në Fletoren Zyrtare, çmimi mesatar i sipërfaqes banuese për m2 në Tiranë arrin në 124.316 lekë.

Duke marrë në analizë njësitë më të mëdha, vihet re se bashkinë Durrës, çmimi i ri mesatar i banesave arrin në 71.157 lekë/m2 nga 67.500 lekë/m2 me një kapërcim prej 3657 lekë/m2.

Në bashkinë Elbasan një m2 sipërfaqe banimi arrin në 55,400 lekë, me një kapërcim prej 5100 lekë nga një vit më parë. Në Fier çmimi i shitjes regjistrohet në 55.375 lekë/m2, me një rritje prej 2275 lekë/m2.  

Në bashkinë Vlorë çmimi i ri rezulton 66.680 lekë/m2, duke u rritur me 4480 lekë/m2.

Çmimi mesatar për një m2 sipërfaqe banimi në Shkodër arrin në 62.280 lekë, apo 4280 lekë më i lartë se në vitin 2023.   Korça arrin një vlerë shitje prej 59.525 lekë/m2, me një rritje rekord prej 13.725 lekë për m2.

Në Berat çmimi mesatar i një banese për m2 përcaktohet në 52.200 lekë, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej 10.800 lekë/m2. Në bashkinë Kamëz vlera shkon në 62.550 lekë/m2 , duke u rritur me 10.550 lekë/m2.  

Në bashkinë Gjirokastër, çmimi arrin në 48.600 lekë/m2, me një rritje prej 1200 lekësh.  Ndërkohë që c çmimet e pronave rritje kanë pësuar edhe njësitë e tjera më të vogla.

Sa i takon zonave bregdetare, në njësinë administrative Golem, çmimi mesatar i shitjes për banesa shkon mesatarisht në 56.500 lekë/m2 , në Shëngjin 49.150 lekë/m2, në Velipojë 60.400 lekë/ m2, në  Orikum  61.433 lekë/m2 dhe në Dhërmi arrin në 186.400 lekë/m2.

Sipas legjislacionit në fuqi, përcaktimi i çmimeve mesatare të shitblerjes së banesave në treg bëhet me qëllim përdorimin e tyre nga Enti Kombëtar i Banesave (EKB) ose njësitë e vetëqeverisjes vendore: për të vlerësuar, nëse në territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore është më ekonomike të ndërtohen banesa të reja apo të blihen nga tregu; për ta përdorur si nivel reference, në rastet kur vendosin të blejnë banesa në tregun e lirë; si dhe për të përcaktuar kufirin maksimal të kreditimit në zbatim të vendimit Këshillit të Ministrave, “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurën e dhënies së tij për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët, me kredi të lehtësuara nga shteti”.

Rreth 150 km të vijës bregdetare në Shqipëri po goditet nga erozioni

Erozioni, një forcë natyrore, e kombinuar me pasojat e dorës njerëzore është kthyer në një kërcënim të heshtur, një katastrofë që na kalon përpara syve pa bërë zhurmë.

Sipas specialistëve rreth 150 kilometra të vijës sonë bregdetare po i nënshtrohet me ritme të shpejta erozionit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme social-ekonomike.

Sipas një raporti të Programit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, humbja e tokës për shkak të erozionit është 2-3 herë më e lartë në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Mesdheut dhe 10 deri në 100 herë më e madhe se sa në shumë vende të tjera Europiane. Ndërsa institucionet shtetërore qëndrojnë indiferent.

Bregdeti mahnitës shqiptarë i shtrirë në 454 kilometra, një pasuri natyrore e jashtëzakonshme, ka tërhequr vëmendjen e miliona turistëve nga e gjithë bota.

Plazhet me rërë të artë, ujërat e kristalta të deteve Jon dhe Adriatik, si dhe vijat malore që prekin bregun, krijojnë një peizazh unik të pakrahasueshëm.

Nga plazhet e gjata dhe të qeta të Vlorës, te bukuritë e Shëngjinit e deri në ishujt dhe gjiret e fshehura të jugut, çdo pjesë e bregdetit shqiptar ofron një eksperiencë të paharrueshme. Udhëtarët mund të shijojnë një kombinim të historisë, kulturës dhe natyrës.

Natyra i ka dhënë gjithçka i duhet një vendi për të qenë unik, ndërsa dora e njeriu shqiptar ka shkatërruar pa ndalur.

253 kilometra vijë bregdetare përbëhet nga plazhe me rërë të sedentuar, të cilat kërcënohen nga erozioni që vjen si pasojë e ndërtimit të digave në lumenj dhe ulja e prurjeve si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.

Ky emision do t’ju çojë në një udhëtim tek rezervati natyror i Kune Vainit në Lezhë, plazhi i Shëngjinit, Kepi i Rodonit, Golemi, Hamallaj, Rrushkulli, Shkëmbi i Kavajës, plazhi i Darëzezës në Fier dhe Pylli i Sodës në Vlorë. Atje ku natyra flet përmes shenjave të saj, dhe ne do të zbulojmë se sa shumë mund ta ndryshojë dora e njeriut për mirë a për keq atë çfarë na ka fal Zoti.

Do të shihni se çfarë do të ndodhë nëse vazhdojmë të humbasim çdo ditë nga pak, këtë betejë me erozionin duke shkatërruar pasuri që natyra e na e ka dhuruar, duke humbur gjithnjë e më shumë copa toke që ka mbajtur brez pas brezi.

Sipas dekanit të Fakultetit të Pyjeve në Universitetin Bujqësorë Kamëz, Ervin Toromani, në aspektin e erozionit detar zona më e dëmtuar është ajo e Kune-Vainit në bashkinë e Lezhës, është zona e Semanit që i përket bashkisë së Fierit, janë zona problematike ku janë konstatuar humbje të tokës dhe avancimi i detit duke hyrë në brendësi të territorit në zona të caktuara, sidomos në zonën e Kune Vainit po rrezikohen habitatet e lagunës dhe të ligatinave duke ndikuar drejtpërsëdrejti në florën dhe faunën që jeton pikërisht në këto habitate.”

Hekurudhë nga Aeroporti, në Vlorë – Balluku: Si do sigurohen trenat e rinj

Teksa disa projekte hekurudhore me financim të huaj janë në zbatim, projekte të tjerë do të kërkojnë financim të brendshëm për t’u realizuar, pasi nuk janë pjesë e rrjeteve europiane. Gjatë diskutimeve të projektbuxhetit 2025 në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ministrja Belinda Balluku përmendi disa prej tyre, duke veccuar nisjen e studimit të lidhjes me hekurudhë të aeroportit të Vlorës, me rrjetin tjetër hekurudhor. 

“Disa hekurudha që nuk janë pjesë e korridoreve europiane do të jenë me financim të  brendshëm. Kam këtu parasysh hekurudhën Aeroport i Vlorës – Vlorë dhe Fier – Rrogozhinë. Po ashtu, edhe hekurdha Durrës – Shkodër – Gjakovë, që do të bëjë lidhjen me Kosovën do të jetë me financim të brendshëm”, – tha Balluku.

Paralelisht, ministrja tha se po synohet gjetja e fondeve për rikthimin e trenit te Bulevardi i ri, ndërsa shtoi se financimi i trenave të rinj është pjesë e paktesë së elektrifikimit të hekurudhave.

“Rehabilitimi i linjës Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës së re Kthesa e Kasharit – Rinasit është projekti kryesor.  Aplikimi i parë është bërë për 34 km nga kthesa e Kamzës në Durrës. Kemi identifikuar nevojën të shtohen 4 km nga Kashari në Bulevardin e ri dhe do të përfshihen në këtë projekt. Hekurudhat e reja do të operjnë me elektricitet. Duke qenë në përafrim të plotë të kërkesave të BE për transportim me “zero” emetime. E gjitha kjo kërkon një flotë të re, të transprotit hekurudhor. Kosto totale e elektrifikimit është vlerësuar 21 mln euro, financimi i këtij projekti do të në vijimësi të këtij projekti, pra do të jetë një paketë e plotë, që do të ndikojë sigurisht edhe një flotë totalisht të re”, – tha Balluku.

Programi i transportit hekurudhor financohet me 6 mld lekë, 802.7 mln lekë ose 15.2% më shumë se viti 2024. Ky volum ndahen 537.5 mln lekë apo 9.9% financim i brendshëm dhe 4.99 mld lekë ose 90.1% të volumit të shpenzimeve kapitale, janë financim i huaj. 

Kryebashkiaku i Fierit dyfishon pagën e vet,rritja e pagave për shefat në bashki votohet edhe nga këshilltarët e PD

Vendimi i Bashkisë së Fierit për të rritur maksimalisht pagën e kryetarit dhe administratës së bashkisë është miratuar unanimisht në mbledhjen e këshillit bashkiak, por larg vëmendjes së medias.

Ndonëse VKM-ja e qeverisë përcaktonte një kufi nga 2 milion e 55 mijë lekë të vjetra për pagën e kryebashkiakut deri në 2 milionë e 900 mijë lekë, Armando Subashi zgjodhi të rrisë rrogën e tij 88% duke zgjedhur kufirin maksimal prej 2 milionë e 900 mijë lekësh të vjetra, po ashtu për tre nënkryetarët e kësaj bashkie, Adela Hysenaj, Andius Olldashi dhe Eleni Gjikondaj, paga u rrit me 78%, nga 1 milion e 26 mijë lekë që merrnin më parë më parë, të tre nënkryetarët do të paguhen ne 2 milion e 25 mijë lekëve të vjetra.

Por ndryshe nga treshja drejtuese e bashkisë, rritja e pagave ishte e ulët për 13 administratorët e njësive administrative. Ato u rritën vetëm me 22%, ndërsa pagat e 13 drejtorëve të drejtorive me 25%.

Nga rritja e pagave përfituan edhe këshilltarët bashkiakë, të cilëve ligji iu dikton një rritje sa 10% i pagës së kryetarit të bashkisë, por në përqindje rritja ishte njësoj sa e kryetarit. E në këtë pikë, këshilltarët e djathtë në Fier e harruan mosbindjen civile që dikton politika në Tiranë. Mbyllën sytë e votuan bashkë me mazhorancën.

“Në gusht, miratuam rritjen për zjarrfikësit, ndërsa në shtator për punonjësit e bashkisë me arsim të lartë, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave, duke marrë parasysh diapazonin e përcaktuar nga shteti. Këshilli Bashkiak, me shumicë votash, miratoi pa dallim rritjen e pagave, duke filluar nga kryetari deri te specialistët”, tha Ilia Fili, këshilltar i PD-së në Bashkinë e Fierit.

Nga kjo rritje u përjashtuan plotësisht 817 punonjës të shërbimeve bazë, që do vazhdojnë të marrin paga minimale. Për ta nuk menduan sa të majtë e as të djathtë, duke ia lënë fajin vendimit të qeverisë.

“Nuk e përcakton vkm. Po rishikojmë një mundësi për rritjen e pagave në 2025”, tha Eleni Gjikondaj, nënkryetare e Bashkisë së Fierit.

“Për punonjësit e bashkisë me arsim të mesëm dhe të ulët, kemi bërë një rritje pagash në fund të vitit të kaluar dhe po shpresojmë se, pas bilancit të ndryshimeve aktuale, do të shqyrtojmë mundësinë për rritje, sado të vogël, për këtë kategori.”, u shpreh Ilia Fili, këshilltar i PD-së në Bashkinë e Fierit

Kjo rritje pagash nuk tregoi gjë tjetër veç thellimit të kontrastit mes funksionarëve të lartë, nëpunësve civilë dhe pjesës tjetër të punëtorëve të thjeshtë, nevojat e të cilëve nuk janë marrë parasysh.

T/CH