IKMT -Ura e Babrroit do te shkaterrohet me eksploziv

Në kuadër të realizimit të projekteve për interes publik si projekti i “Unazës së Madhe” dhe “Ndërtimi i rrugëve kryesore të zonës për zhvillim, njësia administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji” (Faza 3), IKMT në bashkëpunim me grupin e ekspertëve të xhenios ka planifikuar ditën e premte, datë 13.12.2024 ora 14:00, demolimin e urës ekzistuese (ura e Babrroit) e cila do të realizohet me shpërthim të kontrolluar.

Gjatë procesit të demolimit, do të ketë masa strikte sigurie dhe do të ndalohen kalimet këmbësorëve dhe mjeteve afër urës për të shmangur çdo rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Me qëllim realizimin e punimeve të demolimit të urës njoftojmë të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugëve se, për arsye sigurie, do të ndërpritet qarkullimi i këmbësorëve dhe mjeteve në këtë pjesë.

Gjatë kësaj periudhe, do të ndalohet kalimi në afërsi të urës për të shmangur çdo rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Për çdo qytetar që ka nevojë për kalim në këtë zonë, mund të përdorë rrugët alternative.

I gjithë ky proces është i nevojshëm për të siguruar një infrastrukturë të re dhe më të qëndrueshme, duke garantuar sigurinë e lëvizjes në të ardhmen.
Autoritetet lokale dhe shërbimet e sigurisë do të jenë të pranishme në terren për t’u siguruar që të respektohen rregullat dhe për të udhëzuar qytetarët për çdo ndryshim në planin e qarkullimit.

Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj në këtë periudhë të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës!

Vendosen çmimet e reja të banesave në treg, ja bashkitë që kanë rritjen më të lartë

Qeveria ka miratuar çmimet e reja mesatare të shit-blerjes së banesave në treg.Cmimet jane vendosur sipas zonave kadastrale për 61 bashkitë në vend, të cilat rezultojnë me rritje të konsiderueshme në pjesën më të madhe të territorit të vendit krahasuar me vitin 2023.

Referuar urdhrit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të publikuar në Fletoren Zyrtare, çmimi mesatar i sipërfaqes banuese për m2 në Tiranë arrin në 124.316 lekë.

Duke marrë në analizë njësitë më të mëdha, vihet re se bashkinë Durrës, çmimi i ri mesatar i banesave arrin në 71.157 lekë/m2 nga 67.500 lekë/m2 me një kapërcim prej 3657 lekë/m2.

Në bashkinë Elbasan një m2 sipërfaqe banimi arrin në 55,400 lekë, me një kapërcim prej 5100 lekë nga një vit më parë. Në Fier çmimi i shitjes regjistrohet në 55.375 lekë/m2, me një rritje prej 2275 lekë/m2.  

Në bashkinë Vlorë çmimi i ri rezulton 66.680 lekë/m2, duke u rritur me 4480 lekë/m2.

Çmimi mesatar për një m2 sipërfaqe banimi në Shkodër arrin në 62.280 lekë, apo 4280 lekë më i lartë se në vitin 2023.   Korça arrin një vlerë shitje prej 59.525 lekë/m2, me një rritje rekord prej 13.725 lekë për m2.

Në Berat çmimi mesatar i një banese për m2 përcaktohet në 52.200 lekë, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej 10.800 lekë/m2. Në bashkinë Kamëz vlera shkon në 62.550 lekë/m2 , duke u rritur me 10.550 lekë/m2.  

Në bashkinë Gjirokastër, çmimi arrin në 48.600 lekë/m2, me një rritje prej 1200 lekësh.  Ndërkohë që c çmimet e pronave rritje kanë pësuar edhe njësitë e tjera më të vogla.

Sa i takon zonave bregdetare, në njësinë administrative Golem, çmimi mesatar i shitjes për banesa shkon mesatarisht në 56.500 lekë/m2 , në Shëngjin 49.150 lekë/m2, në Velipojë 60.400 lekë/ m2, në  Orikum  61.433 lekë/m2 dhe në Dhërmi arrin në 186.400 lekë/m2.

Sipas legjislacionit në fuqi, përcaktimi i çmimeve mesatare të shitblerjes së banesave në treg bëhet me qëllim përdorimin e tyre nga Enti Kombëtar i Banesave (EKB) ose njësitë e vetëqeverisjes vendore: për të vlerësuar, nëse në territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore është më ekonomike të ndërtohen banesa të reja apo të blihen nga tregu; për ta përdorur si nivel reference, në rastet kur vendosin të blejnë banesa në tregun e lirë; si dhe për të përcaktuar kufirin maksimal të kreditimit në zbatim të vendimit Këshillit të Ministrave, “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurën e dhënies së tij për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët, me kredi të lehtësuara nga shteti”.

368 mln euro per ndertimin e hekurudhes Vore-Hani i Hotit

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka hapur tenderin për ndërtimin e hekurudhës Vorë – Hani i Hotit. Kompanitë e interesuara do të mund të dorëzojnë ofertat deri në datën 24 janar 2025. Kjo do të jetë fazë parakualifikimi, çka do të thotë se komapnitë që do të kalojnë fazën e parë do të ftohen në një fazë të dytë, deri në përzgjedhjen e kompanisë që do të zbtojë punimet.

Me përmbylljen e procedurave tenderuese dhe lidhjes së kontratës, i hapet rruga zbatimit të punimeve për një nga projektet më të rëndësishme hekurudhore në vend.

Sikurse është bërë e ditur më herët punimet kryesore do të përfshijë modernizimin e rreth 120 km rrugë të përhershme midis Vorës dhe Hanit të Hotit për të arritur shpejtësi maksimale operimi 100–120 km/orë.

Ato do të përfshijnë zgjerim deri në 6.6 m dhe forcim të formacionit, zëvendësim ose rehabilitim të rreth 12 urave kryesore, plus urave dhe kanaleve të tjera të vogla, si dhe zgjerim dhe modernizim të tunelit të Lezhës. Po ashtu, do të kryhet ndërrimi i superstrukturës, si dhe ndërtimi, zëvendësimi ose rehabilitimi i rreth 13 stacioneve.

Kosto totale për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit është 368 milionë euro dhe bashkëfinancohet me kredi të dhëna nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një granti të Bashkimit Evropian dhe qeverisë shqiptare që do të mbulojë koston e çdo zhvendosjeje të tokës, risistemimin, dhe taksat e nevojshme për të finalizuar projektin.

Makina del nga rruga , ndërron jetë shoferi 21-vjeçar

Informacion paraprak

Rreth orës 20:30, në aksin rrugor “Koplik-Dedaj” shtetasi Gj. Gj., 21 vjeç, banues në fshatin Reç, duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.

Si pasojë shtetasi Gj.Gj., ka ndërruar jetë, gjatë rrugës për në spital.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Rreth 150 km të vijës bregdetare në Shqipëri po goditet nga erozioni

Erozioni, një forcë natyrore, e kombinuar me pasojat e dorës njerëzore është kthyer në një kërcënim të heshtur, një katastrofë që na kalon përpara syve pa bërë zhurmë.

Sipas specialistëve rreth 150 kilometra të vijës sonë bregdetare po i nënshtrohet me ritme të shpejta erozionit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme social-ekonomike.

Sipas një raporti të Programit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, humbja e tokës për shkak të erozionit është 2-3 herë më e lartë në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Mesdheut dhe 10 deri në 100 herë më e madhe se sa në shumë vende të tjera Europiane. Ndërsa institucionet shtetërore qëndrojnë indiferent.

Bregdeti mahnitës shqiptarë i shtrirë në 454 kilometra, një pasuri natyrore e jashtëzakonshme, ka tërhequr vëmendjen e miliona turistëve nga e gjithë bota.

Plazhet me rërë të artë, ujërat e kristalta të deteve Jon dhe Adriatik, si dhe vijat malore që prekin bregun, krijojnë një peizazh unik të pakrahasueshëm.

Nga plazhet e gjata dhe të qeta të Vlorës, te bukuritë e Shëngjinit e deri në ishujt dhe gjiret e fshehura të jugut, çdo pjesë e bregdetit shqiptar ofron një eksperiencë të paharrueshme. Udhëtarët mund të shijojnë një kombinim të historisë, kulturës dhe natyrës.

Natyra i ka dhënë gjithçka i duhet një vendi për të qenë unik, ndërsa dora e njeriu shqiptar ka shkatërruar pa ndalur.

253 kilometra vijë bregdetare përbëhet nga plazhe me rërë të sedentuar, të cilat kërcënohen nga erozioni që vjen si pasojë e ndërtimit të digave në lumenj dhe ulja e prurjeve si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.

Ky emision do t’ju çojë në një udhëtim tek rezervati natyror i Kune Vainit në Lezhë, plazhi i Shëngjinit, Kepi i Rodonit, Golemi, Hamallaj, Rrushkulli, Shkëmbi i Kavajës, plazhi i Darëzezës në Fier dhe Pylli i Sodës në Vlorë. Atje ku natyra flet përmes shenjave të saj, dhe ne do të zbulojmë se sa shumë mund ta ndryshojë dora e njeriut për mirë a për keq atë çfarë na ka fal Zoti.

Do të shihni se çfarë do të ndodhë nëse vazhdojmë të humbasim çdo ditë nga pak, këtë betejë me erozionin duke shkatërruar pasuri që natyra e na e ka dhuruar, duke humbur gjithnjë e më shumë copa toke që ka mbajtur brez pas brezi.

Sipas dekanit të Fakultetit të Pyjeve në Universitetin Bujqësorë Kamëz, Ervin Toromani, në aspektin e erozionit detar zona më e dëmtuar është ajo e Kune-Vainit në bashkinë e Lezhës, është zona e Semanit që i përket bashkisë së Fierit, janë zona problematike ku janë konstatuar humbje të tokës dhe avancimi i detit duke hyrë në brendësi të territorit në zona të caktuara, sidomos në zonën e Kune Vainit po rrezikohen habitatet e lagunës dhe të ligatinave duke ndikuar drejtpërsëdrejti në florën dhe faunën që jeton pikërisht në këto habitate.”

Shpallet ne kerkim 24 vjecari ne Fier

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier shpallën në kërkim shtetasin A. C., 24 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje. Punohet për kapjen e 24-vjeçarit.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Nderkohe Specialistët e Policisë Rrugore të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-Xh. N., 71 vjeç, banues në fshatin Usojë, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësorin, shtetasin H. H., 75 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën;

-K. M., 71 vjeç, banues në fshatin Krutje, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që drejtonte dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Gjithashtu, është dëmtuar 71-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve, aktualisht në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sërish përplasje mes të miturish, 15-vjeçari kërcënon me thikë një 13-vjeçar

Komisariati i Policisë Shkodër referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një shtetas 15 vjeç, pasi ka kanosur me mjet prerës (thikë), një 13-vjeçar, për motive të dobëta. Mjeti prerës u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Gj. Gj., banues në fshatin Bardhaj, pasi nga kontrollet dhe verifikimet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, në banesën e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Vidhnin bageti ne Fier prangoset babai dhe i biri

Fier/Vijon bashkëpunimi i ngushtë me qytetarët, për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të vjedhjeve.

Vodhën në Levan, 5 krerë bagëti të trasha (lopë), vihen në pranga 59-vjeçari dhe djali i tij. Punohet për kapjen e djalit tjetër të 59-vjeçarit.

Sekuestrohen 5 bagëtitë, furgoni me të cilin u transportuan bagëtitë, nga banesa ku u vodhën te banesa e të arrestuarve, ku u gjetën, si dhe 6 targa automjetesh.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe policore të kryera menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, se i kishin vjedhur 5 krerë bagëti të trasha (lopë), Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier dhe me Komisariatin e Policisë Krujë, kanë zbardhur vjedhjen, si dhe kanë identifikuar dhe arrestuar autorët e dyshuar të saj, shtetasit F. K., 59 vjeç dhe J. K., 30 vjeç, babë e bir, të dy banues në fshatin Dukagjin i Ri.

Gjithashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim, si bashkëpunëtor për vjedhjen, djali tjetër i shtetasit F. K., shtetasi E. K., 19 vjeç.

Punohet për kapjen e 19-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurisë, për veprime të mëtejshme.